Kryelajmi politik i javës ishte ftesa e Kryeministrit Edi Rama që opozita t’i “bashkohej” atij në masat e qeverisë për të luftuar pandeminë e COVID-19. Kjo nuk ishte “ftesa” e parë e Ramës por përtej saj, pyetja që meriton përgjigje është; Pse Rama fton tani Bashën dhe opozitën për “bashkëqeverisje”?! JO-ja e Opozitës ishte e duhura, apo ajo e Ramës ishte një ftesë në mëkat?
Nuk ka dyshim që kohërat që po jetojmë do shënjojnë fatin politik të Ramës dhe gjithë gjeneratës së politikanëve të sotëm. Shqipëria nuk do jetë më e njëjta pas pandemisë. Kriza ekonomike mund të kthehet në krizë sociale. Kur jeta të nisë normalisht, Rama do kërkojë justifikimet e mbijetesës. Dhe pikërisht ky është motivi i tij për të ftuar opozitën, në mënyrë që t’i veshë asaj shumë prej përgjegjësive të keqmenaxhimit të sotëm.
Rama po dështon me ekonominë. Masat e tij nuk krahasohen me asnjë vend tjetër në Europë. Vendet demokratike po synojnë të bëjnë vetëm diçka, të hapin thesin, qoftë edhe duke rritur borxhin, për t’u dhënë njerëzve pagat e tyre. Kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar ekonominë, por mbi të gjitha, për të ndihmuar njerëzit e bllokuar brenda mureve të shtëpisë. Krejt në të kundërt, Rama po mbështet bizneset e lidhura ngushtë me qeverinë, që ato, kurrsesi të mos preken nga kjo situatë. E për këtë, Rama beson se do ia dalë përmes propagandës dhe shtrengimeve të pushtetit. Ndaj, më shumë se sa ftesë për opozitën, ishte kurth për gjetur një fajtor nesër. Dhe sulmi ka nisur…
Opozita ka ndryshuar pozicionin e saj shumë më herët se Rama të kuptonte se i duhej. Hoqi dorë nga politika e ditës dhe iu përkushtua pandemisë, herë duke dhënë mendimet e saj, e herë duke kritikuar masat. Kreu i saj, Basha nuk ka akuzuar, fyer apo denigruar kundërshtarin. Ai ka ofruar përvoja të suksesshme, testime në masë, pezullimin e shpenzimeve të panevojshme dhe dhënien e pagave. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak se perëndimore, siç Basha portretizohet shpesh. Por pavarësisht kësaj, kundërshtari i tij Rama, nuk heq dorë nga gjuha tallëse. Opozita mund të kritikohet për shpërqendrim mesazhi, ku shpesh “shpërdoron” vemendjen e njerëzve, por kurrsesi për sabotim, siç po tenton të ngrejë fabulën Rama. Në keto kushte, përgjigja “JO” e prerë e opozitës ishte manifestim i forcës së saj.
Dështimi i Ramës me ekonominë do hapë një tjetër rrugë për opozitën, e cila më shumë se me dështimet e Ramës, duhet të merret me rrugën e re për shqiptarët. Në përfundim të pandemisë, situata ekonomike do jetë dëshpëruese. Shqiptarët do kërkojnë zgjidhje dhe shpresë. Ndaj opozita duhet të jetë aty, e mbi të gjitha, të jetë gati!