Edi Rama ka 23 vite në politikë, nga të cilat, 2 vjet ministër kulture, 11 vjet kryetar bashkie dhe 8 vjet kryeministër. Megjithatë ai është në kërkim të një 4-vjeçari tjetër, po në karrigen e kreut të qeverisë.
Rama vijon të këmbëngulë se politika s’ka qenë kurrë ambicia e tij, se s’ka dashur kurrë të bëhet rob i një zyre pushteti. Futja e tij në politikë me të vërtetë ndodhi çuditshëm pas një ftese që Fatos Nano, kryeministri i asaj kohe, për t’u bërë ministër i Kulturës. Bëhet fjalë për vitin 1998 kur Partia Socialiste sapo kishte ardhur në pushtet.
Por, mënyra se si dhe çfarë bisedash janë bërë mes tij dhe Nanos kanë mbetur gjithmonë enigmë, pasi janë dhënë versione të ndryshme nga të dyja palët.
Rama mbron tezën se Nano ka këmbëngulur fort për ta bërë ministër dhe ai e ka refuzuar disa herë, ndërsa mbrëmë në darkë në rrëfimin e ish-kryeministrit për gazetarin Blendi Fevziu doli një detaj i ri, sipas të cilit, Rama i ka shkuar në zyrë dhe i ka bërë të ditur se do të bëhet ministër.
Madje, Nano duket se ka qenë i papërgatitur për këtë dhe pranon se ka anuluar vendimin që kishte marrë ndërkohë për Luan Ramën. Për futjen e tij në politikë, Nano thotë se nuk është penduar, edhe pse ka pasur një periudhë kur me përçmim shprehej se “e gjeti me thonj të paprerë në Paris dhe e mori e bëri ministër”.
Rama në versionin e tij kujdeset të mos përmendë Parisin dhe thotë se kur i vajti në zyrë e kishte pranuar më parë ofertën për t’u bërë ministër. Rama dhe Nano kanë të saktë vetëm ditën kur kjo ka ndodhur; ka qenë pikërisht dita kur Rama sapo kishte varrosur të atin, Kristaq Rama, dhe menjëherë pas funeralit është firmosur pakti i tyre, një pakt që sipas Ramës e futi “pa dëshirën” e tij në politikë, ku është akoma pas 23 vitesh.
Mapo sjell dy versionet e rrëfimeve të tyre dhënë në një hark kohor prej pak javësh për gazetarin Blendi Fevziu. Rama të krijon përshtypjen se Nano i është lutur gjatë për të pranuar pozicionin e ministrit të Kulturës, ndërsa në versionin e Nanos del se Rama i ka vajtur në zyrë me idenë e qartë dhe i bindur për t’i kërkuar të bëhet ministër. Ai thotë se nuk ia ka përsëritur ftesën që i kishte bërë më parë, pasi Rama erdhi direkt në zyrën e tij. “Erdhi për koincidencë kur unë po mbyllja ndryshimet në qeveri, në prill të vitit 1998. Për koincidencë sapo kisha nxjerrë nga zyra Luan Ramën që do e emëroja ministër Kulture”– pranon Nano.
Versioni i Fatos Nanos:
Nano: Atëherë (viti 1998) e ftova, kaluam një natë të gjatë duke bredhur rrugëve të Parisit, se u mbyllën lokalet. Ai ishte i shoqëruar me partneren e tij, dhe njëlloj siç thamë për Pashkon, ajo i thoshte “dëgjoje, ka të drejtë”. Unë e ftoja dhe ai hezitonte. Arsyeja ishte njerëzore. Unë kisha nevojë për një rebel në rrethin politik të socialistëve. Një njeri me ide novatore dhe të provokonte mendimin e ndenjur të trashëguar. Isha i sinqertë në këtë ftesë.
Fevziu: Po ai pse hezitonte?
Nano: Ai hezitonte se nuk ishte shkëputur nga jeta e emigracionit, nga projektet artistike, nga shoqëria që kishte krijuar. Nuk ishte gati të shkëputej dhe kishte frikë nga politika pasi ishte zhgënjyer njëherë që nga themelimi i PD-së. Pra, nuk formulonte argumente kundër, por dukej nuk kishte dëshirë që të merrej me politikë. Si duket vdekja e Kristaqit bëri një kapërcim në arsyetimin e tij.
Fevziu: Ju ia përsëritët sërish ftesën?
Nano: Jo, erdhi direkt në zyrën time. Erdhi pasi ishte varrosur Kristaqi, atë ditë apo të nesërmen. Dhe erdhi për koincidencë kur unë po mbyllja ndryshimet në qeveri, në prill të vitit 1998. Për koincidencë sapo kisha nxjerrë nga zyra Luan Ramën që do e emëroja ministër Kulture.
Fevziu: Pra kishit larguar Arta Daden dhe kishit emëruar Luan Ramën ministër të Kulturës?
Nano: Ekzakt!
Fevziu: Dhe në këtë kohë hyri Edi Rama…
Nano: Doli një Ramë dhe hyri një Ramë. Rama që doli dhe unë që isha brenda nuk e dinim çfarë interesi kishte Rama që hyri, por ai tha që jam gati të bëhem ministër Kulture.
Fevziu: Ju kthyet dhe njëherë Ramën e parë dhe i thatë që…
Nano: Lajmërova sekretaren “kape Luanin, mos e lër të ikë”. E takova në paradhomë dhe i them “më lër të zbatoj një projekt më ambicioz se ky që kishim”. U ktheva brenda dhe i thash “dakord, je ministër Kulture”, dhe këtu filloi rrugëtimi i gjatë dhe ende i pandërprerë i Ramës në politikë.
Versioni i Edi Ramës:
Kam qenë kritik me të dyja palët dhe nuk kam pasur asnjëherë idenë se do të përfshihesha në politikë. U përfshiva sepse i ndjeri im atë vdiq atë ditë. Në çdo ditë tjetër po të kishte vdekur, unë s’do isha këtu sot. Im atë ndërroi jetë më 11 prill dhe koinçidoi ekzaktësisht me momentet kur Fatos Nano po bënte qeverinë e re. Unë erdha për funeralin e tim eti me biletë vajtje –ardhje.
Fatos Nanon e kisha takuar, e kam admiruar nga larg kur ishte në burg. Kam ardhur unë, Gramoz Pashko punonte me të dhe i thashë “dua ta takoj”. Natën e fitores kam qenë me Bashkim Shehun në Barcelonë dhe kam marrë në telefon Spartak Ngjelën dhe ai më tha “po të kaloj mjekrën”, dhe më kaloi Fatos Nanon në telefon. Ai më tha “kam nevojë për të gjithë, të lutem kthehu”.
Pastaj e kam takuar këtu në këtë godinë, më ka ftuar tek shtëpia, kemi ngrënë darkë. Më tha që “duhet të kthehesh, kam nevojë”. I thashë “kam jetën time, nuk kam ndërmend të merrem me politikë”. “Po hajde” – tha – “bëj ca të duash, merr ç’a të duash”. I thashë “unë do të mbështes, por nuk dua të përfshihem, pastaj kam ardhur për varrimin e tim eti, s’kam ardhur për t’u bërë ministër, as e kam dashur kurrë, s’kam dashur të hyja në një zyrë.”
Ka qenë pas funeralit që ai më ka bërë një telefon, më tha “zoti ministër i Kulturës do rrish apo do të ikësh?” Pastaj kam ardhur, e kam takuar këtu bashkë me Ardian Klosin. Erdhi Ben Blushi, ishte zëdhënës i Nanos në atë kohë, për të marrë CV dhe unë shkrujta vetëm: lindur në 4 korrik. Kisha thënë po, por akoma nuk ishte marrë vesh, aty vinin njerëz që pyesnin kush do jetë ministër i Kulturës.