Presidenti Zelensky shkruan në një postim në Twitter se në këtë moment është mirë të mbyllet diskutimi dhe të vendoset për anëtarësimin e Ukrainës në BE.
“Është një moment vendimtar për të mbyllur një herë e mirë diskutimin e gjatë dhe për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në #BE. Diskutova me
@eucopresident për ndihmë të mëtejshme efektive dhe luftën heroike të ukrainasve për të ardhmen e tyre të lirë”, shkruan ai.
Pas një bisede të zhvilluar me Presidenten e Komisionit Evropian, Presidenti Ukrainas thotë se populli i tij po lufton për të ardhmen evropiane.
“Ukraina po lufton pushtuesin me armë në duar, duke mbrojtur lirinë e saj dhe të ardhmen evropiane. Diskutuar me @vonderleyen për ndihmën efektive për vendin tonë nga BE në këtë luftë heroike. Unë besoj se edhe #BE zgjedh Ukrainën”, shkruan Zelensky.
Pak më herët, ai lajmëroi se Franca po dërgonte municione në ndihmë të Ukrainës, për t’u mbrojtur nga sulmi rus.
“Një ditë e re në vijën e frontit diplomatik filloi me një bisedë me @EmmanuelMacron. Armët dhe pajisjet nga partnerët tanë janë rrugës për në Ukrainë. Koalicioni kundër luftës po funksionon!”, shkruante Presidenti.
Ukraina është në ditën e tretë të sulmit nga Rusia. Ndërsa shumë qyetetarë kanë zgjedhur të largohen, të tjerë po mobilizohen për të mbrojtur vendin e tyre. Autoritetet e larta ukrainase kanë bërë thirrje për ndihmë nga shtete të tjera, për t’i mbështetur me municione dhe mjete të tjera, si dhe për të goditur me sanksione të rënda Rusinë, e cila deri tani ka treguar se është e vendosur në vazhdimin e këtij sulmi.
Autoreitetet ruse kanë deklaruar se nuk po e pushtojnë Ukrainën, por po e çmilitarizojnë dhe denazifikojnë.