fbpx

Mapo Letrare

Gara e pandalshme e servilizmit





               Publikuar në : 14:42 - 12/10/19 |
Hysen Sinani

Nga Hysen Sinani


Në të vërtetë, mbas ndryshimeve të shpeshta që po bëheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve, që deri në atë kohë mendohej se ndodhnin për shkak të forcimit të partishmërisë në institucion si jehonë e vendimeve të plenumit të Komitetit Qendror të vitit 1974, u desh vetëm një mbledhje tematike e Lidhjes që unë të kuptoja që ky spastrim i organizatës së shkrimtarëve e artistëve bëhej vetëm për forcimin e servilizmit në punë.



Ishim lajmëruar të gjithë, një për një, se në ora dymbëdhjetë do të bëhej mbledhja e kolektivit me temën e përcaktuar pak a shumë si “dashuria midis nesh, plumb për armikun e huaj dhe armikun e klasës”. Në presidiumin e sallës së madhe kishin zënë vend Dritëro Agolli dhe nja dy të zgjedhur, për të qëndruar njëri në krahun e djathtë të kryetarit dhe tjetri në krahun e majtë, ose thjesht si simetri pamore.


Kishte folur referuesi i pari, njëri nga krahët e kryetarit, kishte thënë ta duam më shumë njëri-tjetrin, sepse kjo e bën që të plasë nga inati armikun e jashtëm dhe atë të klasës; kishte folur edhe një tjetër duke përsëritur po ato gjëra bajate, madje qe ngritur edhe një orator i tretë që mezi e mbaroi fjalën duke kërkuar shembujt më të mirë të harmonisë njerëzore dhe mbas tij u ngrit Zija Çela që e nisi me një stil parashtrues rrëfimtar, me sa mund të mbaj mend, me këtë përshkrim:

“Ndodheshim në klub duke pirë kafe me Feim Ibrahimin, kur hyn Dritëroi i cili vetëm sa na përshëndeti me kokë dhe mori cigare në banak e u ngjit në zyrë. Dukej i mërzitur. Këtë e vumë re të dy, edhe unë, edhe Fehmiu. I them Fehmiut: kryetari dukej i mërzitur, sikur të kishte ndonjë hall. Përse ne nuk e kemi atë afërsi miqësore sa t’i themi: Dritëro, eja pi një kafe me ne! Çfarë ke që dukesh i mërzitur?… Ndoshta të ndihmojmë ne sadopak…”

Një zë i fortë dhe i befasishëm që nga radha e parë e sallës, ia ndërpreu ligjërimin Zijait. Ishte zëri i Ismail Kadaresë që kishte thirrur:

– Dritëro, ç’është ky servilizëm i hapur? Përse e lejon të flasë kështu?!

Dhe Dritëroi, si duke qeshur e si për ta zbutur situatën, ia kthen:

– Eh, nuk e ka për servilizëm, Ismail, po ashtu flet Zijai…

Por me sa më kujtohet, në atë mbledhje nuk foli më njeri për “dashurinë tonë proletare” dhe mua më shumë më mbetën në mendje fjalët e Kryetarit tonë të Lidhjes, nga të cilat kuptova se sa shumë i pëlqente lajkat, kur kisha besuar me të vërtet se atë e bezdiste servilizmi. Por jo, nuk e bezdiste aspak, siç më kishte thënë para disa kohësh, përkundrazi, e vrerësonte, e klasifikonte, madje edhe i zgjidhte njerëzit që do të punonin në këtë institucion brenda zinxhirit të servilizmit rreth tij. I vinte në garë servilizmi njerëzit poshtë tij. Edhe postet i ndante si rezultat i kësaj gare dhe aspak sipas meritave për punën. Nuk kaluan as tre a katër muaj dhe Zija Çelën, nga redaktor në revistën “Nëntori”, e solli sekretar kolegjiumi në Gazetën “Drita”, vetëm pse kishte treguar keqardhje për pamjen e tij të mërzitur. Po sikur Zijai ta kishte shtyrë edhe më tej këtë keqardhje, çfarë do ta kishte bërë vallë?

Ndoshta ia kishte ruajtur për më vonë shkallët e ngjitjes në karrierë, mbasi të kishte mësuar edhe frëngjishten, të cilën Zijai nisi ta mësonte me mua me të ardhur në redaksinë tonë. Por nuk bëri me mua më shumë se pesë mësime, sepse iu duk ritmi shumë i shpejtë për t’u ndjekur dhe gjeti një mësues tjetër më të ngadalshëm, madje shumë më të ngadalshëm, me të cilin duket se e mësoi frëngjishten, sepse pas shumë kohësh më pyeti se me cilin autor të thjeshtë mund të fillonte të lexonte nga pak. Dhe unë i këshillova Anri Truajanë, akademik francez me origjinë ruse.

Më habiste ardhja e tij në Lidhjen e Shkrimtarëve, mbas botimit të një vëllimi të vogël me tregime, përgjithësisht me përmbajtje jetën e thjeshtë të njerëzve të rrëfyer në mënyrë skematike dhe patetike. Megjithëse, ai mund të kishte merita letrare më shumë se të tjerët që kishin botuar ndonjë fletushkë me poezi ose asfare, por që premtonin se do të dinin t’i përkushtoheshin me zell parapëlqimeve të shefit të madh, por jo vetëm atij.

Më kujtohet një episod lidhur me një tregim të Ismail Kadaresë, ku tregohet se këtij i pëlqente servilizmi i shprehur ndaj tij dhe ngjante me atë të Zijait të shfaqur ndaj Dritëroit.
Kishte sjellë tek unë si redaktor një tregim në dorëshkrim që dëshironte ta botonte në gazetë.

– Shikoje vetë, Hysen, – më thotë. – Bëj ndonjë redaktim ku të duket ty se duhet bërë, ngaqë e kam shkruar pak shpejt.

– Pa merak, – i thashë, – do ta shikoj unë.

Dhe po merresha me redaktimin e këtij tregimi pas daktilografimit, kur në zyrën time dhe me telefonin e zyrës sime, Ferid Hudhri, një redaktor i arteve figurative, i telefonon Ismailit dhe në sytë e mi i thotë të vinte shpejt në redaksi sepse “Hyseni po bën ndryshime në tregimin tënd”!

E pashë i habitur dhe i thashë:

– Po mirë, Ferid, a nuk mund ta informoje Ismailin për këtë gjë nga një telefon tjetër, që të paktën unë të mos e dëgjoja?

Nuk e kuptoi ironinë time ose bëri sikur nuk e kuptoi.

Pas pak erdhi Ismaili për të parë “ndryshimet”. Sigurisht, ishin disa shenja pikësimi, sepse ai nuk dinte t’i vendoste siç duhej, dhe ndonjë fjalë aty këtu, midis të cilave një “floknajë” e pavend për të cilat ai qe në një mendje me redaktorin, madje edhe i kënaqur. Ndërsa unë mbeta fare i pakënaqur. Më kishte thënë si xhentëllmen se kishte besim në çfarëdo redaktimi që do të bëja, dhe tani vinte e shikonte ndryshimet në atë farë tregimi që s’e mban mend askush. Edhe ky kishte informatorët e tij, por sigurisht që ishin më të pakët në numër se ato të Dritëroit, i cili dinte si t’i shpërblente.

Por këtë do ta shohim më mirë në episodin e mëposhtëm, të përshkruar edhe nga Bardhyl Londo në kujtimet “e një provinciali në Lidhjen e Shkrimtarëve”.

***

Të hapur për çdo polemikë

Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë është formuar në vitin 1945 ndërsa e Artistëve në vitin 1949. Kryetar i parë i Lidhjes së shkrimtarëve u zgjodh Sejfulla Malëshova. Në vitin 1954 u hap revista e përmuajshme “Nëntori” ndërsa në 1961 doli së pari gazeta letrare e përjavshme “Drita”, të dyja këto organe letrare të Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqipërisë. Lidhja e shkrimatëve ka qendruar që nga viti 1970 në godinën përformante dhe të bukur në krye të rrugës së “Kavajës”. Kjo godinë përfundoi në vitin 1938 me rastin e 10-vjetorit te Mbretërisë Shqiptare.

Ajo është ndërtuar mbi themelet e një garnizoni ushtarak turk, në të cilën pas Pavarësisë, në 1912, u vendos gjimnazi shtetëror i Tiranës.

Më pas, për shumë vjet ka qenë Qendër Kulturore e Ushtrisë deri në vitin 1970, ku në të u vendos Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Kronika e Kryetarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë fillon me Sejfulla Malëshovën, e pastaj Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limoz Dizdari, Zyhdi Morava, dhe në fund Hysen Sinani.

Pikërisht Hysen Sinani, ky shkrimtar dhe autor fjalorësh, ka punuar për një periudhë të gjatë në këtë Lidhje dhe në këtë godinë, dhe ka kujtime të shumta rreth punëve që bëheshin në Lidhje, mardhënieve dhe prapaskenave, botimeve dhe hatërmbetjeve, krijimeve dhe brrylave, miqësive dhe inateve të brendshme, artit të vërtetë dhe pseudo letërsisë, dinjitetit dhe servilizmit, mendjeve të hapura dhe njerëzve të indoktrinuar, shkrimtarëve të vërtetë dhe autorëve të rremë.

Në shumë puntata në vazhdim, në Suplementin Letrar të gazetës MAPO, do të kemi pikërisht këtë atmosferë, këtë gjendje, e shikuar dhe e shkruar nga vetë një prej përsonazheve më aktivë të asaj përiudhe në shtypin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Aristëve, nga libri i tij që është në përgatitje e sipër, nga shkrimtari Hysen Sinani.

Të vërteta të bukura e të hidhura, anale të ndritura dhe të errta, përsonazhe të thjeshtë dhe të ndërlikuar që punuan në këtë Lidhje dhe në këtë godinë, ka në librin e Hysen Sinanit, që do të botohet javë pas jave në këtë faqe.

Gazeta Mapo, por dhe autori, janë të hapur dhe e kanë vullnetin për të pranuar dhe botuar replika që vijnë nga autorë të ndryshëm, të cilët nuk janë dakort apo kontestojnë shkrimet e përjavshme të Sinanit.

M.S


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas