Është koha për të hapur stadiumet plotësisht edhe në Shqipëri. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një kërkesë zyrtare për rikthimin e plotë të tifozëve pa kufizime në stadiume me kapacitet të plotë dhe jo në 30% siç është aktualisht.
Duke marrë shkas edhe nga eksperiencat e tjera siç ishin Kampionati Europian apo dhe mbushja e sheshit “Skënderbej” për të ndjekur ndeshjet e Euro 2020, FSHF ka bërë një kërkesë zyrtare ku i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëkohësisht edhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, që të hapen plotësisht impiantet për tifozët e vaksinuar.
FSHF mendon që tani për ndeshjet e kombëtares kuqezi e cila ka dy sfida të rëndësishme në Shtator në kuadër të eliminatoreve të Botërorit por edhe për të ndihmuar skuadrat shqiptare që po luajnë në Europë duke bërë kërkesën për ndryshimin ose heqjen e vendimit që kufizon praninë e tifozëve në stadiume.
“Nisur nga këto eksperienca pozitive dhe inkurajuese, bashkuar me vaksinimin masiv të popullsisë nga ana e MSHMS, Ju drejtohemi me këtë kërkesë për lejimin spektatorëve në stadium me kapacitet të plotë, paraprakisht për klubet tona të cilat janë në një rrugëtim historik të kompeticionit më të ri Europian, ashtu edhe të ekipit tonë kombëtar në ndeshjet deçizive të Shtatorit. Sërish, përtej të gjitha masave rigoroze të Protokollit të Rikthimit në Lojë të UEFA-s, dhe për të ruajtur sigurinë dhe shëndetin e lojtarëve dhe spektatorëve, ne si FSHF do të marrim masa që të hyjnë aksesin në stadium, në këtë fazë, ta kenë vetëm personat e vaksinuar”, – shkruhet në kërkesën e FSHF-së për Ministrinë e Shëndetësisë.
FSHF shprehet e gatshme të marrë të gjitha masat që tifozët e pranishëm në stadium do të jenë të vaksinuar si dhe do të ndiqet me rigorozitet të plotë Protokolli i Rikthimit në Lojë.