Aktualitet

Frika nga vjedhja e zgjedhjeve i kushton shqiptarëve miliona euro








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:26 - 06/01/21 |
mapo.al

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur të mërkurën se kërkesa e saj për oferta për ndërtimin e sistemit të verifikimit elektronik të zgjedhjeve ka marrë vetëm një propozim nga një kompani e interesuar dhe se oferta është 19.9 milionë USD pa TVSH.



Sipas komisionit, Smartmatic, do të duhet të ndërtojë një sistem pranë të pesë mijë qendrave të votimit në vend për të verifikuar identitetin e votuesve përmes leximit me pajisje elektronike të kartave të identitetit apo pasaportave, të cilat në Shqipëri janë me të dhëna biometrike.


Taksapaguesve pritet t’u kushtojë në total 24 milionë dollarë, përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.



Nëse një sistem i tillë do të realizohet apo jo për zgjedhjet që pritet të zhvillohen më 25 prill, kjo nuk është e sigurt por nëse realizohet, komisionerët e partive politike do ta kenë të vështirë të hedhin vota në mungesë të pranisë fizike të një karte identiteti apo një pasaporte biometrike në qendrën e votimit.



Në zgjedhjet e shkuara ka pasur akuza të përsëritura dhe disa raste të dokumentuara në votimit në emër të shqiptarëve që në ditën e votimit kanë qenë praktikisht jashtë Shqipërie.


Në korrik 2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ngriti padi ndaj 22 komisionerëve në tre qendra votimi në zonën e Shijakut të cilët akuzohen se në zgjedhjet e vitit 2017 kishin hedhur 52 vota ose 5.5% të votave të qendrave të tyre të votimit, nën emrat e personave që nuk kishin qenë në Shqipëri ditën e votimit. Disa ditë më vonë u mësua se mes të arrestuarve, SPAK kishte edhe dy persona të vdekur.

Lexo edhe :  Vota e emigrantëve - KQZ paraqet dy alternativat

Në tërësi, ky ishte rezultati i dosjes famëkeqe 339, e cila kishte nisur si një hetim për trafik droge dhe që gjatë përgjimeve kishte zbuluar lidhje të ngushta mes të dyshuarve për trafik dhe zyrtarëve të ndryshëm të Partisë Socialiste, përfshirë kryebashkiakët dhe drejtorët, të gjithë në bashkëpunim të ngushtë për t’i bërë presion votuesve dhe për të manipuluar rezultatet zgjedhore në disa qarqe të vendit.

Në rast se sistemi i identifikimit elektronik të votuesve do të bëhet realitet dhe që lidhja e internetit do të jetë e pranishme dhe e sigurt në të gjitha qendrat e votimit, atëherë komisionerët do ta kenë më të vështirë që të votojnë në rastet kur kartat e identitetit janë në duart e emigrantëve jashtë vendit.

Të gjitha problemet e tjera zgjedhore, përfshirë blerjen e votave apo kërcënimin e votuesve nga zyrtarët e shtetit nuk do të mund të zgjidhen, pavarësisht se taksapaguesit do të shpenzojnë 24 milionë USD./ BIRN


Etiketa: , ,

Pas