Media

Gazetari Elez Biberaj nderohet me titull “Qytetar Nderi i Tropojës”







               Publikuar në : 18:26 - 03/05/19 |
mapo.al

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit Bashkia e Tropojës të premten nderoi gazetarin e Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, Drejtori i Divizionit të Euroazisë, me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës”. Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj tha se doktor Elez Biberaj dhe familja e tij kanë dhënë një kontribut të gjërë për shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo ku ata jetojnë.


“Me mijra e mijra shqiptarë, në Shqipëri dhe Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, por edhe në diasporë emri i Elez Biberajt është kthyer në një legjendë. Zëri i tij ka qenë kushtirim lirie në vitet historike të shqiptarëve, në fundin e shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, ka qenë ogur i bardhë dhe forcë besimi dhe shprese për ditë dhe kohë më të mira”, tha zoti Dushaj.

Duke falenderuar bashkinë dhe popullin e Tropojës, doktor Elez Biberaj tha se ndjehej krenar për prejardhjen e familjes dhe trashigiminë e pasur të prindërve. Ai shtoi se, duke qenë një shtetas amerikan, pati mundësinë për të dhënë një ndihmë shumë modeste në mbështetje të aspiratave demoktratike të kombit.

“Jam krenar që, nëpërmjet “Zërit të Amerikës” më është dhënë mundësia që të luaj një rol modest në përcjelljen e parimeve dhe idealeve demokratike amerikane tek shqiptarët, kudo ku ata jetojnë. Mendoj se është me rëndësi që sot, në Ditën Ndërkombëtare të Shtypit, të kujtojmë se media e lirë dhe e vertetë janë armë të fuqishme në shërbim të lirisë dhe demokracisë. Shqiptarët kanë bërë shumë sakrifica në rrugën drejt lirisë dhe demokracisë. Si shqiptaro-amerikan jam i lumtur që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë qendruar përkrah jush në këtë periudhë historike dhe kanë mbështetur me forcë përpjekjet tuaja për t’u bashkuar qartësisht me familjen e vendeve dhe shoqërive demokratike perëndimore.”

Për kontributin e zotit Biberaj në “Zërin e Amerikës” dhe zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe rajon folën edhe disa nga përsonalitetet, pjesëmarrëse në ceremoninë e zhvilluar të premten.

Ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Tropojës” u shoqërua edhe me një film dokumentar kushtuar familjes Biberaj.

Gazetari dhe analisti i njohur i zhvillimeve politike, Elez Biberaj, filloi punën si gazetar në “Zërin e Amerikës” në vitin 1980. Aktualisht ai është drejtor i Divizionit të Euroazisë në “Zërin e Amerikës”.

Zoti Biberaj është nderuar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas