Deputeti demokrat Luçiano Boçi, i cili ka shpallur dhe kandidaturën e tij në primaret e PD-së së Elbasanit, duket se do të jetë kandidati i vetëm për opozitën në zgjedhjet e 14 majtit të vitit të ardhshëm.
Arsyet se përse askush tjetër nuk do të kandidojë përballë tij në primare, Boçi i lidhi me besnikërinë që kanë anëtarët e PD me njëri-tjetrin. I pyetur se si do të bëjë fushatë në Elbasan pasi përballë nuk do të ketë vetëm kandidatin socialist por edhe atë të grupimit të “Alibeajt”, Boçi u shpreh i bindur se ai do të jetë i vetmi kandidat i PD-së.
I pozicionuar me “Rithemelimin” në PD, Boçi mban postin e nënkryetarit të partisë, kryetarit të Grupit Parlamentar dhe deputetet.
“Është sfidë, pasi politika është sfidë në vetvete. Është pjesë e kërkesës së votuesve të qarkut të Elbasanit dhe kërkesë e anëtarëve të PD që unë t’i bashkohem kësaj sfide. Politika është ngjitje e shkallëve të shërbimit të qytetarit dhe nuk është thjesht marrje e posteve”, tha ai.
I pyetur se me çfarë sigurie del para qytetarëve të Elbasanit për të marrë bashkinë, të cilën ai e ka drejtuar një herë më parë, Luçiano Boçi tha?
“Mbështetësi dhe përkrahësi është qytetari dhe votuesi. Suksesi konkretizohet kur t’i i shërben edhe votuesit edhe qytetarit. Të qenit në opozitë nuk të bën ty kaq të afërt dhe aq efikas në atë që kërkon qytetari. Unë nuk e barazoj suksesin me të qenit në krye të Grupit Parlamentar apo deputet. Politika ka shumë korridore”.
Nga ana tjetër, Boçi u shpreh se sa alarmuese është gjendja e qytetarit sot dhe sidomos ajo e qytetarëve të Elbasanit. “Politika është mekanizëm për të zgjidhur këtë çështje dhe më mirë se sa një politikan nuk mund ta bëjë askush tjetër në gjykimin e tij”, tha Boçi i cili shtoi se sakrificën e parë e bën qytetari që jep votëbesimin për një kandidat të caktuar.
“Ne në politikë luajmë me besimin dhe besimi fitohet me gatishmërinë për të qenë afër qytetarit, për të bërë politika për të përmirësuar jetën e tij. Unë këtë besim e kam të shprehur përmes votës duke qenë se kam kaluar herësin në zgjedhjet e 25 prillit. Ky besim është ruajtur në komunikimet e mia të përhershme. Politika nuk është gjë tjetër veçse komunikim. Nuk mund të them që kjo na çon domosdoshmërisht në fitore, por është një nga rrugët.”
Deputeti demokrat theksoi se Elbasani është një nga bashkitë kryesore të vendit dhe beteja është e ashpër, por ka besim te reagimi dhe besimi i qytetarëve.