PDIU ka reaguar pas ftesës publike që kryeministri Edi Rama bëri në adresë të opozitës për të bashkëpunuar lidhur me situatën e COVID-19. Përmes një deklarate për mediat, Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda u shpreh se qëllimi i vërtetë i Ramës nuk është bashkëpunimi, por që të ketë nën kontroll edhe opozitën pas uzurpimit të institucioneve.
Deklarata
Edi Rama pasi uzurpoi PS, Parlamentin, Gjykatat që janë dhe s’janë, Prokurorinë, Pushtetin Lokal, Mediat, Tërmetin dhe Coronavirusin, pasi bleu zgjedhjet dhe kreu procesin më të turpshëm në historinë politike të pluralizmit në vend me zgjedhje njëpartiake, pasi e goditi, poshtëroi, e përzuri, e denigroi çdo ditë opozitën, sot kërkon ta marë dhe atë nën sqetull… Sot është koha që të bëhet politikë e të bërtitet fort për makutërinë dhe gënjeshtrën, që po e vdesin çdo ditë këtë vend nga kjo bandë hajdutësh. Opozita nuk do të heshtë asnjë ditë sepse ky uzurpues i çdo lirie njerëzore nuk e karantinon dot opozitën në këtë vend.