Mapo Letrare

Ftyra jonë, burg zbukurue lulesh














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:32 - 19/06/21 |
Desantila Qerimaj

Cikël poetik nga Desantila Qerimaj






S’u vodh drita prej nesh


S’u vodh drita prej nesh
ja morëm shpirtin
e me të ndërtuem shkallë hekuri.
U vumë koracë ndjenjave
e ftyra jonë
burg zbukurue lulesh.







Prej frikës
njomsinë e harruem n’nji grimcë univers,
s’ia gjetëm pulsin
ishte i padukshëm
n’përqafim të çdokuj.



S’u vodh drita prej nesh.
Prej mungesës
e shtrënguem fort ndër grushta
prej ikjeve të tepërta
e hodhëm n’ujna t’rrejshme.



Mandej kqyrim si mundet njeriut
m’iu zbehë andrra deri n’asgjá.

E piva ndjenjën me fund

E piva me fund,
ndjenjën e gishtave t’brishtë
derdhë lkurës, mandej mbështolla
dhuratë për natën teme
tablotë me nuanca të zeza.

Kam krijue shum’ herë gjana t’kota,
i kam besue kotsisë,
deti… ma burgosi rrenën e luleve
pritje e dënimit që s’njifja.

Ti the: N’se flas me gërma
bota ka me kuptue,
të besova ty, po jo botës!
U afrova nji hap honit,
gjithkush ishte rutin’e “paformë”
veç ledhatimit!

Gjithçka njisoj, njerzit gëzojnë.
Vrava pllumbat e mesazhet e lira
u dergja pasqyrash si frikë që s’njef hapsinë.

Tash s’dij, çka me bá me lirinë e kuptimit?
Me flokët që tufa-tufa premtojnë kohën.
Nesër, nesër kam me i zbukurue,
me kenë ajo çka duhet me kenë.

Çdo nesër vjen
e un’ mbes vajza e fjalës,
parregullsi e çastit kalendarik
tue dashtë refrenin tand të viteve.
Kam me t’kërkue gjithsesi, grue.

Rrugë

Ritmi i pemës që u thá,
m’duket se jetoi aq gjatë
sa nuk u besoj ikjeve,
s’e besoj as emocionin e brishtë
që dikur përmblidhte ura t’kalueshme.
Në mue, shigjetat tregojnë drejtime t’hueja,
ku nji shtrëngim duersh tejkalon hartat,
ku rruga e kthimit asht ma e gjatë se e nisjes
e fjalët tona janë yje që i shpërthejnë prekjes,
tue përqafë misterin prrallor të dëshirës.
Rastsisht m’u kujtue hapsinë e thellë
udhët pa asnji re, bosh
gjeografi e pamasë me mue banore t’vetme.

Ndoshta era e dimnave t’shkuem
ndoshta melodia e ndjenjës që pritëm
na kallzoi se jeta dhe vetmia
s’kanë stinë,
veç zemra që ndryshojnë.

M’káti

Nuk mërzitem
për asgjátë mbi krye
m’gërryen thellë krymi i tansisë
pse s’asht e thjeshtë
me i jetue malet,
e me i vdekë hijet.

Duhet sosë çdo pikë drite.

Mkáti ma i dënueshëm
asht mos me njoftë zemrën
at’ zemrën që shkallëve
për n’anën e ftoftë të dheut
ulet përditë,
e që anës tjetër të qiellës
përditë njitet.

Kujtesë e dritë

Çdo natë
fjalë t’plasuna
flejnë ndër kujtimet tona.

Veç andrra gjithnji e virgjën
edhe pse kuptimi
nji ditë mund t’i bahet
dritë pa kujtesë.

M’trajtuen si kristal

M’trajtuen si vazo kristali
kur kisha plasaritje.
M’i njitne me dashni të kollajta.
Mandej u theva njimijë copash
e s’pat ma dashni të kollajtë
me m’i mbledhë gjanat e coptueme.

Me grimcat pezull përballë meje
u desht nji urë mbi çka rrok syni
e patokë, me ia mësue rrugën, pushimin
pluhnit të bardhë t’rrnojave
mbetë ndër kambë.

Ura qëndroi tue i dhanë jetës
kujtimet e mia për mbloje.

Tash thehem prap,
përshëndes nadjen, urën.

M’trajtuen si kristal që plaset,
si tanë fundja.
Pa m’pá t’përulun, t’bjerrun,
naltsoj fate t’djeguna,
ditë e mendime t’báme hí.

Përditë e ma kjartë

Nata u shue
mbi lkurën teme prej guri,
m’u qetsuen gjurmët e saj n’zemër
e nadja çliroi nji lëndinë
poleni që un’ me pá
përditë e ma kjartë
si ndjenjat shpalosin
kambanat e trishta të kohës,
me botën e njeni-tjetrit n’agim.

Edhe nesër…

Jam te ti i dashtun,
qyteteve t’shumta kam lanë çadrat
që m’mbrojnë prej shiut,
e diejt i mbaj ndër xhepa
si monedha me ble nadje t’zymta.
Më ngroh ardhja e stinëve,
po vazhdimi i tyne, si çdo përsritje
m’zgjon dëshirën për t’reja stinë
përfundue veç me ty.

Mendimi se ti je n’mue,
shton vesë e lëshohet si vera.
Bota ka nji mnyrë të thjeshtë me dashtë
jo si na… që tokën e qiellën s’i emnojmë Zot
po s’na mbytën deri n’përlotje
me madhshtinë e tyne.

Prandej ndjehem thjesht
e çveshun dijes
nji pirate pa plang
rr’zue me guxim dallgëve
tue përkundë mbresat e netve t’pajetueme.

Edhe nesër ka me kenë Ditë e Madhe
si përditë ku krijuem gjana t’vogla.
E nesërmja ka me kenë frut i pafilluem n’dorë
që jeton
aq sa zgjat m’u shijue,
nji minut i përjetshëm,
a nji përjetsi me ty.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas