Para pak kohësh, sapo mori detyrën, ministri aktual i Brendshëm bëri të ditur rezultatet e një sondazhi ku ndër të tjera njoftoi sensacionin se sipas sondazhit në fjalë, Policia Shqiptare besohet gjerësisht nga publiku i gjerë si një institucion i cili nuk vepron nën ndikimin politik të partisë qeverisëse.
Madje, gjithmonë sipas Ministrit, aq i lartë është besimi publik në depolitizimin e këtij institucioni sa që ajo lë pas edhe simotrat e saj në Francë, Britani e gjetkë. Ndërkohë, jo më larg se para disa ditëve, në vigjilje të 108-vjetorit të krijimit të policisë shqiptare, qeveria ka miratuar ndryshimin e rregullores nr. 780 të Policisë së Shtetit të cilën po vetë kishte hartuar në vitin 2015, duke i fshirë asaj nga faqja e dheut pikërisht nenet që sanksionojnë depolitizimin.
Fakti është që përgjatë gjithë viteve të qeverisjes se rilindjes, lidershipi i saj pasi ka rrafshuar ligjin e hartuar nga opozita aktuale për policinë, hartoi një tjetër të cilin gjithashtu e ka prekur pa kriter. Ajo ka ndërhyrë me lloj-lloj sajimesh e eksperimentesh duke bërë shtesa, duke deformuar parime, duke sanksionuar çudira dhe në finale për t’ju rikthyer përsëri ndryshimit të ndryshimeve të mëparshme. Me sa duket e ngopur nga ndryshimet ligjore, së fundmi lidershipi politik i institucionit, iu sul asaj që kishte mbetur, rregullores së policisë. Sigurisht është normale, por në ato pjesë ku ligji ka ndryshuar.
Neni 5 i ligjit të Policisë së Shtetit që sanksionon pikërisht parimet mbi të cilat bazohet aktiviteti i Policisë siç janë paanësia, depolitizimi, etika, trajtimi i barabartë për të gjithë, ndershmëria nuk kanë ndryshuar ndaj dhe nuk ka kuptim që nga rregullorja të fshihen nene që bëjnë të detyrueshëm për policinë zbatimin e parimeve që parashikon neni 5. Fakti mbetet i thjeshtë, nëse në ligj parashikohen parimet, në rregullore parashikohet detyrimi i zbatimit të tyre pasi ndryshe do të ndodheshim para një demagogjie që edhe regjimet më ekstremiste do ta kishin zili.
Në ndryshimet e kryera në rregullore, qeveria ka treguar kujdes tepër të veçantë për të hequr tërësisht nenin 111 (Siç bën të ditur Gazeta Mapo) i cili në përbërje të tij ka ndër të tjera pikërisht atë të depolitizmit në punën e saj. Duket tepër e vështirë, për të mos thënë se do të ishte verbëri klinike nëse besohet fakti që policia aktuale është perfeksionuar kaq shumë në ushtrimin e detyrës së saj me paanësi, saqë nuk ka më nevojë që në rregulloren e cila i normon aktivitetin të parashikohet që “punonjësi i policisë zbaton detyrat me profesionalizëm dhe korrektësi, jashtë çdo ndikimi politik, përkatësie fetare, racore, gjinie apo përkatësie etnike”.
Heqja e nenit 111 të Rregullores dëshmon me garanci absolute që nga sot e tutje çdo punonjës policie i cili do të bëjë të kundërtën e asaj që parashikonte neni i cituar më sipër i rregullores së dikurshme, nuk do të ndëshkohet nga ana disiplinore sepse shkelja nuk ekziston më. Madje ai nuk do të ndëshkohet as më vonë në rast se ky nen i rikthehet rregullores për faktin e mos-prapaveprimit.
Me fjalë të tjera kjo do të thotë liri më totale për hajnat e gatshëm për çdo veprim me ndikim partiak vetëm disa muaj para zgjedhjeve.
Dikush që do të kundërshtonte këto konstatime mund të thoshte se shkeljet e mundshme ligjore në raport me zbatimin e të drejtave të njeriut, me depolitizimin, me etikën janë të materializuara nëpër disa nene të Kodit Penal, kryesisht të lidhura me shpërdorimin e detyrës dhe nuk ka nevojë të parashikohen edhe në rregullore.
Kjo ide nuk mund të qëndrojë së pari sepse formalisht të paktën, ishte vetë kjo qeveri e cila e pa të nevojshme që nenin 111 dhe disa të tjerë si ai, t’i fuste në rregullore. Ndërkohë çfarë ka ndodhur që, nene, të cilat sanksionojnë pikërisht detyrimin e policisë të veprojë me paanshmëri, me profesionalizëm pa ndikim partiak, me etikën e sjelljen e duhur ndaj publikut, të fshihen nga rregullorja?
Sondazhi qesharak gjithsesi nuk thotë se ndikimi politik në polici nuk ngelet ende një problem. Do të ishte absurde të mendoje që nëse gjatë dy apo tri viteve të mos ndodhte asnjë vrasje dhe qeveria të propozonte më pas, heqjen nga kodi penal të veprës penale të vrasjes. Me fjalë të tjera, ndikimi politik në veprimet policore, teprimet e dhunës, shkelja e të drejtave të njeriut në procesin e shoqërimit apo të marrjes në pyetje të të dyshuarit, përdorimi i torturës, janë shkelje të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme pavarësisht nga vështirësitë që ekzistojnë për t’i konstatuar nga jashtë, pavarësisht sa sporadike janë dhe sesa mohohet ekzistenca e tyre.
Përse u fshi neni 111 nga rregullorja?
Tashmë, dihet hierarkia dhe raportet që ekzistojnë ndërmjet ligjeve dhe akteve nënligjore siç është në rastin konkret rregullorja e Policisë së Shtetit. Akti normativ del në zbërthim të ligjit dhe merr përsipër të ndëshkojë në mënyrë administrative një veprim që nuk mund të ndëshkohet penalisht. Pra, në aktivitetin e përditshëm të policisë, punonjësi i saj mund të kryejë akte në kundërshtim me ligjin dhe për këtë të dënohet, por mund të kryejë edhe kundërvajtje administrative e cila dënohet me masa disiplinore.
Grisja e flamurit që një punonjës policie mund t’i bëjë përsëri opozitës gjatë një manifestimi të saj, mbetet një akt në kufijtë e shkeljes administrative dhe jo penale, por veprimi e shëmton shumë vetë organizatën në raport me paanshmërinë e veprimeve të saj duke goditur besueshmërinë dhe duke rritur perceptimin publik të ndikimit politik mbi policinë. Aktualisht, me fshirjen e nenit 111 një veprim i tillë mund të kryhet pa problem sepse nuk ka se si të ndëshkohet dhe do të rrezikojë të përsëritet me shumicë. Për hir të së vërtetës, ky motiv duket në qendër të ndryshimeve që ka pësuar rregullorja.
Përsëri dikush tjetër mund të thotë se me apo pa rregullore, policia ka gjithmonë ndikim politik në veprimet e saj. Por kjo nuk do të thotë të rrafshojmë rregulloret që normojnë pikërisht aspektin me të rëndësishëm të policisë, atë të legjitimitetit të veprimeve të saj, që krijojnë besim te popullata.
Po të shihen dhe analizohen të gjitha nenet e rregullores të cilat janë fshirë nga lidershipi i sotëm i Policisë dhe Ministrisë, me shumë dhimbje do të konstatohej se janë hequr pikërisht ato nene të cilat i japin policisë fytyrën humane të një institucioni në demokraci. Kjo është dhurata e qeverisë për policinë në 108-vjetorin e themelimit të saj: Një polici pa fytyrë njerëzore.