Mapo Letrare

Ftesë për Shën Valentinin nënës sime plakë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:24 - 16/02/20 |
Nga Artan Gjyzel Hasani

Nënë,
e dashura ime nënë,
mos shko këtë mëngjes te varri i tim eti
është Dita e Të Dashuruarve…
shko më vonë atje
në mbrëmje kur askush s’të sheh
dhe tregoja të gjitha…


eja të shkojmë në vende
që të bënë të lumtur dikur
atij parku me shelgje ku puthjen e parë more
e të vetmen dashuri ndjeve gjirin të te djegë…


eja të shkojmë atje ku vajza u bë grua
te ajo dhomë e varfër ku me tim atë
për të parën herë bëtë dashuri
dhe përjetësinë njëri tjetrit i premtuat…


eja dhe vër parfumin më të mirë
dhe vec për sot hiqi rrobat e zisë…
vishu sic do donte babai të visheshe
fustanin e kaltër dekolte…
bizhutë dhe sandalet që në dorë mbaje
sa herë që e dehur prej lumturisë
në krahët e tij rrugën për në shtëpi merrje…
ndërsa e qeshura jote kumbuese
erresirës i prishte qetësinë…


eja të shkojmë në vende tunduese
që sot i ka mbuluar harrimi
ku xhelozinë ndjeve të të plagosë
dhe shtegëtimet e zogjve nise t’i dyshosh
pa e mësuar se kush e kish fajin
qielli
flatrat
apo fluturimi…


dhe natën vonë shkoi pranë mermerit
thuaji se nga të gjithë premtimet
që shkujdesur të falte ai,
më e ëmbël ishte dhimbja…
mes mërmërimash bëji dashuri…

falja edhe ti të gjitha…
mjellmës klithmën që askush s’ia dëgjoi
tradhëtoja në mënyrën tënde të butë…
të bardhë dhe të urtë…
duke mbetur përjetësisht e tija…

Nënë, mos shko këtë mëngjes te varri i tim eti
shko më vonë atje,
në mbrëmje kur askush s’të sheh
dhe tregoja të gjitha…

është Dita e të Dashuruarve,
e të dashurve…
e dashnorëve
e besnikëve dhe tradhëtarëve bashkë…
është ditë e dashurive të zhurmshme
dhe e mjellmave që s’bëzajnë…

 

NJE POEME E MADHE PER TE VOGLEN TIME

1

kujtime të paharruar, harruar pa u ndërruar
si fletët e kalendarëve në hotele të dorës së dytë
ku serviren kokteile turbullues poetësh
në ditë të mbushura me të qeshura të bujshme
dhe netë tropikale me lotë të nxehtë
kur ti ndjeheshe Marianne dhe më quaje Leonard
pak kohë para se të bëhesha Neruda yt…

2

kemi dashur gjithnjë të fluturojmë, e dashur,
dhe nuk kemi bërë ndonjë mëkat
e vështirë të mbetesh me këmbë mbi tokë
kur ndjehesh re dhe dhe të thërrasin qiejt
me zërin prej shiu dhe Chardonnay
derdhur bujarisht mbi ne të dy
nga Perënditë takikardike të Fundjavës…

3

e vogël sa një avion dyvendësh ëndrra jonë
dhe gjumi aeroport për njerëz me flatra
ndaj dhe ti pranë meje nuk ecje, por fluturoje,
qeshje aq fort sa orenditë e shpirtit dridheshin
tingëllonin qelqet dhe gëzimi derdhej si vera
nga gotat e servirura në trenat e shpejtë…

4

e mban mend?
të mbaja për dore si fëmija balonën
epik ky mall,
rapsodi humnerash kënduar në heshtje
madhështor si përqafimi
kur vjen nga krahë avionësh…

5

ata shtretër fluturues të 1001 bujtinave
ku marrin shpirt trupat tanë të zhveshur
janë Hiroshima jonë prej mishi, e dashur,
destinuar për bomba anatomike
hedhur nga sytë me parashuta njëpërdorimshe
vështrimesh tunduese arratisur nga ëndrrat
për të rënë mbi duar të vogla e të buta
që i vendosnin me puthje mbi buzë të paduruar
të nxehta gjuhët si kometa të çmëndura
me gjak trëndafilash përflakin qiellzën
qumësht dëshirash të djersitura derdh gjiri
në gojën time kriminale prej fëmije të parruar…

6

kish ardhur fundi i botës dhe jetonim veç ne
ishin kohë lirike të mbarsura me art dhe tinguj
kur Klimtë pasionantë mbyllnin buzët tona
dhe në shtrat rrinim si dashnorët në ekstazë
dalë nga vizatimet e paturpshme të Schiele-s
zhveshur nga petalet e Van Gogut
kridheshim lakuriq në Valsin e Trëndafilave
në atë dhomë që pas pak minutash ngjasonte
herë me një boudoir parisien ku një Baudelaire
me epshin tim shuante flakën e hireve të tua
dhe herë me Operan e Vienës vizatuar në qiell…

7

jemi bërë një
dhe nuk dimë më kush jemi
kush shkruan këto vargje dhe për kë
ajo dritë në sytë nuk është muzg,
por ag
dhe ti, bijë e mallit dhe zemra ime…

 

AMNEZI E NJE KOHE TE VONUAR…

shtrëngata e lodhshme mbaroi
por nuk kam kujt t’ia tregoj qiellin e kaltër…

nga buzët e plasura të reve
drit’ e vonuar e jetës puth hijet tona
si një vdekje e parakohëshme…

ti afron kokën e bukur pranë dritares
dhe përkëdhel me frymë diçka të njohur përtej…

avulli e vesh tërë xhamin,
por tani
ti sheh më mirë…

e hutuar ëmbël
si orkidet kur humbasin kujtesën…

 

LIRIKA E VDEKJES

si gurët e shahut pasi loja ka mbaruar
mbretër e mbretëresha…kuaj e kështjella
ushtarë e oborrtarë…të ngrënë a të gjallë
në të njëjtën kuti mbyllen,
ashtu në të fundmen ditë sekondat, minutat, javët,
muajt, vitet që kujtesës sonë sillen…
çdo gjë që sot kemi dhe ajo çka pas nesh mbetet
gjithçka pra…gjithçka…sikur të mos kish qenë kurrë
brenda një arke dikur do tretet…

kur dyert janë mbyllur dhe trokitje s’ka
e asgjë e kësaj bote më s’të çudit…
kur lumenjtë e shpresës janë mbytur në një rrudhë
vjen një ditë kur ti kupton se gruaja e fundit që të pret
është e panjohura vdekje…
ajo që kurrë nuk harron,
e vetmja dashnore e përpiktë,
e ndërsa ndjen se jeta po ikën
kurreshtja për castin e fundit zë udhë…

lërmë pra të mendoj për vdekjen, e dashur,
krahët…përqafimi…puthja e saj…si do jenë vallë?
thonë e errët eshte ajo, por ndoshta edhe plot dritë…
vdekja hidheron ata që kurrë s’jetuan…
ata që nga e panjohura e jetës kishin aq shume frikë…
por sado e huaj të jetë e njohur do më duket…
shumë do më dojë…kur pranë do t’më struket
do bëj sikur e dua, nëse vërtet si ç‘thonë
vdekja është grua…

mos vdis para meje, e dashur…
të lutem
prit edhe pak
më mjafton ajo çka brenda meje vdiq
për sa kohë isha gjallë…

kur ftesë e Vdekjes të vijë
le t’më nxjerrin të parin nga dhoma…
jam mësuar të rroj me shumë dashuri,
por kurrë me dy kufoma…

të lutem mos vdis para meje, e dashur,
me vdekjen lërmë të të tradhëtoj…
të shkoj i pari unë…
t’i ngop epshet e saj dhe ta vë në gjumë
e kur ti atje të vish në krah të të marr
i yti edhe në varr…
mos vallë po kërkoj shumë?

 

O GRUA E BUKUR!

një kopsë e zbërthyer në këmishën e qiellit
dhe diellit i merret fryma mes gjinjve të tu…

…sa herë që ti hap buzët
xhindet dalin nga shishja
bota harron dy dëshirat e tjera
dhe qiejt lëkunden…

sa herë që ti gëlltitesh
burrat e qytetit zvogëlohen
dhe hija jote mbars me hiret e tua
cigaret që nuk dinë ku t’i shkundin…

sa herë që kohën vret me ne
vend varri për të nuk ka…

në orën e madhe të retinës tënde
akrepat dëshmojnë vetminë tonë…

por dikur mund të të mbarohen vështrimet,
dhe… o Zot…
ajo ditë mos ardhtë kurrë,
bëje të jetë natë…

se kush do t’ia fshijë pluhurin qytetit shëndetlig
nga vitrinat bosh të syve…?

ti zhvishesh
dhe qyteti mërdhin…

pastaj ti fle
dhe qyteti humbet gjumin…
o grua e bukur!

 

E AVULLT

rri si ç’je…
mos ndrysho
edhe nëse kjo kërkon shumë mund…

femra në gjendje natyrore është avull
e ngrohtë
e pakapshme
eterike

rri e avullt, vajzë,
larg akujve
dhe njerëzve të ftohtë…
larg njerëzve pa kujtime…

perndryshe
do të të kondensojnë

pikë
pikë
pikuar
alkool nga ty do nxjerrin

do të të pinë
do të dehen me ty
derisa të të vjellin…

në bulëz parfumi do të të shndrrojnë
do të të mbyllin në një shishe
dhe vetminë e tyre do spërkasin
sa herë që të kenë nevojë…

brenda kafkave bosh
do të të bënin kujtimin e tyre të vetëm
dhe e vetme atje do të ngrije…


Etiketa: ,

Pas