Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Serbi, në kuadër të takimeve dhe aktiviteteve për iniciativën “Ballkani i Hapur”.
Gjatë mbërritjes në Beograd, Rama u prit nga Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ndërkohë mori pjesë më pas në ceremoninë e hapjes së Panairit në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, së bashku Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe liderë të tjerë nga vendet e rajonit.
Gjatë panairit dukej hapur afrimiteti i Ramës me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe qëndrimin e ftohtë e të mënjanuar të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Gjatë fjalës së tij në hapje të panairit, kryeministra Rama tha nisma “Ballkani i Hapur” është një projekt paqeje.
“Ballkani i Hapur” është një projekt paqeje dhe është një projekt bashkëjetese në paqe, është një projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen, në mënyrë që kjo lagje e vogël në mes të Evropës të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës, por të bëhet gjithnjë e më shumë vendi i të ardhmes për të gjithë rininë tonë”, u shpreh Rama.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi më tej se kjo nismë është një nismë për njerëzit, dhe sipas tij është një nismë që u takon njerëzve. Gjatë qëndrimit të tij në Serbi kryeministri Rama do të realizojë edhe takime me zyrtarë nga vendet e rajonit. Iniciativa “Ballkani i Hapur” aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë, qarkullimit të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.