TIRANË Projekti i ri politik brenda së djathtës është thuajse gati. Ish-anëtari i kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj deklaroi mbrëmë në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës në Top Channel, se partia e re politike është gati dhe se bashkëthemeluesit e saj kanë në përfundim e sipër edhe programin e ri politik. Biberaj sqaroi mbrëmë se deri më tani tri do të jenë figurat kryesore: ai vetë, Besnik Mustafaj dhe Gazmend Oketa, që aktualisht është deputet i grupit parlamentar të PD. “Së djathtës shqiptare i duhet një parti tjetër e fortë, sepse Partia Demokratike ka rrëshqitur shumë majtas, sidomos koalicioni me LSI-në e ka dëmtuar shumë PD-në…”, – tha Biberaj duke shtuar se pjesë e rëndësishme e kësaj force politike do të jetë edhe Presidenti aktual, Bamir Topi. Edhe ish-deputeti tjetër i PD-së, që pritet të luajë rol kyç në krijimin e partisë së re, Besnik Mustafaj, i ftuar në të njëjtin emision shkoi më tej në qëndrimet e tij: “Nuk kemi struktura drejtuese dhe gjykatë të zgjedhur, për shembull, ku mund të ankohet Aleksandër Biberaj për padrejtësitë që mund t’i bëhen për karrierë brenda lidershipit. Unë jam larguar nga politika dhe kam pranuar të jem anëtar i Këshillit Kombëtar vetëm për të qenë i ndershëm, duke mos thënë se jam i pavarur, pasi nuk jam. Unë mendoj se kjo rrymë e qendrës së djathtë e Bamir Topit i bën vetëm mirë së djathtës”. Mustafaj komentoi edhe reagimet e deritanishme të kryeministrit Berisha drejtuar Topit. “Kam qenë shumë i sinqertë kur kam thënë se Bamir Topi me statut është anëtar i Këshillit Kombëtar. Berisha, pa të drejtë institucionale deklaroi se Topi nuk ka vend në PD. Në këtë kuptim, si Aleksandri (Biberaj), si shumë demokratë të tjerë nuk e gjejnë më veten në PD, pasi ajo nuk është parti funksionale…Sot tavolinat gëlojnë nga demokratët e zgjedhur, pasi ata nuk kanë një forum”, – u shpreh Mustafaj, duke shtuar se PD-ja duhet të gjallërohet pasi në mungesë të saj do të dalë një parti tjetër. “Ku do ta çojë Bamir Topi 20 vite eksperiencë politike? Është njeri i dobishëm për Shqipërinë dhe jo thjesht për të realizuar ambiciet e tij politike. Kjo është një eksperiencë e dobishme për Shqipërinë. Kjo pakënaqësi që vjen mund të pasohet edhe me iniciativat që zoti Topi mund të ndërmarrë. Mendoj se profili i Topit është për të bashkuar dhe zgjeruar influencën elektorale të së djathtës. Partitë e tjera si LZHK dhe disa parti të tjera të djathta nuk kanë mekanizmin elektoral për administrimin e votave”, – tha Mustafaj.
Rotacioni i drejtimit
Ndërkohë burime nga ky grupim i ri politik thanë dje për gazetën “Mapo” se lëvizja e re politike do të drejtohet me rotacion dhe se do të shpallet në një datë të shënuar në muajin shkurt, me shumë gjasë ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, më 20 shkurt. Në qendër të kësaj lëvizjeje pritet të jenë tri figura politike të njohura të së djathtës, të cilët do ta drejtojnë forcën më të re politike në një periudhë të caktuar kohore deri sa Presidentit të Republikës, Bamir Topi t’i përfundojë mandati. Një ide e tillë është ngjizur që në hapet e para të kësaj lëvizjeje, atëherë kur në letër po shkruheshin emrat e parë që do t’i bashkëngjiteshin forcës së re. Edhe pse detajet nuk kanë përfunduar ende, mësohet se tre emrat e mësipërm, Besnik Mustafaj, Aleksandër Meksi, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj mund të jenë katër drejtuesit me rotacion të partisë së re. Mbështetës të kësaj lëvizjeje janë shfaqur edhe ish-deputeti demokrat Blerim Çela dhe ish-anëtari i kryesisë së PD-së, Omer Stringa. Biberaj tha dje se anëtarë të kësaj partie të re do të jenë edhe shumë deputetë aktualë të PD-së, që për momentin nuk mund të dalin hapur.