fbpx

Editorial

Frika nga drejtësia?! Shihni Maqedoninë, që ju plaçin sytë!





               Publikuar në : 21:59 - 25/11/19 |
Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


Këtë të hënë u ngrit Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e njohur gjerësisht si SPAK. Vonesa historike u amnistua për shkak të shendit me të cilin pritej kjo strukturë. Por, paradoksalisht, ky lajm u venit nga një tjetër ngjarje, jo aq e madhe por imponuese për shkak të skenografisë dhe aktrimit të protagonistit, projektligji kundër KCK-së.



Një akronim i njohur në tregun e llafeve, megjithatë i bërë edhe më i njohur kur u shqiptua nga kryeministri Rama nga foltorja e Parlamentit. Për një koincidencë jo fort të lumtur, pak ditë pasi Rama kishte zbrazur batarenë e fjalëve kundër prokurorit të Durrësit, një tjetër breshëri u zbraz mbi makinën në të cilën Ndoj udhëtonte.


Paçka se kjo përplasje tingëllonte e pranueshme nën aksiomën e famshme kryeministrore ‘hëngshin kokat e tyre’, dhe pavarësisht se nga të dyja anët e automatikut ndodheshin personazhe të lidhura me interesat elektoralë të Rilindjes, kryeministri u hodh sipër fuoristradës të dalë nga rruga për të kapur çfarë të mundej nga anarkia që lulëzon edhe falë tij.

Prandaj e hëna paradite dukej si mbrëmja e një të premteje televizive në të cilën, kryeministri që drejton Shqipërinë prej vitit 2013, ai që erdhi në pushtet me ‘aleancën e qelbësirave’, që në zgjedhje pa rivalë kandidoi personazhe me rekorde kriminale, që u bë gazi i botës duke mbrojtur deri në dekikat e fundit gangsterët që futi në Parlament dhe bashki, që në oborrin e tij politik ka dy pesha të rënda me damkën ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit, fliste si një kandidat.

I shpenguar nga produkti tejet negativ i qeverisjes së tij, i pasur si gjithmonë me justifikime, me këtë iniciativë përpiqet të farkëtojë një strukturë paralele me atë të SPAK dhe BKH, por në krye të kenë institucionet që Rama ka në varësi. Pra, ai që e ka pagëzuar vetveten dashnorin e Reformës në drejtësi, nuk ka besim tek institucionet e reja të drejtësisë, dhe në ditën e parë të krijimit të strukturave të specializuara, që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar (sipas Kushtetutës), hedh bazat për krijimin e një strukture kërcënuese për rendin ligjor. Pretorianë të kryeministrit që mund të përgjojnë, hetojnë, pezullojnë gjyqtarë dhe prokurorë me urdhër politik.

Kjo nuk është hera e parë që Rama prezanton këtë lloj strukture; megjithatë, do të jetë hera e parë që një projektligj i tillë nuk do të ketë filtrin e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, me Kushtetuesen jo funksionale, me një mazhorancë të frikshme në papërgjegjshmërinë e saj, kjo iniciativë duket një tjetër sfidë ndaj demokracisë në vend. Me një tempizëm që të bën të flakësh prezumimin e pafajësisë, sidomos kur kryeministri rrok ende togfjalëshin: ‘Frika nga drejtësia’!

Tri fjalë që u përdorën për të legjitimuar çdo vendim të dyshimtë, çdo ndërhyrje selektive, çdo masë që sot qëndron si një plagë e hapur në trupin e një drejtësie të gjymtuar pikërisht nga ky mentalitet. Spartakiadat mediatike, të sajuara enkas për të ndërruar armiqtë e Reformës, prodhuan një logjikë përjashtuese ndaj palës tjetër. Çdo amendim, çdo mendim ndryshe, çdo propozim që kundërshtonte strategjinë e mazhorancës për të futur duart në drejtësi, shënjestrohej si i nxitur nga frika e drejtësisë së re. Pasojat janë në sytë e të gjithëve. Nuk ka deklaratë të opozitës mbi Reformën në Drejtësi që e tashmja nuk i ka dhënë të drejtë. Tri vite më vonë, pa asnjë pushtet dhe imunitet, opozita qëndron me një moral të lartë politik. Ndryshe do të kishin rrjedhur ngjarjet sikur zëri i saj do të ishte dëgjuar.

Ndoshta nuk do të ishim plotësisht një shtet i së drejtës, por sigurisht nuk do të kishim përfunduar si kavje laboratori; viktima të një eksperimenti shumë të shtrenjtë, të financuar nga taksapaguesit europianë dhe amerikanë. Një eksperiment që prodhoi rezultate të pakënaqshme edhe për BE-në, sikurse dëshmojnë deklaratat patëkeq të Zoran Zaev, i cili pak ditë më parë zbuloi se Brukseli frenoi nisjen e rivlerësimit (vettingut) në Maqedoninë e Veriut, për shkak të skepticizmit mbi ecurinë e kësaj reforme në Shqipëri.

Qëndrime revoltuese dhe poshtëruese, sidomos kur dëgjon sokëllimat e një politikani që aktron duke thurur romuze kundër kujtdo, si dhe që nuk heq dorë nga projekti i tij për ta gjunjëzuar edhe më shumë shtetin ligjor dhe demokracinë. Atyre që ende e besojnë, që ende nuk kanë parë rrokopujën e drejtësisë (dhe gjithçka kjo garanton në një shtet) u duhet bërë një apel, ndoshta edhe i ashpër: Shihni Maqedoninë, që ju plaçin sytë!


Etiketa: ,

Pas