Aktualitet

Frika nga arratisja gjatë Botërorit “Rusi 2018”, burgjet shqiptare në alarm





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:37 - 17/06/18 |
mapo.al

Nga Klodiana Lala, News24


Evenimentet futbollistike, shihen si një mundësi e artë nga të dënuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për të planifikuar arratisjen nga qelitë. Kjo për faktin se vigjilenca e policisë është e ulët, pasi të gjithë ngujohen pas ekranit për të ndjekur ndeshjet. Me qëllim shmangien e ngjarjeve të tilla, kur Kampionati botëror “Rusi” 2018, sapo ka çelur siparin, drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar një plan të detajuar masash. Dokumenti mban datën 13 qershor, një ditë përpara nisjes së kampionatit dhe është hartuar nga kreu i policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani. Plani I masave ka si qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në 23 burgjet dhe paraburgimet në vend, gjatë zhvillimit të evenimentit futbollistik.


Në dokumentin që disponon News 24, thuhet se “gjatë periudhës së kampionatit të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme për gjendjen e elementëve të sigurisë dhe kryerjen e shërbimit nga ana e punonjësve të policisë”. Drejtori i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani instrukton vartësit të marrin masa të vazhdueshme për mbajtjen në gatishmëri të mjeteve e sistemeve për mbrojtjen nga zjarri, duke u punuar detyrat në çdo instruktazh”. Të gjitha strukturat në burgjeve e paraburgime orientohen të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, e veçanërisht me sektorin e policisë, për të hartuar listën e personave në konflikte, si dhe ata me rrisk të lartë arratisje.


Sipas këtij plani, “në rastet e prishjes së rendit, me qëllim rivendosjen e tij, forcat e policisë, duhet të qëndrojnë në gatishmëri të plotë, me qëllim normalizimin e situatave, sipas nevojave, ndërsa duhet kërkuar bashkëpunim me policinë e shtetit”. Në vijim, sektorit të Informimit i kërkohet të qëndrojë në gatishmëri, për transmetimin në kohë të urdhrave apo udhëzimeve nga drejtoria në IEVP apo anasjelltas. Përgjatë 30 ditëve të kampionatit, urdhërohet sektori i Komunikimit, dhe monitorimit elektronik në drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të marrë të gjitha masat për të siguruar komunikim të pandërprerë me radio dhe telefon me drejtorinë e policisë si dhe të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit. Në përfundim, kreu i policisë së burgjeve orienton drejtuesit e IEVP, të informojnë me shkrim drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, për masat e marra për sigurimin e rendit e qetësisë në të gjitha institucionet, sikurse parashikohet në planin e hartuar.



Etiketa: , ,

Pas