Aktualitet

Gazetarët nuk janë armiq














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 05/05/21 |
Imer Mushkolaj

Po të lexosh komentet në rrjetet sociale të krijohet përshtypja se gazetarët dhe mediat janë armiqtë më të mëdhenj të shoqërisë. Sharje e fyerje nga më të ndryshmet, gjuhë e urrejtjes dhe gjuhë denigruese, thirrje për linçim dhe vrasje – kjo është “atmosfera” që përvijohet në mijëra komente lexuesish, të cilëve nuk iu pëlqen se si një media ka raportuar, ose nuk iu pëlqen një mendim i dikujt për një çështje. Një shoqëri është e lirë kur ka media të lira, media dhe gazetarë që raportojnë pa frikën se dikush mund t’iu hakmerret. Një shoqëri është e lirë kur gazetarët janë të lirë, kur të lirë janë të gjithë që ta thonë atë që mendojnë, të shprehen lirshëm.






Sepse, lirinë e shprehjes nuk ta fal askush. Ajo, thjesht, të takon. Në shoqëritë normale, demokratike, mediat konsiderohen partner i pushtetit. Partner në kuptimin që secila palë e kryen punën e vet – pushteti në shërbim të qytetarëve, e mediat në shërbim të informimit të tyre. Gazetarët nuk janë dhe nuk duhet të shihen si armiq të cilitdo pushteti. Askund. As në Kosovë. Unë mund t’i kuptoj sentimentet – sidomos të militantëve të partive politike, për të cilët liderët partiakë janë të paprekshëm, të pagabueshëm, gati-gati të shenjtë.


Por, kjo nuk iu jep atyre të drejtë të fyejnë, të sulmojnë verbalisht e fizikisht gazetarë vetëm pse ata raportojnë për gjëra që atyre mund të mos iu pëlqejnë. Sepse, po të mos ishin mediat, në Kosovë nuk do të zbuloheshin dhjetëra e dhjetëra skandale të pushtetit, të politikës, të bizneseve të lidhura me politikën. Po të mos ishin gazetarët pushteti do të ishte më i papërgjegjshëm e arrogant, mosllogaridhënës e inferior karshi qytetarëve. Po të mos ishin gazetarët dhe mediat qytetarët nuk do të merrnin vesh dallaveret e politikës në kurriz të tyre.





* * *
Ekziston një keqkuptim, shpeshherë i qëllimshëm, se gazetarët dhe mediat janë të paprekshëm, se mund të bëjnë çfarë të duan e të veprojnë si të duan, pa frikën se mund të ndëshkohen. Kjo qasje është mbjellë në mendjet e njerëzve nga armata të tëra komentuesish në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook, të cilët nuk ngurrojnë të sulmojnë të gjithë ata që nuk iu përshtaten mendësisë së tyre politike. Kosova ka një kornizë solide ligjore, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, që rregullon punën e mediave. Pra, gazetarët nuk janë kurrfarë speciesh të veçanta, të mbrojtur nga ndonjë ligj special. Edhe ata, si çdo qytetar, iu nënshtrohen ligjeve kur gabojnë. Vetëm se në të tilla raste lypset të ndiqen procedurat e nevojshme dhe askush të mos e marrë vetë ligjin në dorë, për të qëruar hesapet me gazetarë.

Lexo edhe :  Shansi i Albinit


Nëse mediat kanë shpifur, ekzistojnë procedura, ligje e organizma në të cilat adresohet secila ankesë a pakënaqësi. Nëse mediat nuk kanë raportuar drejt, ekzistojnë mekanizma rregullues e vetërregullues, ekziston rregullativë e caktuar ligjore për të tilla çështje. Në Kosovë shpifja dhe fyerja janë të dekriminalizuara, që do të thotë se gazetarët nuk dënohen me burgim, por me gjobë. Kjo nuk nënkupton se ata nuk duhet të respektojnë kodin e etikës dhe të shpifin qëllimshëm. Por, asnjëri nga ta nuk duhet të sulmohet e linçohet vetëm pse mendon ndryshe nga militantët e një partie, ndryshe nga udhëheqësit e partive ose grupet e ndryshme të interesit.


* * *
Pushtete të papërgjegjshme do të dëshironin të qeverisnin shoqëri pa media dhe gazetarë. Ose, shoqëri në të cilat gazetarëve iu mbyllet goja, duke i krijuar vetes hapësirë për të bërë çfarë të duan. Por, një ndër postulatet kryesore të të qeverisurit përgjegjshëm është transparenca karshi qytetarëve. Kur transparenca mungon, mediat janë ato që nëpërmjet burimeve të veta raportojnë çfarë është duke ndodhur. Sepse, qeveritarët janë aty për të qeverisur hapur, e jo duke u fshehur dhe fshehurazi nga qytetarët.

Të hënën, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, politikanët në Kosovë zgjodhën fjalët më të mira për mediat dhe gazetarët. Por, thellë-thellë ata nuk mendojnë ashtu. Sepse, po të ishin aq të sinqertë e të ndjeshëm, ata do të merreshin së pari me militantë e përkrahës të tyre, të cilët çdo ditë krijojnë frymë kontaminuese në rrjete sociale dhe jo vetëm.

Edhe njëherë: gazetarët nuk janë të paprekshëm. Por, askush nuk i jep të drejtë askujt që të marrë ligjin në dorë dhe t’i sulmojë ata. Një shoqëri ku sulmohen e burgosen gazetarët nuk është shoqëri e lirë. Kosovarët e dinë më së miri se çfarë do të thotë të mos jesh i lirë.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas