Dikur

Fuqitë e Balli Kombëtar versus Xhandarmëria shqiptare






               Publikuar në : 09:30 - 15/07/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


Disa veprime në terren të strukturave të organizatës së Ballit Kombëtar, që nga autoritetet shtetërore të kohës konsideroheshin të papërshtatshme, sollën dhe reagimin zyrtar të strukturave të Shtetit Shqiptar. Në komunikimet zyrtare janë dokumentuar ngjarje dhe fakte të rëndësishme që hedhin dritë mbi realitetet e përjetuara në periudhën e pushtimit gjerman të Shqipërisë. Kjo temë do të jetë objekt i këtij punimi që do të publikohet në vijim për lexuesin e gazetës “Mapo”.

Nisur nga zhvillimet në terren, që më 1 janar 1944, ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, njofton zyrtarisht Komitetin Qendror të Ballit Kombëtar se Ministrisë së Punëve të Brendshme përditë i shfaqeshin ankime se reparte të ndryshme të Organizatës së Ballit Kombëtar, si në qendër ashtu edhe në krahina, kërkonin dhe mblidhnin ndihma kolosale për mbajtjen e organizatës. Midis këtyre kërkesave, rezultonte se ndonjë prej organizatave të Ballit Kombëtar kishin marrë guximin t’i drejtonin edhe ndonjë nëpunësi të naltë të shtetit letër kërcënuese duke i kërkuar shuma të hollash për Ballin, që nuk premtonte gjendja financiare e nëpunësit të çdo kategorie. Në letrat kërcënuese theksohej se, në rast se nuk dorëzohej shuma e kërkuar brenda dhjetë ditëve nga data e letrës (afati skadonte më 2 janar), personi që i drejtohej letra “hiqte përgjegjësinë për çka do ngjante mbi jetën e tij”.

Në vijim të shkresës, ministri Deva thekson se “me ligjet e shtetit e pa lejen e këtij, askush nuk ka të drejtë të mbledhë ndihma e ca më tepër, kur këto kërkohen me kërcënime, marrin formën e një vepre shumë të keqe. Në këtë mënyrë shteti nuk mund të tolerojë që populli të jetojë nën një impresion të tillë”.

Ministri Deva sqaron forumin drejtues të Ballit Kombëtar se “për nevojat e këtyne fuqive do të mejtojë shteti”, por kërkonte që strukturat e Ballit Kombëtar “të koordinohen në shërbime të përbashkëta me strukturat e shtetit”. Kjo ftesë për bashkëpunim vinte pasi ishin evidentuar raste kur strukturat e Ballit Kombëtar kishin vepruar në disa vise jo duke i forcuar dhe ndihmuar organet qeveritare lokale, por i kishin larguar nga detyra.

Në përfundim, ministri Deva kërkonte që t’u jepen urdhëra kategorike organizatave të Ballit Kombëtar që “t’u shmangeshin në çdo mënyrë këtyne veprimeve”.

Po atë ditë, ministri Deva do njoftonte edhe Këshillin e Naltë dhe Kryesinë e Këshillit të Ministrave për problemet e konstatuara.

Pas informacioneve të marra nga struktura vartëse, më 22 shkurt 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informon Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme për një sërë sjelljesh jo korrekte të strukturave të Ballit Kombëtar në disa zona. Sipas këtyre informacioneve:

Në rrugën Shijak – Durrës, katër persona, duke qenë të armatosur dhe me shenjat e Ballit Kombëtar, kishin plaçkitë disa tregtarë duke marrë një shumë të hollash. Të katër personat e mësipërm, të gjithë nga Kurveleshi, më vonë ishin arrestuar prej Ballit Kombëtar të Shijakut.

Në Shijak, fuqia balliste bënte kontrolle shtëpijash, konfiskime dhe tërheqje të çdo materiali, pa dijeninë dhe pa kërkuar bashkëpunimin e xhandarmërisë. Për këtë nga autoritetet lokale kërkohej qëndrimi që duhej të mbante xhandarmëria ndër raste të tilla.

Në Librazhd, Isak Alla, komandanti i fuqive të Ballit atje, me pesë vetë të tjerë kishin plagosur një person nga Zerqani duke i plaçkitur të gjitha sendet që kishte ngarkuar në dy kuaj. Po në Librazhd, fuqia e Ballit kishte zbuar patrullën e xhandarmërisë dhe kryente vetë kontrollimet e makinave që kalonin për Korçë. Ndërkohë, Qarkkomanda e Elbasanit shton se “Isak Alla, komandanti i fuqive të Ballit Kombëtar në Librazhd, njihej si person plaçkitës”.

Në Peqin, fuqitë e Ballit Kombëtar kishin ndaluar një kamion të ngarkuar me krypë me të gjitha dokumentet në rregull dhe i shoqëruar prej xhandarmërisë. Po ky veprim ishte përsëritur edhe njëherë tjetër. Organizata e Ballit Kombëtar në Peqin i kishte veshur vetes të gjitha atributet dhe kompetencat e autoriteteve qeveritare, kështu që autoriteteve legale të shtetit nuk u mbetej kurgjë për të ushtruar detyrën e tyre.

Në Korçë, Haki Blloshmi, komandant i një çeta balliste, në një fshat të atij qyteti kishte marrë dy mushka që kushtonin afërsisht një mijë franga.

Pothuajse të gjitha postblloqet e qyteteve të ndryshme, fuqitë balliste nuk ia lironin xhandarmërisë dhe çdo arrestim politik kërkonin ta kryenin ata vetë.

Siç shihet, fuqitë e Ballit Kombëtar i ndërhynin xhandarmërisë dhe nuk e lejonin të bënte asnjë veprim në lidhje me misionin e vet.

Si këto, kishin ndodhur edhe ngjarje të tjera që nuk ishin raportuar, por që ishin konstatuar personalisht prej titullarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në shoqërim me Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema.

Në përfundim, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë propozonte dhe lutej që “të intervenohej ku duhet në mënyrë që fuqia e Ballit Kombëtar të hiqet nga mesi tue u vu në dispozicion të fuqive qeveritare”.

Edhe në komunikimin zyrtar të datës 21 prill 1944, të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë me Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, evidentohet se, me qëllim furnizimin dhe mbajtjen e fuqive operative që vepronin kundër çetave komuniste, në raste të ndryshme Partia e Ballit Kombëtar në të gjitha vendet mblidhte ndihma në përpjestim të gjerë.

Në shkresën e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë theksohet se “edhe sikur të supozojmë se ndihmat mblidhen për qëllimet e mësipërme, populli e gjykon punën shkurt se mâ të shumtat e ndihmave përvetësohen nga eksponentët e Ballit”. Këtë bindje e forconte më tepër reaksioni propagandistik i krahut komunist. Kështu që eksponentët e Ballit njolloseshin me lloj-lloj komentesh, por nga ana tjetër vlerësohej se cenohej dhe prestigji shtetëror, pse duke mos ekzistuar dispozita legale për të tilla ndihma, e aq më tepër kur Partia e Ballit nuk ishte e njohur zyrtarisht, populli e konsideronte veprimin të paligjshëm dhe tolerancë ose dobësi të qeverisë.

Ndërkohë. ndërhyrja e xhandarmërisë, siç kishte ndodhur në disa raste, jepte përshtypje të mirë karshi popullit, por nga ana tjetër organizata e Ballit bëhej “inaktive me pretekstin se nuk mund të mbajnë fuqinë disponibël pa të holla”.

Duke evidentuar se ndihmat nuk mund të thuhej aspak se “jepeshin spontanisht, sidomos për shumicën, por nga frika dhe kërcënimi”, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë mendonte dhe lutej të merrej në studim çështja nga autoritetet e larta dhe të gjendej një zgjidhje, “duke i legalizue këto ndihma të paktën në formën e huas së brendshme për nevoja Kombëtare”.

Nisur nga gjendja e krijuar, më 26 prill 1944, Kryesia e Këshillit të Ministrave kërkonte nga autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Financave që për faktet e ndodhura të jepeshin hollësi rreth kohës, vendit ku ishte bërë ngjarja, emrin e mbiemrin e atyre që e kishin bërë dhe rrethanat përkatëse, me një fjalë të jepeshin të gjithë elementët që mund të vlenin për sqarimin dhe hetimin e çështjeve. Përgjigjet e ministrive priteshin sa më parë.

Në vijim të komunikimit zyrtar, më 9 maj 1944, Ministria e Punëve të Brendshme i drejtoi Kryesisë së Këshillit të Ministrave një informacion “mbi veprimet e paligjshme të Organizatës së Ballit Kombëtar” duke i paraqitur bashkëngjitur kopjet e shkresave të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe të prefekturave Elbasan e Durrës. Nga shqyrtimi i këtyre shkresave dhe 22 dëftesave për pagesa të hollash të bëra nga persona të ndryshëm, vlerësohej se “veprimet e Ballit Kombëtar kishin kaluar çdo kufi durimi, kështu dhe popullsia ishte e mërzitun e shumë prej tyne sa që përshpërisin dhe kundër Qeverisë se nuk ka fuqi t’u vijë në ndihmë”.

Kryesia e Këshillit të Ministrave kërkonte nga autoritetet përkatëse marrjen e një vendimi që “veprimeve të paligjshme të Ballit t’i jepet fund njëherë e mirë e mundësisht sa mâ parë”.

Shkelje u konstatuan edhe në format e komunikimit të brendshëm të strukturave të Ballit Kombëtar. Më 29 maj 1944, Drejtoria e Përgjithshme e Postave, Telegrafave dhe Telefonave informonte Ministrinë e Brendshme, se, sipas njoftimeve të Drejtorisë së PTT të Elbasanit, Komanda e Ballit Kombëtar po u drejtonte telegrame shifër personaliteteve e zyrave shtetërore, ashtu edhe komandave të Ballit Kombëtar në qendra të ndryshme të Shqipërisë. Meqenëse Balli Kombëtar nuk ishte organizatë shtetërore, në bazë të rregulloreve në fuqi telegramet private nuk mund të pranoheshin në gjuhë të shifruar. Prandaj Drejtoria e Përgjithshme e PTT kërkonte sqarime dhe udhëzimet e duhura mbi këtë çështje.

Në përgjigjen e datës 2 qershor 1944, të Ministrisë së Brendshme për Drejtorinë e Përgjithshme të PTT, theksohet se “ndonëse Organizata e Ballit Kombëtar nuk njihet zyrtarisht prej Shtetit, megjithëkëtë, për këto kohna të tanishme, do të cilësohet si e njoftun dhe kështu, deri sa të vazhdojë operacioni, të lejohen komandat e Fuqive Vullnetare Balliste me korespondue me shifra”.

Veprime të papëlqyshme të fuqive të Ballit Kombëtar u evidentuan edhe në Qarkun e Beratit. Më 13 gusht 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, bazuar në raportimet e Qarkkomandës së Beratit, informon Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme se fuqitë e Ballit Kombëtar në Berat vazhdonin “të mbledhin shuma të konsiderueshme të hollash nga populli, burgosin dhe vrasin ilegalisht si dhe kanë arritë deri të arrestojnë nëpunësa shteti pa marrë parasysh cilësinë e tyre”. Organet qeveritare, si administrata, xhandarmëria etj. kishin mbetur spektatorë të gjendjes, duke mos ditur se si të sillen e si të veprojnë.

Fuqitë e Ballit Kombëtar në Berat i kishin komunikuar publikut me anën e kasnecit se për çdo shitje në treg, gjithkush duhet t’i shtrohet një pagese 10% në favor të Partisë së Ballit Kombëtar, kurse për krypën që shitej merrnin 2 lek për kg.

Nga informata të veçanta që kishte Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, rezultonte se edhe në Fier (rreth në Qarkun e Beratit) veprohej po njëlloj. Përveç veprimeve të tjera, ditët e para të gushtit, jashtë Fierit, çdo person që kërkonte të hynte për pazar u kishte paguar një taksë nga 10 – 20 franga shqiptare rojeve që ishin nxjerrë nëpër rrugë nga fuqitë e Ballit. Sipas informacioneve të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, veprat ilegale të fuqive të Ballit Kombëtar kishin arritur kulmin sikurse kishte “arritur kulmin edhe dëshpërimi në popull, i cili revoltohej me pahir e padashtun duhet të urrejë organizatën [e Ballit Kombëtar], në vend që kjo e fundit për qëllimin e naltë Kombëtar duhet të përfitojë të kundërtën, d.m.th. ta bâjë popullin me veti”.

Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë sugjeronte që “në qoftë se atyne fuqive ju duhen të holla për t’u mbajtun, âsht mirë të gjindet një mënyrë që të sigurohen në rrugë legale”. Por kjo Komandë ishte e sigurtë që ato para që mblidhen, duke vazhduar çrregullimet, mund edhe të abuzohen. Organizatës së Ballit ose i shpëtonin nga kontrolli të tilla veprime, ose s’kishte autoritet t’i përmbante.

Çdo gjë ishte sjellë e sillej në dijeni të autoriteteve administrative të vendit, por, siç u përmend më sipër, këta nuk i përfillte kush.

Në qoftë se nuk ndryshonte kjo gjendje, lënja e autoriteteve qeveritare n’ato vende ishte bërë një gjë qesharake ndaj popullit dhe prandaj, sipas Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, “do të ishte mirë të largohen deri sa atyne nuk u ka mbetun besim e kredi në publik”.

Meqënëse marrëveshjet dhe këshillat për një bashkëpunim me fuqitë e Ballit Kombëtar dhe me i shmangë nga veprat ilegale kishin rezultuar të kota, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë lutej të urdhërohej “një mënyrë veprimi për t’u mbyllë kjo plagë e rrezikshme që i jep anës komuniste avantazhin mâ të madh në luftën e saj për të përmbysë gjendjen politike dhe shoqërore”.

Bashkë me informacionet e qarkkomandave vartëse, strukturave qendrore të xhandarmërisë u vinin bashkëngjitur edhe dokumente argumentuese për këto veprime të fuqive të Ballit Kombëtar në terren. Në vijim, po përshkruajmë tekstualisht një ndër tekstet e letrave që u shpërndaheshin personave që u kërkohej të kontribuonin.

“I dashur vlla shqiptar,

  1. ____________,

Komiteti Ekzekutiv për Lirinë e Atdheut, për të mbajtur në këmbë organizatën revolucionare dhe çetat vullnetare të lirisë, ju ka caktuar z. tuaj shumën prej fr.shq. 10 000 (dhjetë mijë).

Kush i shmanget kësaj thirrjeje patriotike brenda tre ditëve dhe nuk paguan shumën e caktuar në duart e njerëzve të Qarkorit Nacionalist gjykohet si tradhëtarë i Atdheut dhe dënohet si i tillë me vdekje e njëkohësisht ekzekutohet.

Rroftë Shqipëria e shqiptarëve!

Komiteti Ekzekutiv Nacionalist i Maleve

“Balli Kombëtar”

(firma e palexueshme),

6 korrik 1944”

Në vijim të komunikimeve për këtë problem, më 24 korrik 1944, Ministria e Punëve të Brendshme informonte Kryesinë e Këshillit të Ministrave për sjelljet e papëlqyeshme të disa strukturave dhe krerëve të Organizatës së Ballit Kombëtar. Në përgjigjen e tij më 27 korrik 1944, Kryeministri Fiqri Dine, pasi vlerëson se veprimet e bëra nga ana e Organizatës së Ballit Kombëtar dhe nga ana e disa krerëve të tyre nuk janë të pëlqyeshme nga ana e qeverisë, meqënëse ankimet ishin të shumta dhe nuk duhej të përsëriteshin, thekson se “për këtë Kryesia e Këshillit të Ministrave ka për të ardhur në kontakt me përfaqësuesin dhe kryetarin e kësaj organizate për të rregulluar njëherë e mirë marrëdhëniet e elementëve të Ballit Kombëtar me Qeverinë dhe me përfaqësuesit e saj në vendet e ndryshme të shtetit”.

Sipas kryeministrit Dine, është e natyrshme dhe e domosdoshme që në një vend ku është vendosur autoriteti shtetëror me të gjitha organet e saj Organizata e Ballit nuk ka pse ndërhyn dhe nuk duhet të lejohet të ndërhyjë për asnjë arsye qoftë dhe, aq më pak, ajo vetë të kryejë veprime që i takojnë organeve të sigurimit publik. Organet e sigurimit publik, të vetmet përfaqësuese të qeverisë qendrore, janë vetëm ato të cilësuara për të ruajtur rendin dhe me marrë masa kundër atyre që shkelnin ligjet e shtetit. Në asnjë rast ndonjë element tjetër i armatosur për qëllime të tjera nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e këtyre organeve. Kryeministri Dine sqaronte se këta elementë të armatosur sigurimin e rendit mund ta kenë atribut në ato rrethe ku autoriteti qeveritar ende nuk ishte instaluar, por edhe në këtë rast këta persona duhej të tregonin se vepronin sipas ligjeve dhe me të drejtë dhe jo të jepnin përshtypjen se janë elementë që tërhiqen prej pasioneve. Edhe në këtë rast këta elementë të armatosur duhej të ishin në kontakt të ngushtë me organet e sigurimit publik.

Në vijim të këtij komunikimi shkresor, kryeministri Dine urdhëron që “t’u jepet të kuptojnë organizatave të Ballit ose ndonjë organizate tjetër që bashkëpunon me qeverinë, në mënyrë njerëzore por të preme, se qeveria nuk toleron në asnjë mënyrë që prestigji i saj i përfaqësuem prej forcave të armatosura të saj, si xhandarmëri, polici e ushtri, të merret nëpër kâmbë dhe të cenohet nga njerëz të huaj. Një gjë e tillë t’u thuhet kjartësisht pjesëtarëve dhe komandave të organizatave të armatosura të ndryshme tue u shprehë edhe mjaft kjartë gjithashtu se urdhëri i qeverisë âsht që në çdo rast të respektohet dhe të bâhet që të respektohet prestigji i armës së sigurimit botuer dhe si pasojë ai i qeverisë dhe këtij respektimi mund t’i mbërrihet, në rast nevoje, edhe me forcë”.

Duke ritheksuar se qeveria për të rregulluar këtë çështje ka për t’u vu në kontakt edhe me kryetarin e Organizatës së Ballit Kombëtar në Tiranë, kryministri Dine kërkonte që t’u jepen urdhërat e rastit si përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme, “ashtu edhe përfaqësuesve të komandave të sigurimit botuer në ato rrethe që të vinë në kontakt me eksponentët lokalë të organizatës së Ballit Kombëtar dhe t’u jepet me kuptue qartësisht dhe në mënyrë të preme se sot e tutje nuk do të tolerohet mâ asnjë ndërhymje në kompetetncat e organeve të qeverisë, cilatdo qofshin këto organe”.

Dy ditë më pas, më 29 korrik 1944, Ministria e Brendshme do t’ua shpërndante këtë urdhër të kryeministrit Dine, Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe të gjitha prefekturave, për njoftim dhe veprim dhe për ta zbatuar pa vonesë, “mbasi kjo ministri ishte e mërzitur me çrregullimet e deriatëhershme dhe porosiste që me çdo kusht ta bâjnë me u ndie emni “QEVERI””.

Insistimet e organeve qeveritare patën ndikim pozitiv në përpjekjet për përmirësimin e situatës dhe minimizimin e problemeve të shfaqura. Në një shkresë (dokumenti nuk ka datë), nisur dhe nga përparësia që po krijonin në terren forcat e Frontit Nacionalçlrimtar, rezulton se Arma e Xhandarmërisë kishte organizuar Fuqitë e Armatosura Kombëtare. Nga Shkodra, Mark Gjomarkaj, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Fuqive të Armatosura Kombëtare, u drejton një shkresë zotni Ismail Golemi, komandant i batalionit “Labëria”; major Llesh Gjomarkaj, komandant i batalionit “Lleshi i Zi”; major Pashuk Biba, komandant i batalionit “Bajram Curri”; major Ujk Ismaili, komandant i batalionit “Luigj Gurakuqi”; major Isa Manastirliu, komandant i Batalionit “Tomorri”; Xhelal Bushatit komandant i batalionit “Teuta”; dhe për dijeni Prefekturës së Shkodrës dhe komandave të batalioneve “Taraboshi”, “Vaso Pashë Shkodrani”, “Mirdita”, “Korabi”, “Safet Butka”, në Shkodër. Në këtë shkresë evidentohet fakti se Komanda e Përgjithshme e Fuqive të Armatosura Kombëtare kishte disponuar formimin e batalioneve të mësipërme, të cilat do të formoheshin me forca si më poshtë: Batalioni “Lleshi i Zi” me fuqi nga Mirdita; batalioni “Labëria” me fuqi të qarkut të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës dhe çamë që kishin mbërritur në këtë qytet; batalioni “Bajram Curri” me fuqi të rajonit të Pukës; batalioni “Tomorri” me fuqi të Shqipërisë së Mesme (Durrësit, Elbasanit dhe Tiranës); batalioni “Teuta” me fuqi të qarkut të Shkodrës.

Komandanti i batalionit “Teuta”, Z. Xhelal Bushati, ishte njëkohësisht edhe nënkomandant i Përgjithshëm, kurse batalioni i I-rë i Xhandarmërisë, mbas këtij momenti do merrte emrin “Vaso Pashë Shkodrani”.

Gjithashtu, komandanti Gjomarkaj porosiste komandantët e batalioneve të kujdeseshin sa më parë për mbledhjen dhe disiplinimin e fuqisë, përgatitjen e listave emrore të oficerëve, nënoficerëve dhe trupës dhe të paraqiteshin në Komandën e Përgjithshme brenda datës 16 të muajit. Personat e inkuadruar në Fuqinë e Armatosur Kombëtare që mbanin roje personale, duhej që këto roje t’i regjistronin në batalionin që i përkisnin, për efekt ushqimi, rroge e displine. Mbas daljes së këtij urdhëri, asnjë fuqi tjetër nuk do të njihej nga kjo Komandë për çfarëdo të drejte dhe do të zbatohej urdhëresa nr. 6.


Etiketa: , , , ,

Pas