Gjatë internimit të pafund humbi njerëzit e tij të dashur, që, në më shumë se një rast, u përcollën pa nderimin e mbramë.
Nuk i lejuan ta varrosnin në varreza kushërirën 11–vjeçare, që xhaxhai i burgosur ia kishte lënë amanet të atit dhe as t’i bënin nderet e fundit të vëllait 20 vjeç.
Gani Sulka, prej moshës 9 vjeç mban mend vetëm përndjekje që vazhduan për 40 vjet me radhë, nga ai që fëmijët e pranonin në lojë për ta gjuajtur me fjalë e shqelma, deri te fëmijët e tij kur të bijën e nxirrnin para shkollës për ta quajtur bijë kulaku.
Intervistoi për Kujto.al: Najada Pendavinji
Cila është historia e familjes suaj?
Jam Gani Sulka, jam lindur në vitin 1942 në Bozhigrad të Devollit, në një familje të madhe prej 10 anëtarësh, katër motra e katër vëllezër dhe dy prindërit Riza e Demirhan Sulka.
Historia e familjes sime e cila përjetoi një kalvar të pafundmë vuajtjesh dhe mundimesh si pasojë e luftës së klasave të atij regjimi fillon në 1950.
Deri në atë kohë fisi Sulka kishte zhvilluar ekonominë familjare duke zotëruar toka bujqësore dhe blegtorale të cilat kishin prodhimtari të shumta.
Kishim një shtëpi dykatëshe, me 12 dhoma ku banonim 18 frymë. Jetonim me ndershmëri, ishim familje atdhedashëse, mbështesnim idealin e lirisë, por trokiti viti 1945, filloi procesi i kolektivizimit duke eliminuar çdo metër katror pronë private dhe duke i zhveshur nga fuqia ekonomike pronarët e tokave të cilët nuk humbën vetëm pasurinë e tyre, por edhe lirinë.
Luftës së klasave nuk i shpëtoi as familja ime e cila futej te shtresa e pasur e shoqërisë. Gjenocidi ndaj kësaj shtresë ishte aq i madh sa përndjekja do kalonte çdo lloj caku.
Kur filloi përndjekja komuniste?
Përpara se të ndodhte shtegtimi i gjithë fisit Sulka, në vitin 1949 arrestohet xhaxhai im, Sefedin Sulka për agjitacion-propagandë kundër pushtetit popullor, sepse gjatë asaj kohe ai kishte pasion një vegël muzikore, “tambura” së cilës i binte kur mblidhej me shokët. Vetëm kaq i mjaftonte regjimit për ta cilësuar “armik të popullit”.
Ai la pas gjashtë vajza të vogla të cilat i rriti babai im, Riza Sulka, nën përgjegjësinë e të cilit tashmë do të ishin 14 fëmijë dhe më i vogli isha unë vetëm 9 vjeç. Një vit më pas hakmarrja komuniste do zgjerohej në të gjithë familjen.
Me etiketimin “kulak” familja ime u kthye në “armikun e betuar” të komunizmit. Kështu filloi përndjekja e familjes në disa breza.
Ishte 20 qershor 1950. Në mesnatë kur në derën e shtëpisë troket kryetari i Këshillit bashkë me të plotfuqishmin e fshatit, Qemal Hameti. Hyjnë brenda. Ne fëmijët ishim strukur të gjithë mbas nënës.
Me atë vrazhdësinë dhe mendjemadhësinë e tyre i drejtohen babait dhe pa asnjë lloj shpjegimi, në mungesë të hekurave, ia lidhin duart me tela me gjemba.
Na morën të gjithëve vetëm me leckat e trupit, duke i lënë të gjitha sendet dhe kujtimet atje, në atë shtëpi e cila tashmë do ishte në duart e komunistëve.
Nga shtëpia jonë e ngrohtë na sjellin në oborrin e burgut të Korçës. Këtu ishim gati 50 familje të cilat i priste grushti i rëndë i diktaturës.
Na mbajtën vetëm një natë. Në mëngjes na fluturuan si ndonjë thes me miell në kamion dhe na nisën drejt një rruge të gjatë.
Në orë 7:00 na kanë ndaluar në Fier. Edhe këtu kemi ndenjur vetëm një natë dhe më pas, e gjithë familja ime internohet në Aranitas të Mallakastrës.
Çfarë ndodhi në internim?
Unë isha vetëm 9 vjeç, nuk e kuptoja pse po largoheshim nga streha jonë. Nuk dija as se çfarë ishte internimi, por kur arritëm në Aranitas u përballëm me një realitet tjetër që nuk e kishim hasur deri atëherë.
Në atë moment vjen kryetari i Këshillit dhe na prezanton me vendin ku do qëndronim. Ajo ishte një kasolle dhish, e cila nuk kishte as çati, as dyer dhe as dritare, e mbuluar me plehun e bagëtisë.
Na thotë që ne duhet ta heqim plehun për t’u futur brenda. Babai im nuk e pranoi një gjë të tillë, nuk mund të pranonte të flinin fëmijët e tij atje.
Me shumë kundërshtime na hapën derën e shkollës dhe na thanë që derisa të mbarojnë pushimet të hiqnim plehun. Dhe kështu bëmë. Me pak fjalë ata nuk lëshonin pe dhe donin medoemos që ne të jetonim në kushtet më mizore.
Te dera e shtëpisë sonë rrinte një rojë i cili ishte Hekuran Xhaferi, për të na ndjekur në çdo çast. Me javë pa ngrënë, pa pirë, pa u larë. Nëna e shkretë ziente hithra dhe ne fëmijët pinim lëngun e tyre për të shuar urinë.
Uri e cila do i merrte jetën Lules, vajzës së xhaxhait. Lule Sefedin Sulka ishte vetëm 11 vjeçe kur u shua në lulen e jetës së saj. Babi u mbyll në vetvete, e ngërtheu dhimbja pasi një nga amanetet që i kishte lënë xhaxhai nuk mundi ta mbronte.
Mizoria më e madhe ishte kur nuk na lejuan që Lulen ta varrosnim në varret e fshatit. Edhe vetë fshatarët nuk pranonin që në varrezat e fshatit të tyre të prehej një fëmijë i internuar.
Si mundët ta varrosnit?
Komunizmi të mohonte jo vetëm jetën, por edhe vdekjen. Të shkatërronte dhe banesën e fundit. Nuk kishim çfarë bënim.
U mblodhëm të gjithë si familje dhe trupin e saj e kemi mbuluar me dhe, në një përrua që kishim aty pranë banesës ku jetonim.
Disa herë e zbulonte uji trupin, por kohë më pas nuk po e shikonim më. E hëngri uji kufomën e saj. Eshtrat e saj u shuan duke mos u gjendur kurrë.
Si ishte jeta në kampin e Shtyllasit?
Deri në vitin 1955 kemi qëndruar në Aranitas. Në janar të 1960-ës, na çuan në fshatin Shtyllas të Fierit, ku u bë zhvendosja e kampit të të burgosurve me kampin e të internuarve që ishim ne.
Në këtë kamp kishte familje nga rrethe të ndryshme si për shembull: nga Treni, nga Ponçara, nga Shkodra, Tropoja, Malësia e Madhe, Labëria.
Këtu filluan të na furnizonin me triska buke. Vitet kaluan, ne fëmijët po rriteshim. Mua më lejuan të vazhdoja shkollën, kam bërë vetëm gjashtë klasë.
Ishte tepër i madh diferencimi që do përjetoja nga bashkëmoshatarët e mi atje në shkollë. Janë çaste që për një fëmijë ngelen gjithmonë në kujtesën e tij.
Ai sistem ishte brumosur edhe në mendjen e fëmijëve. Kalvari i vuajtjeve do vazhdonte, por ne nuk do thyheshim.
Keni ndonjë ngjarje të veçantë që ju ka mbetur në mendje?
Do kthehemi vite më pas në kohë, në vitin 1954 kur isha vetëm 13 vjeç. Është një ngjarje që tregon se komunizmi kishte natyrë paranojake.
Kishte frikë edhe nga mendja e një fëmije. Si fëmijë që isha nuk doja të isha i izoluar, doja të isha i lirë, të shkoja të takoja sa herë që më merrte malli motrën time të madhe e cila ishte martuar në Vishocicë. Dhe ashtu bëra.
U nisa pa lejen e babait dhe mora rrugën për te fshati i motrës. Kur shkova nuk hasa problem, por kur u ktheva, policëve të Sigurimit u ra në sy një fëmijë që udhëtonte vetëm dhe më kapën në Bilisht.
Vepruan sikur kapën një kriminel dhe jo një fëmijë. Më morën dhe më çuan në burgun e Korçës ku më mbajtën vetëm një natë. Më bënin pyetje të pakuptimta si: “Ku do arratisesha? Sa veta ishim? Me çfarë do iknim?”.
Më frikësonin duke më kërcënuar se do e pësoja keq nëse nuk tregoja. Unë nuk kisha çfarë t’ju thosha përveçse së vërtetës. Nuk e di si u bindën dhe më lanë të lirë, më hipën në autobus së bashku me një civil i cili më shoqëroi deri në Elbasan.
Dhe që andej më hipi në autobusin e Fierit duke i thënë shoferit të më vëzhgonte me kujdes se mos i zbrisja rrugës. E gjitha kjo ishte një skenë e pakuptimtë që ata i jepnin aq shumë rëndësi sikur po ndodhte ndonjë rrezik i madh. Kështu ishte të jetoje në komunizëm…
Keni kaluar një periudhë të gjatë në internim plot 40 vite, si e përjetuat ardhjen e demokracisë?
Është një jetë e tërë e përjetuar me varfëri, padrejtësi, vuajtje, terror, humbje dhe një persekutim të pafundmë ndër breza.
Ishin plot 40 vite që kalova në internim. Atje unë u martova me të bijën e një të dënuari politik, Ali Meçolli. Po në internim lindën dhe tre fëmijët e mi, të cilët përjetuan edhe ata një diferencim shoqëror.
Vajzën, Edlirën e nxirrnin përpara shkollës dhe e quanin fëmijë kulaku. Ishte e tmerrshme ta përjetonte fëmija atë që unë kisha hequr nën lëkurën time.
Kalvari i mundimeve përfundon më 1990. E donim lirinë që aq shumë na kishte munguar, por kur u kthyem nga internimi strehën e gjyshërve tanë nuk e gjetëm më. E kishin rrafshuar duke mos lënë asnjë gjurmë apo kujtim të saj.
Të gjitha tokat që ne kishim për të cilat vuajtëm dhe internimin i kishin zënë të tjerët. Sot, ne kemi një demokraci të munguar që dashtë Zoti ndryshon për të mirën e fëmijëve tanë!