Demokratët shkojnë nesër para kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri, pas 25 prillit ku rilindja mori mandatin e tretë. Gara ka qenë serioze dhe e fortë. Favoriti ngelet kryetari në detyrë, Basha, por mbështetje po kërkojnë dhe Shehaj, Harxhi dhe Kadilli. Pikat e secilit kandidat dhe tronditja që ka sjellë deklarata e Berishës për rikthim në krye të PD. Platformat, idetë dhe përplasjet mes kandidatëve, një raport i plotë në MAPO
Prozhektorët janë drejtuar në selinë blu. Të dielën më 13 qershor rreth 75 mijë anëtarët e Partisë Demokratike do të kenë mundësi të votojnë për kryetarin e ri të partisë që do ta drejtojë atë të paktën për 4 vitet e ardhshme në opozitë. Zgjedhjet e 25 prillit, ku PD-ja humbi mundësinë e dytë për të ardhur në pushtet, nxitën këto zgjedhje brenda vetes. Në garë për detyrën e kreut të demokratëve është kryetari aktual i partisë Lulzim Basha dhe tre sfidantë të tjerë; Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.
I pari deputeti më i votuar i kësaj partie pas Bashës në Tiranë dhe një njeri që vjen nga bota e biznesit dhe identifikohet me tabanin e së djathtës si pinjoll i një familjeje të persekutuar në regjimin komunist. Harxhi, e para grua kandidate për kryetare në kampin blu, mbështetet nga një grup demokratësh të vjetër në parti që janë kritikë të fortë të kryetarit aktual, si Bujar Nishani, Arben Imami e të tjerë. Kadilli, anëtar kryesie dhe demokrat i vjetër, u la jashtë listave të deputetëve nga Basha, ishte në fakt i pari që shpalli kandidaturën dhe kërkoi dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve.
Të tre rivalët e Bashës e kanë bazuar fushatën e tyre duke kritikuar drejtpërdrejt kryetarin aktual dhe duke premtuar një hapje dhe forcim të partisë. Nga ana tjetër, kryetari mëton ta mbajë detyrën dhe për një mandat të tretë duke sulmuar kundërshtarin politik Edi Ramën, ndërsa rivalët e brendshëm i ka cilësuar si rrezik për përçarje të partisë. Edhe pse shumica e opinionit publik nuk beson se do të ketë surpriza në votimin e të dielës duke parashikuar rikonfirmimin e Bashës në krye të PD-së, sërish këto zgjedhje shihen me interes të madh për atë që do të ndodhë në kampin blu pas kësaj date. A do të arrijë PD-ja të forcohet prej këtyre zgjedhjeve apo do të rrezikojë një përçarje të re pas 8 vitesh lodhjeje në opozitë.
Dy çështje e mbizotëruan garën mes të djathtës; zgjedhjet e 25 prillit për humbjen e të cilave 3 sfiduesit e Bashës bëjnë përgjegjës atë vetë, ndërsa kryetari në detyrë thotë se u blenë nga makineria shtetërore e Ramës dhe qëndrimi i tyre ndaj figurës së Sali Berishës, lideri historik i demokratëve. Emri i tij vijon të nxisë emocione të forta në mesin e demokratëve edhe pse ai vendosi të japë dorëheqjen nga partia pas humbjes së zgjedhjeve në 2013-ën, standard që nuk po e ndjek pasardhësi dhe beniamini i tij politik.
Në mesin e kësaj fushate emri i tij u godit rëndë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “Non grata” me akuzën e korrupsionit dhe pengimit të drejtësisë. Kandidatët në garë u vunë në pozitë të vështirë ndërkohë që kërkohej një qëndrim i qartë i tyre në këtë moment; ata nuk guxonin ta bënin ‘hasha’ liderin e partisë, po nga ana tjetër nuk guxonin të dilnin kundër një aleati historik të Shqipërisë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berisha duket se nuk e pëlqeu këtë ngurrim dhe dy-tre ditë para zgjedhjeve lëshoi një deklaratë bombë duke mos mohuar rikthimin e tij në krye të partisë.
Edhe pse ai nuk ka realisht mundësi zyrtare për t’u rikthyer pasi nuk garon për zgjedhjet e 13 qershorit deklarata e tij tregon se nuk mbështet asnjërin kandidat në garë dhe aq më shumë Lulzim Bashën, të cilin e promovoi personalisht në politikë dhe e bekoi si pasardhës në parti. Pas 8 vitesh tashmë Basha duket po përballet për herë të parë me “babanë” politik, për të cilin është akuzuar shpesh se nuk e ka “vrarë” politikisht, duke qëndruar nën hijen tij.
Hija e Berishës mbi garën në PD
Duan apo s’duan 4 kandidatët për kreun e Partisë Demokratike nuk garojnë vetëm me njëri-tjetrin, por dhe me ndikimin e Sali Berishës në anëtarësinë e kësaj partie. Megjithëse sot ai është një deputet i thjeshtë i partisë dhe shkel shumë rrallë në selinë blu, një pjesë e madhe e demokratëve e identifikojnë akoma patinë me figurën e tij. Sikur të mos mjaftonte hija e tij dominuese në garë, ku pyetja që qëndronte pezull ishte; cilin kandidat mbështet ai, Berisha i ka përmbysur gjithë parashikimet duke paralajmëruar rikthimin.
Në orët e vona të së enjtes Berisha ka lënë të kuptohet se ai mund të rikthehet në krye të PD. I pyetur nga gazetari Çim Peka në Syri-tv lideri historik i demokratëve u shpreh se do të ushtrojë çdo të drejtë kushtetuese (pra për të zgjedhur e për t’u zgjedhur) dhe se ai nuk i konsideron më pengesat. “Kurrë mos thuaj kurrë! Never say never”, -tha ai duke shtuar se “unë po ecja në një drejtim, sot kam ndërruar rrugë dhe po i heq të gjitha pengesat e mia”. Pyetjes së drejtpërdrejtë “nuk përjashtoni as drejtimin e PD?” ai u përgjigj; “Nuk përjashtoj asnjë të drejtë time kushtetuese më, kategorikisht”.
Asnjë prej garuesve nuk ka komentuar këtë deklaratë por nuk iu kanë shpëtuar dot komenteve gjatë fushatës për rolin e tij në parti. Shehaj refuzoi gjatë gjithë kohës që të komentonte lidhur me vendimin e DASH për shpalljen “non grata” në SHBA, të ish-kryeministrit Sali Berisha. Të enjten në emisionin “Opinion”, ai tha se nuk dëshiron të komentojë një vendim politik të SHBA, teksa shtoi se nuk ka prova për akuzat ndaj Berishës.
Po nga ana tjetër, kandidati për kreun e selisë blu pohoi se nëse merr drejtimin e PD, Berisha do të jetë pjesë e grupit parlamentar të kësaj force politike.
“Kam shprehur vlerësimin për liderin historik të PD që ka një kontribut të pamohueshëm për orientimin e Shqipërisë drejt perëndimit. Nuk kam dashur të komentoj vendimin e DASH se ne nuk kemi as fakte, është thjesht një deklaratë politike. Nuk e shikoj të arsyeshme të komentoj një vendim politik të SHBA. Unë mendoj që për ne është e rëndësishme të mendojmë për PD dhe për të fituar në zgjedhje”, – tha ai.
Për Kadillin, Berisha ka qenë forca dhe dobësia e PD dhe i ka kërkuar që të mos e përfshijë PD-në në çështjen e tij me DASH-in.
“I bindur se ai ka synimin dhe etikën për të kërkuar në rrugë private sqarimin e kësaj çështjeje. I kam bërë thirrje që ta shmang përfshirjen e PD në këtë çështje dhe jam i bindur që ka treguar kujdes dhe do të tregojë kujdes sepse i dhimbset PD më shumë se Lulzim Bashës. Berisha ka qenë forca dhe dobësia e PD, ka qenë ai që e ka mbajtur si parti që ka fituar. Por, gjithmonë si forcë e dytë, që nga ’92 PD nuk ka fituar kurrë vetëm si sigël. Politikani më i talentuar që ka pasur Shqipëria, por unë shoh një PD të së ardhmes të shkëputur rrënjësisht nga tradita e PD së Berishës dhe e Bashës”, – tha Kadilli në “Opinion”.
Ndërsa kryetari aktual është mjaftuar me një qëndrim në Facebook për këtë çështje fill pas shpalljes “Non grata”, duke kërkuar transparencë për vendimin dhe duke premtuar se PD do jetë aleate e SHBA-ve.
“Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta. Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar”, ishte thelbi i qëndrimit të tij.
Arsyet e humbjes së zgjedhjeve si “kalë beteje”
Lulzim Basha dhe tre rivalët e tij për kryetar të PD-së ndahen thelbësisht në qëndrimin e tyre për arsyet e humbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai thotë se demokratët humbën sepse zgjedhjet u vodhën nga pushteti i Ramës, ndërsa të tre rivalët e tij e pranojnë ndikimin e pushtetit, por bëjnë përgjegjës kryesor Bashën për këtë humbje, duke i kujtuar gabimet që ka bërë gjatë opozitës dhe se nuk diti të krijojë besim dhe t’i frymëzojë shqiptarët për fitoren.
