Mazhoranca qeverisëse mesa duket nuk tërhiqet nga ideja për të vënë në krye të Bankës së Shqipërisë një guvernator të huaj.
Por në fakt presidenti, Bujar Nishani ka paralajmëruar se, pas festave do të dekretojë guvernatorin e ri.
Siç duket tani është duke u bërë gati lufta e re mes qeverisë dhe presidencës, këtë herë për Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama i propozoi para disa kohësh Presidentit Nishani për Guvernator, argjentinasin Mario J. Blejer, propozim i cili u refuzua nga kreu i shtetit.
Por mesa duket nisma e kryeministrit është serioze dhe për këtë ka angazhuar 30 deputetë të shumicës për të ndryshuar ligjin.
Deputetët e mazhorancës kanë propozuar shfuqizimin e pikës 3 të nenit 44 të ligjit për Bankën e Shqipërisë i cili sanksionon që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë duhet të jenë me shtetësi shqiptare.
Propozimi i cili është depozituar në Kuvend do të shqyrtohet në komisione dhe me shumë gjasa do të miratohet në Kuvend.
Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, Guvernatori propozohet nga Presidenti dhe votohet nga Parlamenti.
Po sipas ligjit, Presidenti është i detyruar të propozojë emra brenda Këshillit Mbikëqyrës.
Në këtë mënyrë mazhoranca ka mundësi të hedhë poshtë të gjithë emrat e Presidentit derisa ky i fundit të propozojë emrin të cilin preferon mazhoranca duke qenë se ai zgjidhet brenda Këshillit Mbikëqyrës.
Gjatë një interviste televizive të pak ditëve më parë, presidenti Bujar Nishani tha se, shqiptarët do të mësojnë emrin e përzgjedhur prej tij për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, pas festave të Nëntorit.