Kryetari i zgjedhur i Akademisë së Shkencave, Skëndër Gjinushi, ka dalë sot në një deklaratë për media, ku ka sqaruar se ai nuk është më drejtues i Partisë Social-Demokrate. Gjinushi theksoi se që në datën 18 maj nuk ushtron detyrën e kreut të PSD-së, pasi ka dhënë dorëheqjen. Deklarata e Gjinushit ka ardhur pas kërkesës që i është bërë Presidentit Meta nga shoqëria civile, për mosdekretimin e tij në kryje të Akademisë së Shkencave.
“Prej 18 majit unë nuk ushtroj më funksionin e kryetarit të PSD. në 24 maj jam zgjedhur nga asambleja e nderuar e Akademisë së Shkencave si kryetar i Akademisë Shkencave çka ende nuk është bërë efektive. Kështu që ndryshe nga ç’rendin prej kohësh të thonë nuk kryej as funksionin e kryetarit të PSD e as kryetarit të ASH.
Veprimet e mësipërme janë çuar për regjistrim në gjykatë dhe në KQZ. Dje gjykata pranoi dorëheqjen dhe zëvendësimin. Gjykata nuk bën pranim a mospranim, por reflekton dhe KQZ ka ndërmarrë veprimet përkatëse. Kështu që nga dje nuk figuroj as formalisht as në aktet e gjykatës as KQZ. Ata që ngatërrojnë se datëlindja është ditë që fëmija merr frymë për herë të parë i pavarur dhe jo dita e regjistrimit në gjendje civile”, – u shpreh Skënder Gjinushi.