Ndërkohë që gara e brendshme po zhvillohej PD-ja ka shënuar humbje në të gjitha shkallët e apelimit zgjedhor për të vërtetuar atë që ajo e quan “masakër zgjedhore” të 25 prillit. Por për Bashën të gjithë ata që nuk e besojnë këtë masakër po i shërbejnë përçarjes së partisë.
“Dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitore të Ramës dhe jo masakër zgjedhore, mund të çojë në lidhjen e një përçarjeje në radhët tona. Ndaj, do të bëj gjithçka është në dorën time për ta ndaluar këtë dhe ju kërkoj juve dhe të gjithë atyre që vendosin Partinë Demokratike mbi veten e tyre dhe Shqipërinë mbi gjithçka, që mos t’ia lejojmë kundërshtarit këtë luks”, është shprehur Basha.
Kreu aktual i PD-së e ka fokusuar fushatën e tij pikërisht në argumentin se “zgjedhjet e 25 prillit u vodhën nga Partia Socialiste, përmes një masakre elektorale”, duke përdorur burimet shtetërore, me presione dhe favorizime të ndryshme. Ai nuk ka pranuar deri më tani të bëjë një analizë për të kuptuar se çfarë duhej të bënte më shumë a më mirë opozita në strategjinë e saj.
Por sipas Agron Shehajt, i cili arriti një rezultat surprizues në votat personale në një zonë me elektorat të majtë në Tiranë, PD i ka humbur zgjedhjet dhe se lidershipi ka përgjegjësi për rezultatin.
“Unë mendoj që nëse PD nuk është në pushtet, kjo është një humbje. Ne kemi një problem të madh me të vërtetën, nëse nuk themi të vërtetën nuk mund të fitojmë zgjedhjet e ardhshme. Unë mendoj se lidershipi ka përgjegjësi për rezultatin, meritën nëse fiton dhe përgjegjësi nëse humbet. Unë besoj që PD fiton ose humbet në bazë të besimit që kanë shqiptarët te kandidati për Kryeministër”.
Me këtë argument ai ka folur para anëtarësisë demokrate në çdo qytet të Shqipërisë. Të njëjtin mendim ndan dhe Fatbardh Kadilli.
“Natyrisht i ka humbur dhe është eksperimenti i parë në politikë, që një forcë është për herë të tretë në pushtet. Blerja e votës ishte problem, por rezultati është humbje”- tha ai.
Edhe kandidatja Edith Harxhi beson se Basha nuk i frymëzoi shqiptarët që të votonin për opozitën pavarësisht se pranon përdorimin e pushtetit nga ana e mazhorancës.
“Ajo çka shohim ne sot, me Komisionin e Apelimit e Sanksioneve, fatkeqësisht nuk është vërtetuar ende asgjë, që të ketë ndodhur më datë 25 diçka e përmasave aq të mëdha së të ndryshonte rezultatin zgjedhor. Mendoj se ky rezultat ka qenë i vendosur përpara. Zoti Basha kam frikë se po mundohet të radikalizojë bazën demokrate. Por pavarësisht kësaj masakre pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46 për qind, pothuajse e njëjtë, me 0.2 për qind lëviz me zgjedhjet e vitit 2017 dhe ne kemi afërsisht 60 mijë vota më pak se në vitin 2013 kur humbëm karshi PS-së dhe aleancës së tyre të madhe të majtë”, argumenton ajo.
Qëndrimin zyrtar të partisë më të madhe të opozitës karshi kësaj çështjeje do ta tregojë dhe vendimi i saj politik për të njohur rezultatin dhe për të hyrë në Kuvend apo nëse do të vijojë me rrugën radikale të viteve të fundit. Partia Demokratike është e para parti e krijuar në Shqipëri pas rrëzimit të diktaturës komuniste dhe pas shpalljes së pluralizmit politik në vend.
Deklarata surprizë e Berishës, ç’ndodh në kampin blu dy ditë para zgjedhjeve
mapo.al
Një deklaratë e beftë, e papritur, por e qartë dhe e vendosur e Sali Berishës, ka dominuar në orët e vona të së enjtes dhe dje në mëngjes rrjetin social dhe mediat. Berisha ka lënë të kuptohet se ai mund të rikthehet në krye të PD, i pyetur nga Çim Peka në Syri-tv.
Lideri historik i demokratëve u shpreh se do të ushtrojë çdo të drejtë kushtetuese (pra për të zgjedhur e për t’u zgjedhur) dhe se ai nuk i konsideron më pengesat.
Ky qëndrim në vetvete është shumë i qartë. Sakaq, jo pak mbështetës të tij kanë shpërthyer me entuziazëm në Facebook, duke thënë që udhëheqësi, ose burri i shtetit, po kthehet.
Ky aktivizim i fortë i Berishës sjell një realitet të ri në PD, ku njihet fuqia dhe ndikimi i tij. Dhe kjo e gjitha, dy ditë para 13 qershorit, ku demokratët do të shkojnë në kutitë e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi më 25 prill qeveria e Ramës mori një mandat të tretë. Deri më tani pyetja ka qenë se cilin kandidat mbështet Berisha në këtë garë dhe a ka ai sërish të njëjtën marrëdhënie me Lulzim Bashën.
Mirëpo, qëndrimi i parmbrëmshëm duket se përmbys gjithçka lidhur me faktorin Berisha në PD. Mbetet për t’u parë se si do të jenë reagimet dhe deklaratat, pas surprizës të ish-kryetarit të PD. Duke nisur së pari, nga vetë kandidatët.
Sakaq duhet pranuar se me shpalljen që bëri lideri historik lëvizja tektonike në kampin blu ka ndodhur.
Sali Berisha duket se ka ndryshuar kurs pas shpalljes “non grata” që i bëri Departamenti i Shtetit. Ai vetë ka pranuar se kishte konsideruar tërheqjen nga politika, por pas këtij akti ndaj tij, ka vendosur të qëndrojë me gjithë energjitë dhe kapacitetin. Ai është po ashtu në një betejë ligjore, ku ka paditur në një gjykatë në Paris, Sekretarin e Shtetit Blinken.
Rivalët e Bashës/ Edith Harxhi: Vizioni im për ringritjen e PD-së
E para grua kandidate zyrtare për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Edith Harxhi, është afruar pranë kësaj partie në të njëjtën kohë me Lulzim Bashën. Ashtu si Basha dhe ajo konsiderohet si mikeshë e vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas studimeve universitare ajo u zhvendos në Turqi ku punoi si zv.ambasadore në ambasadën shqiptare në Ankara. Më pas, ajo punoi në Kosovë me Kombet e Bashkuara në çështjet gjinore, ku në partneritet me grupet e grave nga parlamenti dhe shoqëria civile hartoi Ligjin e parë të Barazisë Gjinore të Kosovës.
Ajo ka qenë për një kohë vartëse e Bashës kur ai ishte ministër i Jashtëm, pasi ka mbajtur funksionin e zv.ministres së Punëve të Jashtme në vitet 2005-2013 . Gjithashtu, ajo ka qenë përgjegjëse në marrëdhëniet e diplomacinë ndërkombëtare, si dhe në procesin e integrimit të Shqipërisë. Harxhi thotë se ka një vizion të ri për të ringritur partinë.
“Unë kam hyrë në këtë garë me një vizion të ri, me një projekt të ri, për të ringritur PD-në. Dhe mesazhi im gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë të ringrejmë, të riformatojmë Partinë Demokratike mbi idealet e ’90. Që do të thotë, se vizioni im parashikon fundin e tranzicionit në Shqipëri dhe fundin e tranzicionit dhe në Partinë Demokratike. Pra një projekt që fillon për herë të parë në këto 30 vite, që synon kthimin e Partisë në shinat ideologjike të djathta, një ristrukturim të thellë të PD-së, statutor, politik, me teza politike të forta, për të bërë të mundur rrëzimin e Qeverisë në një kohë sa më të shpejtë”, – thotë ajo.
Harxhi thekson se ka qenë një kritike e fortë brenda PD-së.
“Në vitin 2018, gjatë Kuvendit Kombëtar unë dhashë dorëheqjen nga qenia në Këshillin Kombëtar, por edhe kjo ishte pas një beteje shumë të fortë në Këshillin Kombëtar, kur në fund të vitit 2017 unë paraqita një statut të ri për reformimin e PD-së. Pra angazhimi im është i gjithanshëm, përveç angazhimit diplomatik që unë e mbaj gjithë kohën e mundohem të jem pranë kancelarive kryesore apo t’i informoj kancelaritë kryesore, për zhvillimet më të fundit në vend”.
Agron Shehaj: Një PD e hapur ku vendos anëtarësia
Mund të jetë një ndër njerëzit më të pasur në vend. Agron Shehaj ka nisur biznesin në vitin 2005 duke u kthyer ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend dhe numëron një pasuri rreth 50 milionë euro me kompanitë e tij brenda dhe jashtë vendit. Shehaj u fut në politikën aktive në zgjedhjet e vitit 2017 i ftuar nga Basha për t’u zgjedhur deputet në vendlindjen e tij në Vlorë.
