Shqipëria e Christian Panucci ka humbur me rezultatin 2:0 ndeshjen e parë të kualifikueseve të “Euro 2020” përballë Turqisë në “Loro Boriçi”. Edhe pse minutat e para të ndeshjes nisin me kuqezinjtë në sulm të cilët bëjnë presion vazhdimisht në portën mike, një gafë në mbrojtje në minutën e 21 na kthen me këmbë në tokë.
Qendërmbrojtësi i Atalantës, Berat Gjimshiti nuk largon siç duhet një top nga zona e rreptësisë. Topi i “dhuruar” shkon në këmbët e sulmuesit turk, Ylmaz, i cili gjuan fort dhe mposht Etrit Berishën.
Pjesa e dytë sheh sërish turqit në superioritet. Një depërtim në zonë nga mesfushori i Milanit, Hakan Çalhanoğlu prodhon një perlë. Ai mposht si mbrojtësit ashtu edhe portierin Berisha, pasi godet fort me të djathtën nga rreth 16 metra. Topin e ndal vetëm rrjeta. 2:0 dhe janë turqit ata që festojnë.
Edhe zëvendësimet e Panuccit nuk japin rezultat pavarësisht se në fushën e lojës hyjnë të freskët Sadiku dhe Grezda. Shifrat nuk ndryshojnë deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit gjerman dhe turqit “rrëmbejnë” në Shkodër tre pikë mjaft të vlefshme në Grupin H.
Shqipëria nis kështu me humbjen aventurën e kualifikueseve të Europianit 2020, ndërsa tifozët të revoltuar në shkallët e “Loro Boriçit” nuk kursejnë fyerjet ndaj trajnerit italian.