Një delegacion i përbërë nga shtatë organizata globale që merren me lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve ka qënduar në Tiranë 18-21 qershor në një mision ndërkombëtar mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri. Qëllimi i misionit ishte mbledhja e informatave rreth sfidave të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit në Shqipëri dhe për të përçuar shqetësimet drejtpërsëdrejti te përfaqësuesit e qeverisë.
Delegacioni është takuar me gazetarë; kryeredaktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare dhe ambasada të huaja të pranishme në Tiranë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, refuzoi të takohet me delegacionin.
Delegacioni konstatoi se liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim. Sulmet fizike të kohëve të fundit kundër gazetarëve kanë mbetur të pazgjidhura. Zyrtarët më të lartë publikë rregullisht përdorin gjuhë që ul vlerat dhe sulmon gazetarët kritikë. Administrata publike, përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë Tiranë, nuk janë transparencë në ndërveprimin e tyre me median dhe kufizojnë aksesin e gazetarëve kritikë. Legjislacioni i propozuar së fundmi i lidhur me median, përfshirë një skemë drakoniake rregullimi për median shqiptare dhe atë të huaj, nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Ne jemi të shqetësuar se Shqipëria, një demokraci, një Shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe një vend kandidat për Bashkimin Europian, nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit siç kërkohet nga ligji shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”, shprehet delegacioni.
Gjetjet
1. Amendimet e propozuara mbi rregullimin e medias
Koalicioni është thellësisht i shqetësuar nga propozimet e dhjetorit 2018 të qeverisë së Shqipërisë për ndryshime në legjislacionin mbi median në vend, i cili do të krijojë një kërkesë për regjistrim të detyruar të medias në internet dhe do të krijojë një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur median online dhe për të bllokuar mendian e huaj pa një urdhër gjykate.
2. Shpifja
Delegacioni shprehu shqetësim mbi atë që gazetarët e përshkruan si një numër në rritje të akuzave për shpifje të motivuara politikisht kundër gazetarëve të ngritura nga politikanët, shpesh duke kërkuar dëmshpërblime në shuma disproporcionale. Pretendime të tilla kanë pasoja serioze dëmtuese mbi gazetarët. Delegacioni vëren raportet pozitive nga gjykatat shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po zbatojnë standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastet e shpifjeve.
3. Siguria e gazetarëve: kërcënimet, sulmet dhe vetë-censura
Delegacioni u informua gjatë intervistave me aktorët se raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimet serioze kundër gazetarëve në lidhje me raportimet e tyre mbeten të pazgjidhura nga autoritetet. Së fundmi, gazetarët u plagosën gjatë protestave anti-qeveritare. Gazetarët investigativë janë ngacmuar apo pushuar nga puna për shkak të raportimeve të tyre, në disa raste pas ndërhyrjeve të dyshuara nga politikanë të partisë në pushtet. Në disa raste, gazetarët vendosin të mos raportojnë kërcënimet dhe sulmet te autoritetet përkatëse dhe të mos informojnë publikun.
4. Fushata denigruese kundër gazetarëve
Gjatë takimeve me gazetarët, delegacioni u informua se Kryeministri Edi Rama në mënyrë konstante i referohet atyre si “kazanë”. Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha i referohet medias si “të kapur dhe të blerë”. Një gjuhë e tillë denigron gazetarët dhe i bën ata të duken si shënjestër e ligjshme për agresion në sytë e publikut, duke rritur rrezikun e kërcënimeve apo dhunës kundër tyre
5. Transparenca e institucioneve – aksesi në informacion/konferenca për shtyp
Situata e aksesit në informacion dhe në transparencën e qeverisë në Shqipëri duket se është e përzierë. Nga njëra anë, ligji shqiptar për të drejtën e informimit shihet gjerësisht si i shkëlqyer, megjithëse zbatimi mbetet i papërshtatshëm. Autoritetet shtetërore vijojnë t’i mohojnë gazetarëve akses në dokumente me interes publik thelbësor dhe të ligjshëm – veçanërisht ato të lidhura me kontratat publike, tenderët dhe koncesionet – dhe përdorin taktika vonuese me rezultat që kur gazetarët në fund marrin informacionin, ai nuk është më relevant. Gjithsesi, si Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ashtu edhe gjykatat shqiptare janë duke luajtur një rol të rëndësishëm në konfirmimin e të drejtës së gazetarëve për të aksesuar dokumente.
6. Pronësia e medias
Misioni i delegacionit të gazetarëve konfirmoi se pronësia e medias shqiptare dhe të ardhurat nga reklamat janë shumë të
përqendruara në duart e pak grupeve nën pronësi familjare, me një shkallë të lartë pronësie ndërsektoriale. Kjo situatë është theksuar më herët nga BIRN Albania dhe Reporterë Pa Kufij. Një ligj i mëparshëm që mbart rregulla specifike mbi pronësinë e stacioneve televizive nuk është më në fuqi.