Një polic është plagosur me thikë këtë mbrëmje në Fushë-Arrëz. Burimë bëjnë me dije se gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në qendrën e votimit nr. 0399, 32-vjeçari Mikel Lleshaj, ka sulmuar me thikë efektivin e policisë Gëzim Osmanaj.
Motivet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e Mikel Lleshajt, 32 vjeç.
Efektivi i plagosur është dërguar në spitalin e Pukës për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë
Më datë 25.04.2021, rreth orës 19:00, gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në QV nr. 0399, është plagosur me mjet preres (thikë), punonjësi i Policisë G. O., i cili po dërgohet për mjekim në spitalin e Pukës.
Nga veprimet e para hetimore është bërë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasi M. Ll., 32 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Pukë dhe po punohet për kapjen e tij.
Në vendngjarje, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë , po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.