Liderët e Francës, Gjermanisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas sulmit me agjent nervor ndaj një ish-agjenti sekret rus në Britani.
Në deklaratë thuhet se përgjegjësia ruse është i vetmi shpjegim i besueshëm.
“Dënojmë të parin rast të përdorimit të agjentit nervor në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore,” thuhet në deklaratë.
“Ne, krerët e Francës, Gjermanisë, SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, shprehim neverinë për sulmin e ndërmarrë ndaj Sergei e Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë më 4 mars. Përdorimi i këtij agjenti nervor ushtarak, i prodhimit rus, përbën përdorimin për herë të parë të një agjenti kimik në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ky është një sulm ndaj sovranitetit të Britanisë së Madhe dhe përdorimi i një agjenti të tillë nga një shtet përbën një shkelje të qartë të Konventës së Armëve Kimike, si dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ky veprim kërcënon sigurinë për të gjithë ne”, vijon më tej deklarata.
Aleatët theksojnë se ky është një sulm ndaj sovranitetit britanik.
Britania ka dëbuar 23 diplomatë rusë pas këtij incidenti.
Të enjten, kryeministrja britanike Theresa May vizitoi vendin e sulmit.
Rusia ka mohuar përfshirjen në sulm. Ajo është zotuar se do i përgjigjet me shpejtësi dëbimit të diplomatëve.
Agjenti nervor u përdor mbi ish-spiunin rus, Sergei Skripal, 66 vjeç dhe të bijën, Yulia Skripal, 33 vjeç.
Të dy janë në gjendje kritike në spital.