Një vit me shumë probleme si 2019-ta. Vendi mori refuzimin për hapjen e negociatave me BE-në, opozita braktisi Parlamentin, qeveria shtoi autoritarizmin në kontrollin e pushteteve duke shkuar në zgjedhjet njëpartiake dhe këmbëngulja për kontrollin e drejtësisë së re. Tërmeti tragjik që nxori zbuluar batërdinë e ndërtimeve dhe pafuqinë për të reaguar. Si ishte viti që lamë pas dhe çfarë pritet të ndodhë në vijim, flasin për “Mapo” analistët Fitim Zekthi dhe Ilir Kalemaj.
Nga Sebi Alla
2019! Zi, krim, demokraci në agoni, pasiguri, braktisje e vendit, ekonomi në batak dhe refuzim nga BE… E trishta e vitit që sapombyllet bëhet edhe më e rëndë nga tragjedia njerëzore e tërmetit të 26 nëntorit, me 51 viktima dhe mijëra banesa të rrënuara. Nëse do të kërkohej një mot tjetër për krahasim, fatkeqësisht do ktheheshim 22 vite pas, në të mbrapshtin 1997, ku armët ishin në duart e popullsisë, shteti thuajse inekzistent dhe kaosi i pranishëm kudo. Sot nuk ka “vdekje nga plumbat qorr”, por një rrugë qorre që ka përqendruar thuajse të gjithë pushtetet nën kontrollin qeveritar dhe mbi të gjitha demokracia është në rrezik, BE-ja fort larg dhe ekonomia në rënie, grafiku i së cilës gjithnjë e më shumë sheh nga dyshemeja. Ëndrra për të qenë në paradhomën e familjes së madhe evropiane ra nga vendimi për të mos hapur negociatat me Shqipërinë. Qeveria yshtet për të kërkuar “partneritet” të ri ndërkombëtar, me sytë nga Lindja, me nisma si “Minishengeni Ballkanik”, ku saze e parë në këtë aheng “Ballkan Pazar”, mbetet Serbia. Nëse kjo nismë do vijojë, atëherë thjesht do perëndojë një demokraci me shumë probleme, që edhe pse hibride, kishte ndërtuar disa shtylla kryesore.
Demokraci në pikëpyetje
Për herë të parë në historinë e vendit, pas përmbysjes së sistemit komunist, Parlamenti kthehet tërësisht nën kontrollin qeveritar. Më 19 shkurt 2019, opozita zyrtarizoi djegien e mandateve të deputetëve në një vendim politik të beftë. Doli nga sistemi, duke akuzuar qeverinë se kishte ardhur në pushtet me vota të vjedhura nëpërmjet krimit të organizuar. Faktet u shfaqën. Gazeta e njohur gjermane “Bild” publikoi disa audiopërgjime të pluhurosura nga dy dosjet e famshme 339 dhe 184. Shfaqeshin politikanë të nivelit të lartë, kryeministri, ish-ministra, deputetë e kryebashkiakë në komunikim me elementë të krimit të organizuar, drejtues të lartë policie dhe nëpunës shtetëror ku diskutohej për shitblerjen e votave, ndikimin e paligjshëm dhe shantazhin mbi qytetarët për të votuar PS-në. Largimi i opozitës solli përqendrimin më të madh të pushteteve në duart e kryeministrit Edi Rama, i cili edhe me opozitën fort aktive në Parlament, tregoi forcë, duke mposhtur çdo diskutim apo nismë nga forca e kartonëve në miratimin e ligjeve që binin ndesh me parimet e demokracisë, apo përqendronin ekonominë në duart e një numri të vogël oligarkësh biznesmenë. Arroganca nuk njohu kufij në zgjedhjet e 30 qershorit, ku mazhoranca nuk pranoi kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare bashkë. Partia Socialiste mori 61 bashki të vendit nga votimet njëpartiake të saj, ku edhe pse e vetme në zgjedhje, u arrit deri në atë pikë sa pati manipulim të rezultateve, sidomos me pjesëmarrjen e votuesve. Dy kryebashkiakë i dalin me të shkuar kriminale, një tjetër në dyshim…
Refuzimi i negociatave
Shqipëria humbi sërish, këtë herë përballë vendeve të BE-së të cilët me ndikimin e Francës, Holandës dhe Danimarkës vendosën refuzimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ky ishte momenti më i rëndë politik dhe social për vendin, çka solli reagime të shumta nga opozita dhe shoqëria civile, por edhe në atë situatë qeveria gjeti “armiqtë” e jashtëm dhe të brendshëm, duke bërë përgjegjëse vendet sketipe të BE-së, por edhe opozitën dhe mediat në Shqipëri. Ishte në ato raste ku “çudia e madhe” nuk mund të zgjaste tre ditë, por skandal pas skandali, në afera të dyshuara korruptive, mbajtën të tjera “ngjarje dite” në tallavanë politike. Rama hap një tjetër betejë; përplasja e fortë institucionale me kreun e shtetit Ilir Meta. Presidenti dekretoi si datë të re zgjedhjesh 13 tetorin dhe jo 30 qershorin. Të gjithë u konsideruan si “armiq të qeverisë”, që për Ramën po ecën në rrugën e drejtë… Konflikti me kreun e shtetit u thellua edhe pas një loje të rëndë në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ku mazhoranca, duke përdoruar edhe KED (Këshillin e Emërimeve në Drejtësi), konsideroi si të emëruar automatikisht Arta Vorpsin, ndërsa Meta dekretoi MarsidaXhaferllarin. E gjithë Reforma në Drejtësi përfundoi buzë Lanës, kur Vorpsi u betua para noteres si “anëtare e Gjykatës Kushtetuese”, një gjest që më shumë se reagimin solli në vëmendje të vërtetën se jemi një vend qesharak dhe institucionet e shtetit përdhosen në këtë formë. Përfundimi është se vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, ku në këtë të fundit janë 35 mijë dosje që mbesin peng jo më i gjyqësorit, por politikës, vetingut dhe ustallarëve të vjetër të sistemit të ri të drejtësisë.
Ekonomia në rënie
Në kulmin e sezonit turistik, qeveria nisi “spektaklin veror” në nismën kundër informalitetit. Disa biznese u bllokuan, të tjera u gjobitën, për mosprerje të kuponit tatimor apo shmangien e detyrimeve kryesisht për mallrat e akcizës. Përveç shumë daljeve publike të kryeministrit Rama, apo zyrtarëve të tjerë, kjo nismë nuk solli asgjë. Përkundrazi, në arkën e buxhetit të shtetit mungojnë rreth 130 milionë euro nga mosrealizimi i të ardhurave. Atë pak buxhet e rrëmbyen disa nga koncesionet e shumta, ndërsa rritja ekonomike e vendit zbriti në 2.9 % nga 3.5 që ishte parashikimi. Përfundimi i projektit TAP dhe thatësira që solli ndërprerjen e eksporteve të energjisë elektrike kushtëzuan rënien ekonomike, por nga ana tjetër sot në vend as me gishtat e njërës dorë nuk numërohen kompani prestigjioze ndërkombëtare. Nuk investojnë në vendin tonë si nga pasiguria ashtu edhe mungesa e konkurrencës, ku haptas çdo raport serioz i huaj vuri theksin se koncesionet ose PPP-të favorizonin një grup biznesesh vendi, të lidhur drejtpërdrejt me politikën.
Tërmeti
Kjo ishte gjëma që tronditi fort vendin. Lëkundjet e forta të tërmetit të 26 nëntorit shkaktuan 51 viktima, më shumë se 1000 të lënduar dhe mijëra banesa të rrënuara në Durrës, Thumanë, Tiranë, Laç, Kavajë, Shijak, Mamurras dhe Lezhë. Ato 30 sekonda lëkundje të forta zbuluan edhe 30 vite batërdi në ndërtime pa kriter, me klientëlizëm, ku pas betonit e hekurit që lartësohej në pallate dhe hotele, fshiheshin afera. Përtej kaosit urban, që iku si një letër në furtunë, tërmeti zbuloi pafuqinë e institucioneve shtetërore për t’u përballur me fatkeqësi natyrore. Pa i zbardhur dita e 26 nëntorit në Durrës shkoi kryeministri Edi Rama, me 12 bodigardë nga pas, teksa shihte një pirg me rrënojat e pallatit që mbanin poshtë tyre jetë njerëzish, por asnjë grup shpëtimi. Gardistë e policë roje kishte plot, por zjarrfikës dhe të specializuar për raste tërmetesh kishte fare pak. Në këtë situatë e garantuar është se çdo ditë do ketë të paktën një dalje me shumë se gjysmëore të kryeministrit në ndonjë familje të prekur, me batuta “qebaptoresh” mekryebashkiakun e Tiranës të tipit: “e leve s’e leve shkallën”- “e hëngre s’e hëngre gjelin”- “e pive s’e pive lëngun”…! Në fundin e një viti të trishtë kryeministri Rama ndërmori edhe dy nisma që synojnë kontrollin dhe shantazhin shtetëror mbi mediat dhe pragprishjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, me nismën e “Shengenit Ballkanik”. Gënjeshtare media, por gënjeshtare edhe politika kosovare. 2019-ta nuk është fundi i një makthi, pasi edhe 2020-ta pritet të jetë vijimi i një marrëzie të një vendi me ekonomi të dobët, pasiguri, mungesë drejtësie, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, arrogancë shtetërore dhe autoritarizëm të theksuar.
Ilir Kalemaj, analist politik: Nuk kemi shtet të së drejtës, krimi i organizuar kërcënon me kapjen e shtetit
Viti 2019 në rrafshin politik u shoqërua nga një numër i madh zhvillimesh si djegia e mandateve të deputetëve nga opozita, zhvillimi i zgjedhjeve lokale njëpartiake (votimeve) të 30 qershorit dhe refuzimi për hapjen e negociatave me BE-në. Si do e konsideroni këtë vit jo vetëm mbi konfliktin e ashpër por edhe pasojave për vendin. A janë vënë në rrezik parimet themelore të demokracisë?
Mund të themi që nga disa këndvështrime, 2019 ka qenë një vit sfidues dhe i vështirë për demokracinë ende të papjekur shqiptare. Antagonizmi i ashpër politik, zgjedhjet e njëanshme lokale që kanë prodhuar një pushtet njëngjyrësh nga qendra në bazë, refuzimi për herë të dytë nga Këshilli i Ministrave Europian për hapjen e negociatave si dhe 9 kushtet e Bundestagut gjerman që rrinë si shpata e Damokleut mbi vullnetin e dobët politik të prijësve shqiptarë, janë të gjitha lajme aspak të mira për pasojat që sjellin mbi vendin. Shqipëria është një vend ku historikisht është mbajtur vetëm një referendum, vend pa traditë të konsoliduar të institucioneve demokratike dhe pa kulturë politike, me një tranzicion të gjatë dhe të pambarimtë, me kulturë sistemike dhe endemike korrupsioni dhe ku kontrolli dhe balanca mes pushteteve nuk ekziston. Nuk kemi ende një shtet të mirëfilltë të së drejtës dhe krimi i organizuar kërcënon ditën për diell me kapje shteti. Një vend ku produkte kriminale pastrohen ditën për diell në sektorë të tillë si imobiliaret dhe ku gati gjysmë milionë banorë kanë ikur nga sytë këmbët vetëm përgjatë dekadës së fundit.
Shqipëria pati probleme si me rënien ekonomike përgjatë vitit 2019, ashtu edhe me braktisjen e vendit nga shumë qytetarë. Përse kjo situatë?
Shtimi i fluksit të emigrantëve ekonomikë që ikin nga një Shqipëri përherë dhe më e pasigurt është tashmë një fakt evident që faktohet lehtësisht nga të dhënat e euro-barometrit dhe qeverive të ndryshme europiane që prej kohësh kanë dhënë alarmin për aplikantët shqiptarë. Këta të fundit aplikojnë për azil politik por realisht janë azilantë ekonomikë. Ikin nga Shqipëria apo braktisin thuajse gjithë qytetet dhe fshatrat nëpër Shqipëri për të ardhur në Tiranë në kërkim të një pune me anë të së cilës do të siguronin disi dinjitetin njerëzor, por shpresa është ajo çka realisht mungon. Kjo vihet re në një përqindje gjithnjë dhe më të madhe të shtresës së mesme që po largohet nga vendi, të cilët kërkojnë më të mirën për fëmijët e tyre, por dhe një sistem të përballueshëm shëndetësor edhe një jetë me më pak strese në një ambient që nuk i shëmbëllen gjithnjë e më tepër një xhungle urbane sikundër është kthyer së fundmi Tirana.
Aktualisht vendi po kalon një krizë të rëndë për shkak edhe të pasojave të tërmetit tragjik të 26 nëntorit. A do ketë pasoja kjo situatë edhe në zhvillimet politike në vend, do rritet pakënaqësia për qeverinë, apo mendoni se gjendjen e krijuar po e menaxhon mirë?
Vendi po kalon një gjendje aspak pozitive nga goditja befasuese dhe tragjike e tërmetit të 26 nëntorit. Tërmeti nxori cullak një pjesë të mirë të problematikës që ka shoqëruar rrumpallanën e demo-anarkisë shqiptare në këta 28 vjet. Nga lejet e ndërtimit të dhëna kuturu dhe pa certifikimet e duhura falë sekserëve të palodhur dhe politikanëve të korruptuar deri te fondet e munguara të emergjencës, mungesa e koordinimit dhe mbulimi me propagandë të lirë të cilat nuk ndihmojnë jo vetëm zgjidhjen e problemit por as në paqtimin e miletit.
Çfarë parashikoni për vitin e ardhshëm, ku opozita këmbëngul për zgjedhje të parakohshme Parlamentare dhe lokale bashkë, ndërsa mazhoranca duket e vendosur për të mos lëshuar në këtë drejtim. Po faktori ndërkombëtar a do të ketë qasje tjetër ndaj qeverisë dhe klasës politike në vend, a do shtohet presioni për zgjidhjen e krizës? Kujtojmë që Bundestagu gjerman ka caktuar nëntë kushte që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë negociatat me BE-në.
Është kthyer tashmë në domosdoshmëri nevoja për zgjedhje të reja lokale dhe pas tyre në një kohë sa më të mundshme të afërt edhe të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Në optikën time, opozita rrezikon nëse kërkon zhvillimin e njëkohshëm të zgjedhjeve lokale dhe kombëtare të cilat për shumë arsye, të tilla si infrastrukturore, logjistikë, administrativë dhe politikë, favorizojnë dukshëm mazhorancën. Ndërkohë dhe risitë e kodit të ri zgjedhor në rast dakordësie të reformës së re dhe të shumëpritur, nga ato politikë, territorialë si dhe ato teknikë si numërimi apo votimi elektronik mund të pilotoheshin me mjaft sukses në zgjedhjet e përsëritura lokale përgjatë pranverës së 2020 dhe mandej në vjeshtë të 2020 të kishim dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Një qeveri teknike, e drejtuar nga akademikë dhe teknokratë mund të ishte zgjidhja e duhur dhe adekuate përgjatë kësaj kohe, që do të paqtonte gjakrat, jepte garanci dhe mundësonte një konsensus të ri politik mbi rregullat e lojës. Ndryshe do të ishte e pafalshme, jo logjike dhe amorale nëse humbitnim edhe njëherë hapjen e negociatave në mars të vitit që vjen, pësonim një recesion ekonomik të cytur nga papërgjegjshmëria qeveritare dhe ulja e investimeve direkte, dhe ngecnim në spiralen e pafund të konfliktit politik që po deprimon njerëzit dhe po zbraz Shqipërinë.
Fitim Zekthi, pedagog i shkencave politike: Viti më i rëndë, kryeministri Rama eci përpara me instalimin e autokracisë
Viti 2019 në rrafshin politik u shoqërua nga një numër i madh zhvillimesh si djegia e mandateve të deputetëve nga opozita, zhvillimi i zgjedhjeve lokale njëpartiake (votimeve) të 30 qershorit dhe refuzimi për hapjen e negociatave me BE-në. Si do e konsideroni këtë vit jo vetëm mbi konfliktin e ashpër por edhe pasojave për vendin. A janë vënë në rrezik parimet themelore të demokracisë?
Ky ka qenë ndoshta një nga vitet më të këqija në këto 29 vite pluralizëm me përjashtim vetëm të vitit 1997. Këtë vit, Shqipëria u përfshi nga një krizë organike e cila preku në mënyrë të njëtrajtshme të gjithë jetën politike dhe sociale të vendit. Kjo krizë kishte kohë që rritej, ushqehej dhe këtë vit u bë shpërthyese. Shumica qeverisëse e kryeministrit Rama pas shkatërrimit të zgjedhjeve në vitin 2017, duke i blerë ato në një mënyrë kirurgjikale, duke përdorur burime të të mirave publike dhe para të krimit të organizuar, siç u dëshmua edhe nga përgjimet e gazetës “Bild”, nisi të jetësojë ambicien e saj që është kontrolli i plotë i pushteteve, nënshtrimi i shqiptarëve, sundimi i vendit duke e kthyer praktikisht atë në një autokraci. Kështu kryeministri Rama eci përpara me instalimin e kësaj autokracie, duke zhvilluar zgjedhje të njëanshme, me pjesëmarrje të papërfillshme të njerëzve në to, zgjeroi në mënyrë të pamendueshme mazhorancën e tij në parlament nga 73 mandate (mes të cilave mjaft ishin blerë) në 128 mandate, duke futur në Parlament njerëz që vinin nga listat e dorës së fundit të opozitës, njerëz pa integritet dhe pa vetëdije politike. Mjerimit në ekonomi, korrupsionit, klientelizmit, fuqisë së krimit dhe trafikut të drogës iu shtuan (në mënyrë të natyrshme) edhe degjenerime të tilla të sistemit si zgjedhjet lokale pa opozitën dhe kontrolli i gjithë parlamentit. Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për demokraci apo parime të funksionimit të saj, por është në diskutim vetë pluralizmi, është në diskutim gjithçka e fituar në 29 vite. Ka mbetur vetëm diçka e pashkatërruar në institucionet politike të vendit, ka mbetur vetëm një entitet politik që është përballë kësaj gjendjeje dhe kjo është opozita. Ajo sigurisht që është e sulmuar, e anatemuar, e kërcënuar por është aty, është një lloj barrikade pas së cilës gjatë vitit u rreshtuan njerëz me shumicë për të mos lejuar këtë degradim të vendit. E sigurt që gjendja e rëndë do të vazhdojë, por e sigurt është që opozita do ta bëjë edhe më të qëndrueshme barrikadën pas së cilës numri i njerëzve do të vijë duke u shtuar. Kjo dikotomi barrikadë-autokraci, do të bëhet më e thekshme dhe dinamika e saj do të sjellë dendësim të barrikadës dhe dobësim të autokracisë. Ky dobësim do të shoqërohet me degjenerim edhe më shumë të qeverisë, me përkeqësim të saj. Nuk ka rrugë tjetër por ky është një çmim që do të paguhet nga njerëzit të cilët për fat të keq u zunë në kurth nga Partia Socialiste pak a shumë siç bëri ajo komuniste në vitin 1944.
Shqipëria pati probleme si me rënien ekonomike përgjatë vitit 2019, ashtu edhe me braktisjen e vendit nga shumë qytetarë. Përse kjo situatë?
Ekonomia shqiptare me thënë të drejtën nisi të hyjë në vështirësi që nga viti 2010, kur efektet e krizës financiare botërore të vitit 2008 filluan të japin efekt. Kështu, rritja ekonomike që shkoi në 8% në vitin 2007, ra në 2%. Partia Socialiste dhe kryeministri Rama në vitin 2013 kur morën pushtetin ndryshuan shumë gjëra në politikat ekonomike dhe në klimën e biznesit. Ata thelluan klientelizmin, dhanë koncesione duke rritur borxhin, futën taksën progresive që dekurajoi profesionistët e talentuar dhe ata që punonin shumë, ndërpreu investimet në rrugë dhe projekte të tjera në infrastrukturë, investoi në zbukurimet e qyteteve etj. Paralel me të, u forcua mbjellja e hashashit, trafiku i drogës, u hapën edhe laboratorë kokaine. Pra, degradimi i zbatimit të ligjit u bë dramatik, paraja kriminale u rrit duke shkatërruar çdo fondament të ekonomisë ndërkohë që politikat ekonomike ishin jo stimuluese. Në fakt, kështu do të ndodhte, sepse një qeverisje që kërkon të uzurpojë pushtet, që synon të bëhet autokratike duke bashkëndarë pushtet dhe vendimmarrjen politike me krimin në këtë drejtim do të ecë. E thashë edhe më lart kjo është një krizë organike, e gjithanshme, ka prekur njëlloj të gjithë sektorët dhe të gjithë jetën e vendit. Kjo krizë organike shoqërohet gjithnjë me depresion dhe humbje të shpresës. Atëherë kush mundet përpiqet të largohet. Kjo ka ndodhur dhe do të vazhdojë derisa të arrihet ajo pika kur barrikada dhe njerëzit në të marrin përpara qeverinë e cila do të degjenerojë edhe nga brenda.
Aktualisht vendi po kalon një krizë të rëndë për shkak edhe të pasojave të tërmetit tragjik të 26 nëntorit. A do ketë pasoja kjo situatë edhe në zhvillimet politike në vend, do rritet pakënaqësia për qeverinë, apo mendoni se gjendjen e krijuar po e menaxhon mirë?
Tërmeti shkaktoi pasojë të rënda dhe për fat të keq këto pasoja do të vijojnë gjatë. Kryeministri, i cili në kushtet e një qeverisjeje të dështuar dhe të një krize organike ka ndërtuar një Shqipëri plotësisht të paaftë për të përballur gjendje si kjo, për ditë me radhë qëndroi në televizione në një angazhim ekstrem propagande, për t’u shfaqur si një njeri i dhimbsur dhe që punon në mënyrë që të shpërthente dështimi dhe mungesa e plotë e papërgatitjes. Mirëpo kjo nuk mund të fshihet gjatë. Propaganda ka një kufi dhe më pas ajo nuk bën më punë. Njerëzit e prekur nga tërmeti janë në mes të hallit dhe ata do ta shkarkojnë dëshpërimin e lënies në mes të hallit tek ai që administron paratë publike dhe ka detyrën të kujdeset për njerëzit. Shumë shpejt qeveria do të përballet me këtë reagim të dëshpëruar. Kryeministri menaxhoi mirë vetëm veten e tij në televizor dhe asgjë më shumë.
Çfarë parashikoni për vitin e ardhshëm, ku opozita këmbëngul për zgjedhje të parakohshme Parlamentare dhe lokale bashkë, ndërsa mazhoranca duket e vendosur për të mos lëshuar në këtë drejtim. Po faktori ndërkombëtar a do të ketë qasje tjetër ndaj qeverisë dhe klasës politike në vend, a do shtohet presioni për zgjidhjen e krizës? Kujtojmë që Bundestagu gjerman ka caktuar nëntë kushte që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë negociatat me BE-në.
Kryeministri Rama dhe kjo qeveri vazhdojnë për inerci, nuk kanë narrativë, nuk ngjallin optimizëm, nuk kanë burime, vendi është në krizë organike. Nuk gjendet ndonjë ilaç çudibërës për ta ngjallur më këtë qeveri. Rama po përpiqet të ngrihet duke shpresuar se mund të flitet sikur ai nuk ka qenë prej shtatë vitesh në pushtet, por është e kotë. Rama tashmë është si ai i dëshpëruari që ndonëse gjendet në gropë, vazhdon të gërmojë por kjo e zhyt më thellë. Opozita e ka mposhtur atë sepse ajo e deligjitimoi atë dhe bëri të mundur t’i rrëzojë propagandën duke e zbuluar Ramën dhe qeverinë para shqiptarëve dhe para botës. Ndërkombëtarët, sigurisht me shumë takt, e kanë hedhur duke i vënë kushte që ai kurrë nuk mund t’i plotësojë. Kështuqë është vetëm çështje muajsh, pra çështje kohe.