fbpx

Mapo Letrare

Fyerja e Balzakut





               Publikuar në : 19:38 - 09/11/19 |
Hysen Sinani

Hysen Sinani


Nuk më kujtohet për çfarë rasti ndodheshim të bashkuar në atë mënyrë, por mbaj mend që po ecnim në sheshin “Skënderbej”, përpara Pallatit të Kulturës. Ishte muzg. Unë dhe Dritëroi kishim mbetur pak mbrapa të tjerëve dhe po ecnim pothuajse përkrahësh. Para nesh, nja dhjetë metra, ishte Sadija dhe gruaja e Alfred Uçit, ndërsa pak më përpara, Alfredi, Zija Çela, Bardhyl Londo e ndoshta edhe një tjetër që nuk më është regjistruar në kujtesë. Dritëroi, i cili po më fliste për mungesën e përshkrimit të vërtetë në letërsinë e të rinjve, sikur të qe përmendur për diçka, ndërroi bisedë e, si me shaka, më pyet:



– O Cen, ajo në të djathtë, gruaja ime është?


Të dyja gratë, njëra pak më e gjatë se tjetra, por me trup të bukur e të hedhur si të lindura nga e njëjta nënë, ishin veshur me fustane basmeje me rrip të hollë në mes.

– Po, – i them – ajo është.

– Qenka e mirë, – qeshi ai.

– Është edhe më e mirë si njeri, Dritëro, – ia ktheva. – Ke pasur fat për të!

– Po, – tha. – E mirë është.

Sakaq, ishim afruar te shtëpia e kryetarit tonë, sepse aty po shkonim, “për të pirë një kafe”, që do të na e bënte Sadija. E kishte zakon Dritëroi këtë gjë: i ftonte miqtë e tij në shtëpi për të vazhduar bisedën që mund të kishte pasur me ta, sidomos mbas ndonjë mbledhjeje apo veprimtarie tjetër.

I kishte bërë kafetë Sadija, me sheqerin sipas dëshirës të secilit, na i kishte sjellë me radhë bashkë me një gotë të vogël rakie dhe, kam përshtypjen se i kishim pirë kafetë dhe në tryezën e mesit kishin mbetur vetëm gotat e rakisë, të cilat ndonjëri i mbushte me shishen e lënë aty.

Që kur kishim hyrë, nuk kishte folur askush përveç Dritëroit, por edhe ai kishte ligjëruar vetëm mbi një temë: përshkrimi i mrekullueshëm i derës nga Balzaku. Në të vërtetë, askush nuk po e dëgjonte me vëmendje, sepse edhe vetë ai po e zvarriste në mënyrë të mundimshme shprehjen e kënaqësisë që kishte marrë nga leximi i këtij përshkrimi në origjinal. Ndoshta, të tjerët nuk po i kushtonin vëmendje edhe për shkak të mosbesimit që ai të kishte aq njohje të gjuhës frënge sa të ishte mahnitur aq shumë nga përshkrimi i hollësishëm i një dere. Ca si për shaka, ca për ta kujtuar që mund të flitej edhe për ndonjë gjë tjetër më të hareshme se përshkrimi i një dere, unë i them:

– Shiko, Dritëro! Një derë ka përshkruar Balzaku dhe atë e fut në çdo roman.

Të gjithë qeshën, sepse ishte për të qeshur dhe për të ndryshuar bisedë. Por Dritëroi u nxeh dhe u ngrit në këmbë.

– Ti, Cen, – më tha. – Ti nuk ke respekt për “babanë” tënd, e jo më të kesh për ne të tjerët!

I kishte dhënë fund në mënyrë harbute mikpritjes së tij të dashur, dhe jo vetëm për mua. Sepse, mbas meje, nga shtëpia e tij dolën edhe Bardhyli me Zijain. Më duket aty mbeti vetëm Alfred Uçi me të shoqen, për të komentuar me siguri sjelljen time “të pahijshme”.

Kur po ecnim përmes sheshit “Skënderbej”, Zijai më thotë:

– Ej, mor Cen, ne mundohemi të rregullojmë me Dritëroin, kurse ti e prish fare!

U ktheva nga ai për t’i thënë se nuk i kisha kërkuar të ndërmjetësonte askund për mua, por ai kishte ulur kokën dhe unë nuk fola.

– Unë po iki në shtëpi, – vazhdoi ai, duke e ditur që ne do të shkonim te Klubi i Lidhjes sepse ishte ende herët e mund ta pinim edhe ndonjë gotë.

Kur ai u largua, Bardhyli tha:

– Do të kthehet përsëri.

– Më duket se u tremb mos e bënte Dritëroi “bashkëfajtor”, – i thashë Bardhit. Unë nuk di t’i kem thënë të m’i rregullojë marrëdhëniet me kryetarin, sepse as nuk e dija që i kisha të prishura!…

Zijai u kthye me të vërtetë te Klubi i Lidhjes, ku ne sapo e kishim marrë nga një gotë raki, por tani unë po flisja për shkrimtarin “e ndjeshëm” që të kërcëllinte dhëmbët sapo t’i thoshe edhe me shaka se nuk kishe të njëjtin mendim me të. Këta ishin despotët e vegjël, por e lamë këtu bisedën kur erdhi Zijai dhe nuk folëm më për incidentin e çuditshëm.

***

Pak e nga pak, dy a tre episode me njerëz të ndryshëm do të më tregonin se ky “incident” me kryetarin e Lidhjes nuk ishte aq i çuditshëm sa më qe dukur mua.

Një ditë në fillim të javës, mund të ketë qenë edhe e hënë, Sabri Godo më fut krahun te oborri i Lidhjes dhe më shpie te kolltukët e sallës së madhe.

– Pimë një kafe, – më thotë.

Unë shkoj të porosis kafetë në banak dhe kur kthehem, ai më tregon:

– Dje, tërë ditën e ditës, Dritëroi të ka mbajtur në gojë. E linte bisedën për ty një copë herë, pastaj e niste përsëri…

– Vazhdonte të ishte i mërzitur për Balzakun? – e pyeta.

– Jo, – tha Sabriu, – atë nuk e përmendi fare. Por i kishte mbetur në mendje që ti i kishe thënë Vito Koçit dikur se “po të mos kishte grua Sadijen, Dritëroin do ta gjenin me siguri të dehur në ndonjë kanal”… Kjo e kishte mërzitur shumë, por nuk e kuptonte se si mund ta thoshe ti këtë kur pije vetë!…

– Jo, – thashë Sabriut, – nuk e kam thënë aspak për të nënvlerësuar Dritëroin, por për të vlerësuar lart gruan e tij që e do dhe kujdeset aq shumë për bashkëshortin e saj poet… Nuk besoj që Vitoja t’ia ketë interpretuar në mënyrë tjetër!…

– Nuk di çfarë të them, – vazhdoi Sabriu, – por ai nuk të hoqi tërë ditën nga goja, derisa, më në fund, u kujtua dhe tha: “E di përse nuk pyet ai për asnjeri? Sepse i ka mësuar të tëra vetë!” Si unë, i thashë. “Jo, ma ktheu, ti e ke kryer shkollën e mesme.” Jo, i thashë, edhe unë dy klasë gjimnaz kam bërë, ashtu si Ceni. “Epo, ju të dy nuk jeni njëlloj”, tha dhe e mbylli këtu.

***

Kësaj historie të treguar miqësisht nga Sabri Godo do t’i shtoheshin edhe plot të tjera që mua ma bënin të qartë se nga fjalët që thosha nëpër tryezat e Klubit të Lidhjes, shumë pak ishin ato që nuk shkonin në vesh të kryetarit dhe atëherë u ndjeva si i zhveshur lakuriq, krejtësisht i përgjuar. Por nuk u tremba. Ky spiunim i gjithanshëm sikur më bënte më të hapur, madje ndonjëherë edhe qëllimisht agresiv në shprehjen e mendimeve të mia për njërëzit që më rrethonin në punën e përditshme.


Etiketa: ,

Pas