Gazetari i sportit Alban Xhihani është bërë prej 3 muajsh baba i një vajze. I ftuar në emisionin “Ditë e Re”, Xhihani foli për mënyrën se si ka ndryshuar jeta e tij, si dhe për zgjedhjen e emrit të veçantë të vogëlushes; Uma, që në gjuhën hindu do të thotë “shkëlqim”. Ai gjithashtu u ndal tek profesioni i gazetarit dhe formimi që kanë përgjithësisht ata të sportit.
“Përpara ishte se ku do të pija kafen, tani është krejt ndryshe. Shikon një krevat të vogël brenda dhomës dhe çohesh e shikon krevatin. Duket sikur po përjeton një ëndërr. Kur e mora për herë të parë në krahë, nuk dija çfarë të bëja. Qeshja dhe gëzoja, sikur mbytesha…”-tha fillimisht Alban Xhihani. “Doja një emër të shkurtër, sepse këtu ta shkurtojnë emrin rrugës”-u shpreh Xhihani duke qeshur, pasi u pyet nga moderatorët e emisionit për emrin e vajzës.
“Në fushën e gazetarisë së sportit ka njerëz të zotë dhe të pazotë, siç ka dhe moderatore të painformuara, por kjo është dhe pjesë e mënyrës se si funksionon një program. Edhe në Itali, nuk besoj se vajzat që dalin atje janë plotësisht të informuara, sepse pas ka një staf të tërë. Mjafton që të kesh cilësi si prezantuese dhe e menaxhon”-vijoi Xhihani, duke shtuar se nuk do të preferonte që vajza e tij të përfshihej në fushën e sportit.