Nga Freard Rista
Eshtë ai orari ku në Tiranë çdo gjë ngrin. Një zheg përcëllues dhe i varfër në mesazhe. Diku tek Lulishtja 1 Maji, vazhdon rutina, në një lagje që shtyn jetën mes kafeve dhe tregut të fruta perimeve. Po bash aty, në një skutë, diçka po ndodh. Mapo ka zbuluar një ekspozitë të veçantë, unike në llojin e saj.
Arti është si ajo llampa me vajguri që ndriçon rrugën e errët. Këto ditë, ka pak vend për britma kulture, ka pak vend e hapësirë për krijuesit që të shpalosin idetë, emocionin, grintën, dufin apo revoltën e mbledhur çdo orë. Por Klodian Luca, nuk dorëzohet.
“Ka vende në Shqipëri ku janë bërë përpjekje, janë bërë tentativa, unë thjesht jam një zë shtesë për rininë, që të ketë hapësirën e saj ku të shfryjë gjithë emocionet”, thotë ai.
Ajo çka do të zbuloni më poshtë është diçka krejt tjetër nga sa jemi mësuar të shohim në kryeqytet. Nuk janë pallate me shigjeta apo lara-lara, nuk janë vizatime apo piktura që përdoren për fushatë elektorale. Përkundrazi, janë copëza arti të krijuara nga duart e disa shpirtrave të lirë, që nuk kanë “frikë” të shprehin atë që ndjejnë. Galeria ndodhet në fund të rrugës që lidh ‘Komunën e Parisit’ me ‘Lulishten 1 Maji’.
“Kjo është një qendër sociale e vetëfinancuar. Ekspozita u krijua që rinia ta ketë hapësirën e saj nëpër mure, mbas fenomenit që kemi parë kohët e fundit, që ‘street art’ nuk është asgjë më shumë se sa arti që kemi parë para Luftës së Dytë Botërorë, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pjesën e komunizmit, që gjithmonë ka qenë vetëm informacion i tipit “VFLP”, “Lavdi PPSH”, “Kongresi i Grave”. Pra gjithmonë ka qenë me tendencë politike, propagandë e mirëfilltë”, shpjegon Luca.
Në këtë ekspozitë, jo vetëm që nuk ka propagandë, politizim e fushata elektorale, por përkundrazi. Këta ‘shpirtra të lirë’, e kanë marrë politikën dhe politikanët, dhe i kanë përplasur mbi tavolinë, siç hidhet një oktapod derisa të qullet.
“Sot jemi në një kohë moderne, ku pretendojmë minimalisht të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës, e megjithatë, sot rinia nuk ka asnjë hapësirë ku mund të shprehet. Gjuha që shpreh rinia kërkon hapësira, hapësira që të jenë korrekte, të mos ndosin murin tim apo të dikujt tjetër. As muret që lyen bashkia nuk i nget dot, sepse janë të komunitetit. Atëherë ku janë këto hapësira ku ti si rini mund të shprehesh?”, pyet Luca.
Galeria në vetvete ka dhe një mision edukues le të themi. Sepse për të qenë të sinqertë, askujt nuk i vjen mirë të shohë në murin apo derën e shtëpisë së tij piktura, shkrime me spraj apo postera.
Për të hyrë aty të duhet vetëm të ngjisësh 5 shkallë. Dera është e hapur. Çdokush nga rruga mund të vijë e të pikturojë apo të ngjisë diçka në mur. Çdokush që ka diçka për të thënë, por është sadopak i ndrydhur në vetvete, ka mundësinë të futet në këtë qeli me qepen të hapur e të shfyjë gjithë ndjenjat dhe emocionet. Pa u futur mirë në galeri, Luca na shpjegon:
“Këtu te pragu jemi në “Europë”, ndërsa brenda është kjo “qeli e Tiranës”
Qepeni është ulur pak, por i hapur. Në hyrje, mbi atë që ndan “Europën” me “qelinë e shpirtrave të lirë”, është luajtur me ironi të hollë me vetë kontinentin e vjetër, dhe të drejtat e njeriut.
