Kryetari i Bashkisë Has Adem Lala përmes një projekt-vendimi që mban datën 04.05.2018 drejtuar Këshillit Bashkiak të Hasit ka kërkuar që të shpallë “Qytetar Nderi” ish-deputetin e Partisë Socialiste të ndjerin Gafur Mazreku.
“PERSONALITET INTELEKTUAL PËR KONTRIBUTIN E PASHOQ NË PUSHTETIN VENDOR”– është motivacioni për të cilin Lala ka kërkuar që Mazreku të marrë këtë titull.
Sipas informacioneve që ka siguruar Dritare.net këtë propozim e kanë kundërshtuar këshilltarët e djathtë në Has, të cilët kanë vënë në dijeni edhe kryesinë e Partisë Demokratike dhe vetë kryetarin Basha.
Gafur Mazreku është i njohur për skenën politike shqiptare, pasi me 18 shtator të vitit 1997 brenda ambienteve të Parlamentit të Shqipërisë, pas një sherri verbal dhe më pas fizik me deputetin Azem Hajdari ai nxori armën dhe plagosi Hajdarin.
Pas këtij atentati, Mazreku u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg. Amnistitë e herëpashershme, e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së Has, dhe në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.
Pas lajmit reagoi edhe selia blu.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka në një deklaratë për mediat nga selia blu, tha se atentatori i Azem Hajdarit në Kuvend, Gafurr Mazreku me urdhër të Ramës do të bëhet “Qytetar nderi” i Hasit.
Noka ka publikuar dhe dokumentin ku është projekt vendim i Bashkisë Has, ndërsa shtoi se mbledhja për miratimin e tij do të bëhet ditën e hënë.
Deputeti i Kukësit, bëri thirrje që të ndalej kjo gjë pasi sipas tij, Azem Hajdari po vritet për herë të dytë.
Deklaratë e deputetit Flamur Noka
Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori, deputeti i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafurr Mazreku propozohet nga Edi Rama per t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”.
Partia Demokratike disponon propozimin që Kryetari i Bashkisë së Hasit i ka bërë Këshillit Bashkiak për të nderuar një vrasës si Gafurr Mazreku me titullin më të lartë që mund të japë pushteti lokal.
Nderimi i një deputeti që ka përdorur armën brenda sallës së Parlamentit kundër Azem Hajdarit është modeli që Edi Rama ka ndjekur që kur ka ardhur në pushtet.
Është modeli që nderon dhe i jep pushtet kriminelëve në parlament, qeveri dhe bashki, siç është rasti i Elvis Roshit, Mark Frrokut, Arben Ndokës dhe të tjerëve si ata.
Është modeli që mbron krimin të lidhur me qeverinë, siç është rasti i saimir Tahirit dhe Agron e Fatmir Xhafës.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak është parashikuar për të hënën, prandaj ne i bëjmë sot thirrje Edi Ramës të tërhiqet nga ky vendim skandaloz që vret për herë të dytë Liderin e Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdari.
nuk kam pasur asnjeher e nuk kam asnje gram respekt per Azem Hajdarin, por ky eshte turp i madh…
provokim kot e me kot..