Kryesore

Fund mentalitetit “secili për vete” në këtë krizë globale





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:14 - 28/03/20 |
Nga Gordon Brown

Kur G20 u mblodh më shumë se një dekadë më parë për krizën globale financiare, ne na u desh të kapërcejmë skepticizmin amerikan, hezitimin e G7, presionin kinez për të ndërhyrë sa më pak dhe presionin francez për të ndërhyrë sa më shumë. E tillë ishte në atë kohë, përplasja e vendeve prej të cilëve, jo 20 por 23 liderë kombëtarë ishin pjesë e Samitit të Londrës. Mosmarrëveshja e tyre më e madhe nuk ishte mbi stimulin prej 1 trilion dollarë por ndërhyrjet në taksa.


Në fund, ne ramë dakord për caqet fiskale afatshkurtra, por jo për objektivat e rritjes afatmesme. Plani ynë për të fuqizuar institucionet globale për një epokë të flukseve të kapitaleve globale dhe rrjeteve të furnizimit gjithashtu dështoi. Por të paktën të gjithë e kuptuan se nëse nuk do të kishim qenë bashkë, veçmas do të kishim dështuar edhe më keq. Qe angazhimi unanim për objektiva të përbashkëta, të materializuara në masa praktike, që ndihmuan në rivendosjen e besimit të rrënuar nga kriza.


Është një besim që udhëheqësit e G20 duhet ta rindërtojnë gjatë krizës së sotme unike. Kriza kërkon reagim të ashpër. Sa më agresivë të jemi në përballjen me urgjencën globale mjekësore duke mbyllur vendet e punës, aq më e keqe do të jetë urgjenca ekonomike, duke krijuar një nevojë edhe më të madhe për veprim të koordinuar për të ndaluar rënien e secilës ekonomi kombëtare. Sidoqoftë, ka një diferencë të madhe midis nevojës për bashkëpunim ndërkombëtar dhe gatishmërisë sonë aktuale për ta ndërmarrë atë. Ambicia e G20 duket më e vogël se madhësia e sfidave tona të përbashkëta.


Ndërsa përballemi me pandeminë e koronavirusit, ideja e vetë-izolimit individual tani është e zakonshme. Një vetë-izolim kombëtar gjithashtu ka nisur. Në epokën pas luftës së ftohtë, SHBA veproi në plan shumëpalësh; tani, në një epokë më shumëpolare, ajo vepron në mënyrë të njëanshme. Ky nacionalizëm i sloganeve: “Amerika e para”, “Kina e para”, “India e para”, “Rusia e para”, “Brazili i pari” ose “Turqia e para” – është bërë global. Ndërkohë edhe kombi më i izoluar e di se për të ndaluar Covid-19 në një vend: ai duhet të ndalet në të gjitha vendet e tjera.


G20 duhet të përshpejtojë çdo përpjekje të bashkërenduar globale për të zhvilluar, prodhuar dhe shpërndarë vaksina dhe trajtime mjkësore. Secili komb ka nevojë, pothuajse njëkohësisht dhe në sasi të mëdha për kite testimi, ventilatorë, kimikate për pastrim e spërktatje dhe dhe pajisje të tjera mbrojtëse. Për ta arritur këtë, në vend të luftës “secili për vete”, G20 duhet të mbështesë përpjekjet e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Fondit Global për të bashkërenduar dhe rritur prodhimin dhe shpërndarjen e furnizimeve mjekësore. Me kalimin e kohës, ajo duhet të ndërtojë një stok global dhe fuqi punëtore. Tarifat dhe barrierat e tjera mbrojtëse duhet të hiqen: asgjë nuk duhet të parandalojë atë që prodhohet në masë dhe për një vend që të prodhohet në masë edhe për të tjerët.

Në vitin 2010, masat e sinkronizuara monetare, fiskale dhe anti-proteksioniste nga G20 rikthyen besimin dhe rritjen ekonomike. Tani, masa të ngjashme mund të maksimizojnë ndikimin e politikave individuale kombëtare përtej parashikimit të stimulit nga OECD. Bota do të ishte shumë më e fortë dhe më e qëndrueshme nëse secila bankë qendrore e rëndësishme do të ndërhynte njëkohësisht po aq radikalisht sa Rezerva Federale e SHBA. FMN gjithashtu duhet të bjerë dakord për një ndarje të re të së Drejtës së Posaçme për Tërheqje për të ndihmuar në adresimin e fluksit të kapitalit masiv në treg.

Kjo forcë dhe stabilitet mund të avancohen në mënyrë më efektive nga një stimul fiskal i koordinuar – shumë më tepër se dy përqind e produktit të brendshëm bruto global të vendosur në 2009. BE dhe Kina tani duhet të përputhen me politikat e SHBA dhe Britanisë së Madhe për këtë. Politika fiskale është dyfish e rëndësishme sepse çështjet e drejtësisë janë shumë të mëdha. Më të varfërit dhe më të prekurit kanë barrën më të madhe dhe do të vuajnë më së shumti kur borxhet do të shlyhen. Veprimi fiskal i G20 mund të shmangë një dekadë të dytë shtrëngimi dhe të ulë rrezikun e valëve të mëtejshme të nacionalizmit populist.

Së fundmi, G20 duhet që nesër të formojë një grup pune për të bashkërenduar punën e drejtuesve politikë, ekspertëve mjekësorë dhe drejtuesve të institucioneve ndërkombëtare. Nëse normat e infeksionit në Afrikë i afrohen Azisë, fondet shumëpalëshe së shpejti do të shterren. G20 duhet të mendojë për një financim të plotë të OBSH dhe të premtojnë burime shtesë për Bankën Botërore. Një opsion me kosto efektive është Objekti i ri Ndërkombëtar i Financave për Arsim (IFFED). Vendet duhet të ridrejtojnë investimet në mbështetje makroekonomike për sigurinë sociale, IFFED mund të ndërmarrë një detyrë shtesë: trajnimin e 18 milion punonjësve të shëndetësisë në vendet në zhvillim ku ka më shumë nevojë.

G20 nuk e ka përmbushur ende potencialin e tij si forumi kryesor ekonomik i botës. Megjithatë ka precedentë. Nga masakra e L2B dolën OKB, FMN, Banka Botërore dhe OBSH. Nga kjo krizë duhet të kalojmë në një reformë të arkitekturës ndërkombëtare dhe në një nivel krejt të ri të bashkëpunimit global. Kjo është një e mirë publike e nevojshme dhe urgjente për një botë që duhet ta kuptojë se ajo është e ndërvarur dhe e brishtë më shumë se kurrë më parë.

Burimi: Financial Times

Përgatiti: Mapo.al


Etiketa:

Pas