“Europa na thotë ne të respektojmë të drejtat e njerit, jo racizëm, jo ndarje, të jemi të gjithë njësoj, ndërkohë që vetë Europa nuk i zbaton këto ideologji”, shprehet Luca.
“Pra, gjithë këtë “street art” që bëhet nëpër botë, me një laps, me një grafit me një spraj, ne menduam që ta vendosim në një qeli. Pra qëllimi kryesor i ekspozitës është t’i krijojmë mundësi rinisë që të shprehet. Pa ngjyrosje politike, por në shoqërinë që jetojmë, me tensionet që ka kjo rini, kur i krijohet kjo lloj mundësie do i nxjerri hallet e veta”.
Dhe kur e viziton ekspozitën, aty sheh ato emocionet e drejtpërdrejta, deri brutale të jetës. Jo ato të tipit “Ah si nuk kam një kitarë t’i bie”. Aty sheh drama njerëzore si: “Kur vjen babi te shpia, nuk ka me na dhonë me hongër”.
Nëse je mbi 170 cm i gjatë, duhet ta ulësh pak kokën kur futesh në qelinë-ekspozitë, pasi mund të prekësh qepenin. Nuk mund të mos vësh re që dyshemeja është e mbushur me fleta formati të hedhura sa andej këndej.
“Është Kushtetuta. Mos e shkelni, por dhe po e shkelët ska gjë, se nuk ka ngel njeri pa e shkel”, thotë Luca.
Ashtu me flokë të gjatë, me mjekërr me formë, i mbuluar me tatuazhe, edhe Luca, thjesht si personazh, duket sikur është pjesë e kësaj ekspozite. Dhe pse ka pak kohë që është krijuar, e do të qendrojë hapur edhe për 2 muaj të tjerë, duket sikur është “mëkat” ta ndash Lucën nga kjo qeli. Ai është jo vetëm ideatori, por hollë dhe me detaje, ka shtuar copëza arti nga shpirti i tij në këto “mure burgu, për njerëz të lirë”.
Në mes të dhomës, duket qartë një motor i vjetër dhe ngjitur me të një dërrasë e gjatë deri në tavan. Një shirit i kuq në mes dhe disa gërshërë anës tij.
“Për të hyrë në këtë galeri, nuk ke nevojë të bësh një kërkesë, ku do presësh të të aprovohet, të marrësh masa apo të presësh shiritin e inagurimit. Nuk ke nevojë për ceremoni zyrtare, je i lirë të shprehësh gjithë atë që ndjen”, thotë Luca.
Politika në këtë galeri është prezente, por është masakruar me ironi e sarkazëm. Eshtë rrahur tamam si ai mishi i fortë që duhet zbutur para se të gatuhet.
Padyshim që nuk mund të mungojnë dramat njerëzore të shprehura aq bukur në çdo cep.
Si mund të mungonte ‘njeriu i uritur’ i Migjenit, “ai vogëlushi me sy t’jeshilta e me dur t’mpita”, edhe pse jemi në shekullin XXI. Si mund të mungonin fëmijët e Bulqizës, që për 200-300 lekë të reja në ditë, braktisnin shkollën dhe sorrollaten për ndonjë cop krom?
“Një doktor më tha, që 4 nga10 prej këtyre fëmijëve vdesin nga bronko-pneumonia, nga helmet që thithin në mushkëritë e tyre. Por ne këta nuk i shohim, ne shohim vetëm këta të shëndetshmit rrugës”, revoltohet Luca.
Ja këto janë hallet e njerëzve. Hallet e atyre që duan të shprehen, por nuk kanë se ku.
Brenda kësaj galerie, në çdo faqe muri, çdo pikturë, grafit apo poster ka një domethënie. Madje shumë të fortë. Çdo copëz arti në këtë qeli-ekspozitë ka një mesazh që buron nga “shpirtrat e lirë”.