Komediani i njohur, Kevin Hart, deklaroi se heq dorë nga prezantimi i çmimeve Oscar 2019 pas një debati në lidhje me disa mesazhe homofobike nga ana e tij. Ai tha se i vjen keq nëse ka lënduar njerëz.
Të martën u shpall se Hart do të jetë prezantuesi i radhës i çmimeve Oscar. Ai tha se këtë arritje e kishte pasur objektiv prej shumë kohësh. Por publikimi i disa mesazheve homofobike bëri që ai të dorëhiqet.
“I kërkoj sinqerisht falje komunitetit LGBTQ për fjalët e mia të pandjeshme në të shkuarën. Qëllimi im është që të bashkoj njerëzit, jo t’i ndaj”, tha Hart.
Por çfarë e shkaktoi këtë vendim?
Në vitin 2010, Hart ishte shprehur: “Një nga frikërat e mia më të mëdha është që djali im të bëhet homoseksual. Kjo është frikë”.
“Fiksojeni, nuk jam homofobik, nuk kam asgjë ndaj homoseksualëve. Bëni çfarë të doni. Por për mua si mashkull heteroseksual, nëse mund të parandaloj tim bir që të bëhet homoseksual, do e bëj”.