Nga Ervis Iljazaj
Edi Rama ka zhvilluar dje një takim me elektoratin për të zgjeruar anëtarësimet në Partinë Socialiste. Është e qartë tashmë se, sa herë që afrojnë zgjedhjet, partitë politike ndezin motorët e fushatës, duke e kthyer vëmendjen nga anëtarësia.
Edhe pse zgjedhjet lokale janë relativisht larg, ajo që ndodhi dje në takimin e Ramës, nuk ishte gjë tjetër veçse nisja e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Madje, në atë takim u shfaq edhe slogani që me shumë mundësi do të ketë Partia Socialiste në zgjedhjet lokale: “E gjithë vëmendja për ju”.
Deri këtu nuk ka asnjë gjë të çuditshme, po të mos ishte për faktin se, Rama dhe qeveria e tij, fushatën zgjedhore nuk e zhvillojnë në momentin e saj, por, gjatë gjithë kohës. Ose, ajo që quhet ndryshe fushatë permanente.
Në këtë kuptim, qeveria është gjatë gjithë kohës në fushatë zgjedhore, e cila sjell si pasojë qeverisjen me hope. Sepse, në epokën e komunikimit ku jetojmë sot, më e rëndësishme për një qeveri është bërë komunikimi se sa qeverisja.
Në fakt, ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por, është një fenomen që ndodh edhe përtej në vendet e tjera. Mirëpo, fushata permanente, është kthyer në një nga arsyet e keqqeverisjes, dhe është bërë shqetësim nga të gjithë ata që kanë përzemër ruajtjen e sistemit demokratik.
Overdoza e komunikimit nga ana e një qeverie, ashtu sikurse Giovanni Sartori e theksonte, është kthyer në një nga armiqtë më të mëdhenj të demokracisë.
Në këtë kuptim, arsyeja që shtyn një qeveri të zhvillojë takime të tilla që duken të sforcuara, është inercia e një pushteti që nuk jep përgjigje për çështjet themelore që shqetësojnë qytetarët, dhe këtë mangësi e transferon te forca që vjen nga populli.
Megjithatë, këto takime tregojnë edhe dy gjendje të momentit ku ndodhet qeveria.
E para është fushata permanente e Edi Ramës. Nuk ka rëndësi nëse jemi në moment zgjedhjesh apo në moment qeverisje, e rëndësishme është zhvillimi i fushatës konstante. Është e njohur nga të gjithë që Edi Rama, armën më të fortë tij ka komunikimin me publikun. Në këtë kuptim, sa herë që sebepet e komunikimit mbarojnë, kthehet te bashkëbisedimi me popullin. Por, komunikimi, edhe pse është pjesë shumë e rëndësishme e politikës së sotme, ka një vlerë të caktuar efikasiteti. Është një armë që përtej një pike dhe limiti nuk ka asnjë vlerë. Sepse herët apo vonë duhet të bësh llogaritë me realitetin.
E dyta, janë ngecja e reformave të vërteta që i duhen vendit. Në mandatin e tij të parë, Edi Rama ndërmori disa reforma të rëndësishme, të cilat, për hir të së vërtetës ishin edhe me kosto elektorale për qeverinë, por, që ishin të domosdoshme për vendin. Mjafton këtu të përmendim reformën e energjisë, të arsimit etj. Mandati i parë i Ramës u shënjua nga iniciativa të rëndësishme reformuese, por në mandatin e dytë, qeveria e ka filluar me një filozofi totalisht të kundërt. Nga reformat ka kaluar të bashkëbisedimin me popullin. Pra, qeverisja ka pësuar një metamorfozë, nga reformuese në populiste, gjë që nuk shkon aspak në favor të shoqërisë, por vetëm të pushtetit.
Për të gjitha këto arsye, qeveria duhet të ndryshojë totalisht filozofi për interesin publik, madje edhe për vetë interesin e saj elektoral. Ajo që i duhet vendit dhe qeverisë vetë është: qeverisje e përhershme dhe fushatë me hope.
Askujt nuk i pëlqen fjala as komunikimi që nuk është vepër. Vetëm vdekja barazohet me me çdo gjë që i themi kjo është “tepër.” Ne e dimë se tek ne mungon drejtësia, mungojnë edhe institucionet e saj kryesore. Atëherë, shteti është një tufë hajdutësh dhe kriminelësh, pat thënë dikur e në një kohë Sh. Agostini. Kjo shprehje është shumë aktuale për ne sot dhe i shkon tamam për shtat gjendjes aktuale ku ndodhemi. Fushatë me tepri , por qeverisja nuk ekziston fare.