Ka mjaftuar një shkrim nga gazeta më e madhe gjermane, Bild, për të trazuar kryeministrin Edi Rama. Ai u shfaq kontradiktor mbrëmjen e djeshme, duke mos mohuar se shfaqet në përgjime. Por Peter Tiede, njeriu që drejton redaksinë politike në Bild, bën një lajmërim tjetër: Uroj të mos udhëhiqeni më nga gangsterët.
Peter Tiede ndoshta nuk e ka menduar se ajo që e priste pasi publikoi një shkrim në gazetën e tij, Bild, do provokonte kaq shumë reagime. Redaktori i politikës në median më të madhe gjermane, e provoi ‘shijen’ e asaj që priste sapo e hodhi shkrimin në faqen personale në FB. Ndër komentuesit e parë ishin ata që e akuzonin se ishte i blerë.
Por në një koment, dikush i kërkon gazetarit që të mos ketë frikë.
“Mos u frikësoni. Emri juaj do të baltoset nga mediat dhe politikanë qeveritarë gjatë ditëve të ardhshme. Kolegët tuaj shqiptarë mund të këndojnë të njëjtën këngë. Është normale për dikë që guxon të tregojë realitetin. Jetojmë në absurdistan”, i shkruan dikush. “Gjithë të mirat, ata ia kanë nisur tashmë. Unë jam shumë i relaksuar,” thotë gazetari.
Reagimi i dytë i gazetarit të ‘Bild’
Gazeta Bild mund të botojë të tjera shkrime, pas artikullit që tronditi politikën shqiptare. Gazetari Basir Çollaku thotë se reporteri gjerman, Peter Tiede do publikojë të tjera fakte. Ndërkohë mësohet se Tiede, që në fakt është një nga gazetarët e rëndësishëm të Bild, pasi drejton redaksinë politike, ka qëndruar disa ditë në Shqipëri dhe ka vizituar e ka marrë dëshmi të ndryshme. Për Fax News, Tiede shprehet:
“Unë jam angazhuar për artikullin tim, kam bërë atë që bëjnë gazetarët, kam shkruar atë që kam parë, kam folur me njerëz dhe kam siguruar informacione dhe dokumente në bazë të të cilave kam bërë dhe artikullin tim. Artikullin e lirë e të pavarur që një gazetar normal në Gjermani, Europën Perëndimore apo dhe në vendet e lira dhe demokratike, paguhet. Uroj që dhe kolegët e mi shqiptarë të kenë të njëjtën mundësi, dhe uroj që populli shqiptar të mos udhëhiqet më nga gangsterët, kriminelët, hajdutët apo politikanët e korruptuar”.
Ndërkohë pasi kryeministri Edi Rama e akuzoi si autori i artikullit të publikuar nga gazeta “Bild”, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në reagimin që bëri është shprehur se deklarata e kreut të qeverisë është gënjeshtër dhe se ai ka vetëm tre fjali në artikull siç është edhe cituar. “Fakt është që unë jam cituar për deklarime të hershme të miat, në atë shkrim vetëm me tre fjali. Nëse ato tre fjali janë ende të pagëlltitshme nga Kryeministri, ky është problem i tij, jo imi”, shkruan Manjani.
Përgjimet telefonike
Kryeministri Edi Rama e pranon se është ai pjesë e përgjimeve në dosjen 184, e cila flet për blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore në Bashkinë e Dibrës, të fituar me 4 mijë vota diferencë nga kandidati socialist, Muharem Rama. Kreu i qeverisë tha se ai ka zhvilluar biseda telefonike gjatë kohës kur po zhvilloheshin zgjedhjet, por jo në atë kontekst që janë publikuar në media. Rama thotë gjithashtu se ai bën mijëra biseda telefonike, ndërsa rastin konkret tha se nuk e mbante mend. “Ju më kërkoni të kujtoj fjali specifike, nuk mund ta kujtoj. Por kurrë nuk ka ndodhur që unë të merrem me këto pisllëqe të cilat kanë marrë përsipër t’i pastrojnë ata që janë shkaku kryesor i krijimit të këtij pisllëku. Unë nuk kam asnjë problem që të përballem me çdo lloj hetimi”, u shpreh Rama.
Nuk kam gjë me ‘Bild’
Kryeministri Edi Rama tha se artikullin e gazetës gjermane Bild, ku Shqipëria trajtohej si shtet mafioz në duart e gangsterëve e ka shkruar ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe gazetari Basir Çollaku, të cilët janë intervistuar nga gazetari gjerman Peter Tiede. Nuk kam me Bild-in asnjë gjë, këtë e ka shkruar Ylli Manjani dhe Basir Çollaku. Njëri i Tv Shijakut, Basir Çollaku dhe tjetri i filxhan-partisë. Janë këta të ty që janë furnizuesit dhe autorët e këtij teksti. Ka bërë një publikim bazuar në këto burime, shqiptarët e dinë mirë se çfarë përfaqësojnë këto burime, gazetari i BILD ka marrë këto burime të shquara dhe unë nuk kam çfarë t’i them…, u shpreh Rama. Rama u shpreh disa herë se ai nuk ka asgjë me median gjermane, por me burimet në Shqipëri që ka cituar gazetari. I pyetur, lidhur me reagimin zyrtar të mazhorancës, përmes Blerina Gjylametit, e cila kontestoi vërtetësinë dhe besueshmërinë e Bild, Rama u shpreh se deputetja është shprehur në kokën e saj, dhe ai nuk ka patur dijeni. Madje, sipas Ramës, ai i ka tërhequr asaj vëmendjen, për reagimin, me të cilin nuk është dakord.