Aktualitet

Franca në zi: Vrasja e mësuesit nga terroristët shkakton protesta














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:07 - 19/10/20 |
mapo.al

Autoritetet thonë se personi që vrau në mënyrë barbare mësuesin në Francë e priti atë jashtë shkollës dhe u kërkoi nxënësve të identifikonin shënjestrën e tij.






Vrasësi  më pas postoi imazhe të viktimës së vdekur në mediat e tij sociale. Samuel Paty, 47 vjeç, u kishte treguar studentëve karikatura të Profetit Muhamed si pjesë e një ore mësimore.


Sulmuesi më vonë qëlloi në drejtim të policisë me armë zjarri para se të qëllohej për vdekje. Numri i të arrestuarve që kanë lidhje me ekstremizmin Islamik u rrit në 10, ndërkohë që policia vazhdon ende hetimet.







Sulmi u zhvillua rreth orës 17:00 të premten pranë Kolegjit du Bois d’Aulne, ku viktima jepte mësim, në qytetin Conflans-Sainte-Honorine, rreth 30 km në veri-perëndim të Parisit qendror.




Presidenti Emmanuel Macron tha se sulmi ishte tipik terrorist islamik dhe mësuesi ishte vrarë sepse ai po i mësonte nxënësve lirinë e shprehjes.



Një homazh kombëtar do t’i kushtohet z.Paty të mërkurën.

 

Kush është terroristi vrasës?
Abdoulakh A. ishte një 18 vjeçar, i lindur në Moskë me origjinë çeçene. Ai erdhi në Francë me statusin e refugjatit dhe ishte i panjohur për policinë anti-terroriste.

Ai jetonte në qytetin e Normandisë Évreux, rreth 100 km nga skena e vrasjes dhe nuk kishte asnjë lidhje të dukshme me mësuesin ose shkollën.

18 vjeçari ishte i panjohur edhe për gjykatësit që merren me çështjet anti-terrorizëm. Të vetmet akuza që rëndonin mbi të përpara aktit terrorist ishin ato të shkeljes së qarkullimit rrugor.

Si ndodhi ngjarja?
Në një dëshmi të policisë thuhet se vrasësi shkoi në kolegj të premten pasdite dhe u kërkoi studentëve t’i tregonin kush ishte z.Paty.

Sulmuesi ndoqi z.Paty i cili po shkonte në këmbë në shtëpi pas shkollës, i shkaktoi plagë të shumta në kokë me thikë dhe më pas i preu kokën.

Dëshmitarët thuhet se kanë dëgjuar sulmuesin duke bërtitur “Allahu Akbar”, ose “Allahu është më i Madhi”.

Vrasësi më pas postoi fotot e viktimës në një llogari në Twitter, së bashku me fyerjet ndaj z. Macron ku e quante atë “qen” dhe “të pafe”.

Ndërsa policia iu afrua, ai gjuajti me plumba me një armë zjarri. Policët kthyen zjarr. Terroristi u përpoq të ngrihej dhe u qëllua përsëri, duke u goditur nëntë herë gjithsej derisa vdiq.

Policia tha se z.Paty ishte në shënjestër të kërcënimeve që kur ai tregoi karikaturat e Profetit Muhamed gjatë një ore për lirinë e fjalës, në lidhje me çështjen Charlie Hebdo.

Z.Paty, një mësues i historisë dhe gjeografisë, i këshilloi studentët myslimanë të mbyllnin sytë nëse mendonin se mund të ofendoheshin.

Prindi i njërit prej nxënësve reagoi me zemërim ndaj incidentit, duke akuzuar z.Paty për shfaqjen e fotove të zhveshura të Profetit Muhamed. Babai i nxënësit paraqiti një ankesë zyrtare dhe shpërndau  video duke demonstruar zemërimin ndaj veprimeve të z.Paty, dhe duke u bërë thirrje njerëzve të shkonin në shkollë për të protestuar.

Zotëria  është një nga personat në paraburgim, duke shtuar se gjysmë motra e tij ishte bashkuar me organizatën e Shtetit Islamik në Siri në 2014.

Policia shtoi se katër nga 10 të arrestuarit janë të afërm të sulmuesit. Policia shton se ekzistonte një kërcënim i vazhdueshëm jashtëzakonisht i lartë i terrorizmit në tokën Franceze.

Si po reagon Franca?
Studentët thanë se ishin të shqetësuar për vrasjen brutale të një mësuesi të pëlqyer.

Një nga ish-studentët e z.Paty, Martial, 16 vjeç, tha se ai e donte shumë punën e palodhur të z.Paty edhe pse ndonjëherë temat e tij shkaktonin debate.

Presidenca franceze tha se një homazh kombëtar do të mbahej për z.Paty dhe nëpër rrjetet sociale mbizotëron hashtagu #unëjamSamuel.

Duke folur disa orë pas incidentit, Presidenti Macron theksoi unitetin kombëtar. “Ata nuk do të mbizotërojnë, nuk do të na ndajnë,” tha ai.

Ministri i Arsimit Jean-Michel Blanquer, i cili u takua me udhëheqësit e sindikatave të mësimdhënies të shtunën, tha në një deklaratë të regjistruar se z.Paty ishte vrarë nga armiqtë e lirisë dhe Franca nuk do të tërhiqej kurrë kur përballej me terror.

Udhëheqësit myslimanë në Francë gjithashtu dënuan sulmin. “Një civilizim nuk e vret një person të pafajshëm, barbaria e bën”, i tha Tareq Oubrou, imam i një xhamie në Bordeaux, për France Inter.

Asambleja e Çeçenëve në Evropë me qendër në Strasburg tha në një deklaratë: “Si të gjithë francezët, komuniteti ynë është i tmerruar nga kjo incident”. 

Në Francë gjithashtu kanë nisur protesta të shumta kundër akteve terroriste./BBC/

Përshtati: Mapo.al

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas