Një dalje si ajo, Thomas Strakosha e kishte parë vetëm në makthet e tij më të këqija. E pra e bëri në Stamboll, pikërisht në minutën e fundit të kohës së rregullt, duke shkaktuar humbjen e kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen me Turqinë.
Një dalje aventureske në të 90, por në vend të largonte topin portieri përplasi Ismajlin, duke i dhënë mundësinë Tosun të shënonte me portën bosh. “Më vjen shumë keq. Skuadra kishte nevojë për mua në fund dhe unë nuk i ndihmova dot”, tha Strakosha pas ndeshjes, gati në lot.
Lojtari që në shumë raste e ka shpëtuar kombëtaren nga gola të sigurtë, tani është në bankën e të akuzuarve dhe kritikën e parë e ka marrë pikërisht nga i ati, Foto Strakosha, ish-portieri i kombëtares. Numri 1 i Lazios e ka treguar vetë telefonatën e marrë nga i ati: “Më mori menjëherë pas ndeshjes – tregoi Thomas -. Ai e kupton qartë që gabova, ashtu si e di edhe unë”.
Për mënyrën si reaguan lojtarët, pas golit të pësuar me bashkëfajësinë e portierit: “Të gjithë më mbështetën, më folën mirë, por jam 24 vjec dhe nuk duhet të bëj nga këto gabime”.