Këto zgjedhje ai ishte drejtues politik në Tiranë ku shënoi një rezultat të lartë në votat personale duke rritur dhe votat e partisë në zonat ku kandidoi. Shehaj është i vetmi kandidat që e njëson veten me shtresën e ish-të përndjekurve politike, kauzë që e ka mbështetur dhe nëpërmjet fondacionit Kujto.al për kujtimin e viktimave të komunizmit. Ai shihet si një njeri i pëlqyer edhe nga elektorati gri jashtë PD-së, ndërsa ka bërë një fushatë të fortë duke takuar nga afër demokratë në çdo degë të vendit.
Shehaj thotë se ai do të forcojë partinë duke e hapur atë për të gjithë dhe duke krijuar meritokraci dhe garë të ndershme brenda saj.
“Unë mendoj se demokratët duan të fitojnë zgjedhjet e ardhshme. Dhe për të fituar ne duhet të kemi besimin e shqiptarëve, duhet të fitojmë besimin e shqiptarëve. Zgjedhjet fitohen vetëm nëpërmjet votës së shqiptarëve. Për të fituar zgjedhjet, Partia Demokratike duhet të jetë më e fortë dhe më e besueshme. Duhet të ketë rreth vetes, njerëzit më të aftë dhe më të zotë që ka Shqipëria, me të cilët të kemi mundësi të ndryshojmë Shqipërinë dhe ta bëjmë atë një vend më të mirë për të gjithë shqiptarët”, – thotë ai.
Ish-emigrant i vitit 1991 Shehaj nëse fiton do të thyejë tabunë që e lidh PD-në me Veriun e vendit. Ai e ka bazuar fushatën e tij në sulmimin e rivalit kryesor, kryetarit aktual të partisë duke i kërkuar të mbajë përgjegjësi për gabimet që ka bërë në drejtimin e opozitës. Sipas Shehajt me Bashën në krye demokratët do të jenë gjithmonë në opozitë.
Fatbardh Kadilli: Partia ka nevojë për transformim rrënjësor
Ish-deputet dhe anëtar i kryesisë, Fatbardh Kadilli, e pa veten jashtë listës së kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje. Ai ishte i pari që hodhi kandidaturën për kryetar dhe i kërkoi Bashës të jepte dorëheqjen dhe të mbante përgjegjësitë për humbjen në zgjedhje. Kadilli thotë se partia më e madhe e opozitës ka nevojë për një transformim rrënjësor për të ardhur në pushtet.
Ai shprehet se Partia Demokratike nuk duhet të jetë më ajo që ne trashëgojmë që nga periudha e zotit Berisha, apo qoftë nga periudha e zotit Basha. Ai ka paraqitur një manifest politik ku synon një parti më të madhe se kryetari dhe një parti më të madhe se vetvetja, që, sipas tij, “do të thotë se partia zmadhohet përmes partneritetit”.
“E treta, partia duhet të jetë frymëzuese. Partia frymëzon me modelin e saj, me mënyrën se si sillet, se si organizon punët e saj, sa demokratike është brenda vetes, sa përfaqësuese është e interesave përtej vetes, për t’u shndërruar në një lëvizje popullore. E katërta duhet të jetë e vërtetë, me kauza jo rastësore, si sende të gjetura në rrugë, por me kauza programore, të tilla si ndarja administrative, e cila është një çështje që duhet të trajtohet nga e para. Kushtetuta, ka nevojë për t’u balancuar, për t’u rikonsideruar e tëra sepse është arnuar aq shumë sa nuk gjendet copa origjinale e saj. Reforma në Drejtësi, është një nga pikat më delikate të sistemit të sotëm demokratik.
Ne duhet ta ushqejmë këtë Reformë, institucionet e saj, jo vetëm me teksturën ligjore e formale, por me moral shoqëror, me burime njerëzore dhe me mjetet e domosdoshme që ajo të jetë efikase. Këto janë sfidat programore që e bëjnë atë të vërtetë. Qëndrimi ndaj tyre e shpall të vërtetë ose të pavërtetë një parti. Dhe së fundi, partneriteti, partneriteti brenda saj, me organizimet rrotull saj dhe mbi të gjitha me partnerët strategjikë. Është e patolerueshme që kjo parti të jetë në një raport fërkimi apo moskuptimi me partnerët strategjikë të cilët janë aksionerë të rëndësishëm të demokracisë shqiptare, që janë garant të sigurisë së këtij shteti dhe të lirisë e demokracisë shqiptare”, shprehet Kadilli.