Blog

Fqinji i Galileut dhe Vakumi








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:37 - 06/08/20 |
Zef Zefi

Nja 20 vjet që kaloj përditë përskaj oborrit të një plaku 456-vjeçar, këtu në Arçetri Firence. Banesat i kemi në të njëjtën lagje, punë 500-600 metrash distancë.


Në skajn tjetër t’oborrit të tij dhe për nder të tij, Europa ka ndërtu edhe “Galileo Galilei Institue for Theoretical Physics.” Po dhe Instituto “Nazionale di Ottica,”pak metra më lart në kodrinë është “Osservatorio di Arcetri” prej nga Europi kundron me sytë e plakut botën e kozmosit, pastaj Instituti Nazional i Astrofizikës.


Përditë gjithashtu has e shoh shkencëtarë nga i gjithë globi me çanta shpine, që për nga veshja, rrall’herë dallojnë nga kostumet e punës sime, sa më çliron nga çdo kompleks inferioriteti me medjeqiellorët, të paktën për një sy të jashtëm.


Shkurt fjalët, puna ime s’ka lidhje me shkencën e as me plakun e ditur, gjithashtu as me qiejt, makineritë, inxhinieritë e tij. Unë përdor vetëm “makinerinë” time biologjike për bukën e ditës. Nga ana tjetër falë “sustës së vullnetit” e thënë me terminologjinë e Shopenhauerit, lexoj sende boll po matematike apo fizike jo. E shumta ndonjë libërth letrar ndonjë send filozofik, mediatik dhe politikë jopak. Kryesisht duke i shkarkuar me pagesë në bibliotekën e “smartit” mobile. E gjitha këtu. Unë në përditshmërinë time, ndërsa fqinji i oborrit, plaku mbi 456 vjeçar matanë rrethojës në botën e vet.


Realisht kur mejtohem duke kaluar karshi këtij oborri të madh shkencor, gjendem shpesh në batutën e një shokut tim të tetëvjeçares që e kam fqinj brenda të njëjtit pallat në Rrëshen. Ky në një polemikë me dikë që s’linte rast pa i fyer ardhacakët në qytetthin e Rrëshenit si injorantë e fshatarë, kishte të njëjtin oborr me të “universitetit të Mirditës,” siç cilësohet jo rrallë gjimnazi. E dëgjon fqinji im, fqinjin e oborrit të shkollës, pastaj i drejtohet; “…mirë mua që m’i hante dhia librat dhe kam mbet i pa mësuar, po ti që ke lindur n’oborr t’shkollës e ke mbet budall…, kësaj qysh ia vë emrin…”

Ku oborri i Galileut, ku ai i gjimnazit të Mirditës, ku Galileo, ku unë fqinji i tij. Sidoqoftë rrallëherë qëllon të zgjidhen komshijtë. Për mua dhe sot e kësaj dite mbeten fat ose e anasjellta.

. . .

-Ç’ke mor njeri i mundit dhe i punës? Të kam parë shpesh kalon këtej, po sonte dukesh tym.

Meqë fjala tym nuk ishte në gjuhën e toskanëve, as të latinëve të moçëm, po në gjuhën e largët pellazge, njëkohësisht etruske, “thymos,” mendja më ngau në thellësi të kohëve. Dijetari 456-vjeçar po më pyeste mua. Mua ose një nga ata fqinj të oborrit të shkollës së Rrëshenit…

-Kam bërë fjalë me një bashkëvendas. Asgjë më shumë.
-Sarebbe a dire? Po të dëgjoj.

Po të dëgjoj. Këso rasti nuk mbërrin më, mendova. Një herë në katërqind e pesëdhjetë vjet.

Menjëherë shpërtheu pathosi, im albanez, mënia iliadeske dhe thymosi në kulm; kam bërë fjalë me një bashkëvendasin tim.
Dhe pa e vrarë më tej mendjen për ngeshmërinë e Plakut, i them se gjithçka kish ndodhur para pak minutash tek sheshi “Michelangiolo”. Punë partish, tifozërish jashtë çdo interesi përveç atij atdhetar, aq më pak për të huajt apo shkencëtar.

Ajo që m’i bëri kaçurrel nervat ishte dhe se sfiduesi em’ ishte një nga ata që mbante në kurriz torturat dhe nja 7-8 vjet burg komunist për tradhti, dhe tentativë arratisjeje.

-Njëlloj për kokën time janë,– më thoshte.

Dmth njëlloj, si ajo që e ka futur në burg për kalim kufiri, si ajo tjetra që i ka dhënë lirinë, përveç lirisë i ka dhënë të drejtën për t’u zhdëmtuar nga vitet e burgut. Ç’a ndryshimi ka partia e kuqe-fucsia nga ajo e blu-jta. Asnjë.

-Po të paktën ngjyrat, -i them unë.-A janë ngjyra të ndryshme.
-Shoqi më sheh. Mos u tall tani të keqen. Do nxehem vërtet, për kokë të mumës.

Pastaj me shumë kujdes i shpjegoj, rrjetin, autostradal, rrugor e gjithë infrastrukturor kombëtar brenda një legjislatire e gjysëm, rrjetin dixhital, NATO, liberalizim vizash…, i përmend lirinë e rikthyer tek qytetarë pas 90-s

-Ehuu, po unë e di mirë se janë njëlloj. Hajdut njeri, hajdut tjetri.”
-S’janë njëlloj o burrë. Si qenkan njëlloj.
-Njëlloj për kokë të plakës. futsha plakën në dhè, janë njësoj.

Mua më acaron kjo shprehje, jo për të pavërtetën e përmbajtjes. Po se edhe “duku”, dmth look-u i partive apo krahëve politikë në Shqipëri ndryshojnë kaq shumë. Njëllojtësimi është i tmerrshëm, mbasi përdoret shumë nga një shumicë konsistente shqiptarësh, vetëm se ua thotë nga ekrani dhe fjalimet krye-manipulatori i paguar si kryeministër. Këto nuk janë punë të paqme, Nuk mund ta pranoj. Përdor edhe shprehjen e “thesit me pleshta të homerit të Dytë pellazg, ngrihemi, ndahemi.
. . .

-Mirë mirë,-tha dijetari 456-vjeçar. – po të kujtoj një sentencë që e kam lënë para shumë kohësh. Një mendim që nuk mund të shprehet në asnjë formë matematikisht,nuk është më mendim.

Mbeta.

-A mundesh?
-Po ja. Sipas logjikës së mikut dhe kjo sipas “pizevengut” që paguhet si kryeministër, e shumë popullate të vendit tim njëra parti qe ka qeverisur Shqipërinë 70 vjet rresht, nuk ndryshon me atë që ka qeverisur vetëm 10.
-Më shkurt ju lutem.
-10 = 70, as <, as >. Unë nuk e pranoj. As njëllojtësinë e ngjyrës. Më revolton gjithashtu edhe pesha e përgjegjësive, tjetri këmbëngul në të njejtën equa, 70=10. Ec e shkule prej aty.
-Dy mundësi janë,- tha. -të kujtohet plani i pjerrët me hedhjen e sferave? Po eksperimenti nga Kulla e Pjerrët me puplen dhe sferën?
-Sigurisht more keto i kam mësuar qysh në tetëvjeçare, prandaj dhe nuk pajtohem as nesër me bashkëvendasin tim.
-Piano-piano, njeri i mundit dhe i punës, mos ki ngut. Tani mundou të kujtosh çfarë i ndodhte sferës dhe puplës gjatë rënjes se lirë brenda ballonit, në mungesë të ajrit.
-Më kujtohet. Në vakum edhe peshat edhe graviteti asgjësohen.
-Mmm…, dëgjoj një si aprovim nga plaku, i cili m’u duk se desh të ikte.
-Prisni ju lutem, -u përndrita menjëherë se m’u kujtua diçka kozmanauteske në TV, ku dhe fekalet bashkëfluturojnë me prodhuesit e tyre.

Dmth në ballonet bosh, hapsirat dhe kokat bosh…, peshat masat sasitë e përgjegjësitë njësojtësohet bëhet equa. 10kg=70 patjetër nesër do të pi kafe me bashkëbvendasin, uroj t’i ketë marrë pak ajër vakumi.

E thashë po s’e di a më dëgjoi fqinji i oborrit tim, i cili si në kohët mitike filloi të shkrihet në formë drite me trupat e tjerë qiellorë objekt i teleskopit të tij.


Etiketa:

Pas