Në intervistën për Mapo, Fino rrëfeu për garën dhe projektin që ai kishte për të drejtuar Federatën shqiptare të Futbollit. Ish-kryeministri thotë se ishte gati të bënte ndryshime radikale. Ai deklaron se procesi i votimit linte për të dëshiruar dhe se ai është ende në një proces gjyqësor ndërkombëtar.
“Kisha menduar për të bërë ndryshime radikale për sa i përket futbollit. Kisha menduar për të afruar njerëzit dhe të mbushja stadiumet. Ndodhi ajo që ndodhi dhe jam në një proces gjyqësor ndërkombëtar për shkak se 66 anëtarë të Federatës qenë të palincencuar, të paregjistruar në gjykatë. Më vjen keq sepse vetë presidentët e klubeve duhet të marrin në dorë fatet e klubeve, sepse janë ata që investojnë, janë ata që bëjnë të mundur të ecë futbolli shqiptar”, thotë Fino.
Ai shton se nuk mund të ketë President të përjetshëm të Federatës.
“Federata është thjesht një organizatore e lojës dhe si e tillë realisht duhet të respektojë dhe të dëgjojë presidentët e futbollit të kategorive të ndryshme, dhe nga kjo pikëpamje, nuk mendoja se do të bëja një largim nga politika. Raste të tilla në Europë ka plot, kur personalitete, ministra, deputetë kanë kandiduar për kreun e federatës së tyre në futboll dhe i kanë mbajtur si funksione. Në rastin konkret ishte një dyluftim i pabarabartë, i padrejtë dhe i pandershëm. Unë kërkova limitimin e kohës së qëndrimit në krye të federatës. Një president nuk mund të rrijë tërë jetën”.
INTERVISTA/ Fino: Nuk jam dakord me të gjitha emërimet e Ramës, por ai është kapiteni i ekipit