Dy javë më parë u mësua letra e dër guar në institucionin e futbollit në vend për kontroll. Tatimet kërkuan nga FSHF dokumentacionin në lidhje me aktivitetin ekonomik dhe detyrimet e paguara. Gjithashtu, u zbardh edhe kërkesa e bërë në Drejtorinë e Tatimeve, dërguar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Mirëpo, e gjithë kjo ka marrë një përgjigje.
FSHF – Gazeta ka mësuar edhe përgjigjen që ka dhënë institucioni i futbollit në vend kundrejt Tatimeve. “Panorama Sport” ka zbuluar letrën e plotë që Federata Shqiptare e Futbollit ia ka dërguar Drejtorisë Tatimore të Tiranës, ndërkohë që është vënë në dijeni edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Pas kërkesës për kontroll, institucioni i futbollit është përgjigjur zyrtarisht.
Përgjigjja – Federata Shqiptare e Futbollit, me anë të letrës së zbardhur, e cila mban datën 20 prill, ka mohuar bashkëpunimin dhe ka bërë me dije që kërkesa nuk është e ligjshme. Duke renditur dispozitat ligjore, FSHF argumenton si të jashtëligjshme këtë kërkesë, si dhe argumenton gjithashtu edhe kërkesën e bërë nga deputeti.
Më tej, FSHF e cilëson si shantazh politik në organizimin e një organizate të pavarur. Në material, institucioni i futbollit argumenton edhe shkeljen ligjore që ka bërë deputeti me atë kërkesë, gjithashtu edhe organet tatimore me kërkesën për të kontrolluar aktivitetin, për të cilin FSHF ka sqaruar edhe ligjërisht se çfarë hapash ligjorë duhen ndjekur.