Aktualitet

Gazetari, polici dhe urdhri i detyrës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:17 - 28/07/21 |
mapo.al

Po, edhe unë i pashë pamjet e filmuara në një nga rrugët e Tiranës me protagonistë disa njerëz me dhe pa uniformë, që me kobure në dorë bërtisnin e shanin dhe që prezantoheshin se ishin Policia e Shtetit, teksa rrekeshin të nxirrnin nga një makinë e ndaluar drejtuesin e saj, i cili një zot e di se përse nuk pranonte t’u dorëzohej atyre e zgjodhi të ikë.






Iku dhe i la aty në mes të sheshit ashtu të menderosur e të turpëruar prej paaftësisë së tyre profesionale, aq sa nga hutimi e nervozizmi, iu sulën atij që gjetën më pranë, gazetarit të televizionit “News 24” Ergys Gjençaj, i cili pati rastin që çdo gazetar profesionist do të donte ta kishte, të ndodhej në një ngjarje të pazakontë, e nisi të kryejë detyrën.


Ky është me pak fjalë përshkrimi i ngjarjes, prej nga ku po marr shkas të ndaj me ju lexuesit e mi disa vlerësime dhe opinione krejt personale, i shtyrë prej vullnetit të mirë për ta parë Policin e Shtetit si modelin e qytetarit në kryerjen e detyrës.







Së pari, asnjë motiv, asnjë arsye apo shkak, asnjë rrethanë sado specifike që mund të jetë për shkak të natyrës së operacionit apo ndërhyrjes policore, nuk e përligj aktin e dhunës së policëve ndaj gazetarit.



Policët vërtetë ishin në detyrë, por në detyrë ishte edhe gazetari. Detyrat e tyre, edhe pse të ndryshme, nuk janë në anët e kundërta të barrikadës. Madje janë skalione në të njejtin front.



Urdhëri i shenjtë i detyrës, kodi i përgjegjësisë për pērmbushjen e misionit i urdhëron të dy palët.

Por, nëse policët e ngjarjes në fjalë e humbën betejën e tyre në sfidën për t’u shfaqur si qytetarēt model, siç duhet të jenë në fakt, gazetari në pozicionin e vet të qytetarit, iu dha policëve modelin e tyre të munguar jo vetëm prej përgjegjësisë individuale, por edhe prej modelit të shefit.

Së dyti, cilado të ketë qenë detyra e tyre në atë zonë të qytetit, nuk mund të pranohet dhe as të justifikohet rrugaçëria e sjelljes, fjalori i njejtë me atë të njerëzve ordinerë e të pakulturuar dhe konfuzioni i veprimeve që vetëm veprime policore prej profesionistësh nuk ishin.

Policia nuk bërtet. Specialistët e policisë nuk shkojnë në një operacion policor me duar në xhepa dhe ata nuk i luten objektit që kanë në ndjekje “hape derën”. Polici i Shtetit bën detyrën, zbaton ligjin dhe mbron nderin e shtetit.

Së treti, është e pafalshme mungesa e profesionalizmit. Konfuzë, të paqartë, psikologjikisht të tensionuar dhe nervozë e madje edhe të përfshirë nga paniku, ata nuk e dinin as se ke duhej të ndalonin dhe as se si duhej ta ndalonin.

Pra ishin të papërgatitur dhe kjo i çoi nga njëri gabim në tjetrin e gabim pas gabimi deri në gafën e ndalimit të dhunshëm e të papërligjur të gazetarit.

“Leximi” me paanësi dhe pa emocion i ngjarjes na rikthen edhe një herë tek raporti i policit me qytetarin dhe anasjelltas.

Për shumë arsye, edhe personale disa prej tyre, kur është fjala për të gjykuar nga pozita e qytetarit veprimet apo mosveprimet e policisë, unë jam ndër ata që gjithmonë bëj shumë kujdes që prej rastit, të mos përgjithësoj e të mos përfshij të tërën.

Sepse e njoh Policinë e Shtetit shumë mirë dhe e di që në rradhët e saj shërbejnë heronj të vërtetë, profesionistë të zotë, qytetarë të devotshëm dhe të sakrificës deri në flijim nëse e do përmbushja e detyrës, zbatimi i ligjit, mbrojtja e rendit dhe e jetës së qytetarit. Madje të tillë janë shumica.

Lexo edhe :  Sezoni i ri i RTV Ora një progamacion për të gjithë shqiptarët, surpriza Luan Rama vjen me "Drejt"

Por kjo ndjesi dhe ky nderim nuk mund të më bëjë të mos ndjej neveri për atë “policin tjetër”, për atë që bërtet sepse nuk di të flasë, që fyen, ofendon dhe sillet si i fortë ( sinonimi i rrugaçit!), sepse nuk e di çfarë është edukata, që dështon në kryerjen e detyrës, sepse është i paaftë.

Ky njeri nuk është Polici i Shtetit dhe nuk e meriton të mbajë uniformën e shenjtë.

E kam shkruar edhe më parë dhe po e përsëris se shoqëria, publiku i ka deleguar policisë monopolin e përdorimit të forcës vetëm në interes të tyre dhe në atë masë sa për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Përdorimi i forcës në bazë të doktrinës së forcës minimale, absolutisht të domosdoshme dhe proporcionale, përbën një nga kriteret që mund të ndërtojë ose të gërryejë e rrënojë besimin publik.

Mirëpo, ndërsa për të fituar dhe merituar besimin e publikut policisë i është dashur edhe të sakrifikojë, rrënimin e sjell edhe një rast i vetëm.

Prandaj, përveç njohurive “ex cathedra”, agjentëve dhe të gjithë atyre që çertifikohen të shërbejnë në Policinë e Shtetit, nuk u mësohet në praktikë ajo që quhet “higjena shoqërore”, çka do të thotë një formim moral i palëkundshëm për organizatën elitë në të cilën do të bëjnë pjesë, një çertifikim jo vetëm i dijes, por edhe i të sjellurit, një edukim me normat e jetës së qytetëruar të përditshme deri në stabilitetin shpirtëror dhe financiar të personit dhe familjes së tij.

Rasti që citova në krye të shkrimit dhe prej nga mora shkas të shkruaj këto rradhë, nuk është për fat të keq një dukuri e rrallë.

Përkundrazi, arroganca, brutaliteti, dhuna në shkelje të ligjit dhe mungesa e respektit për uniformën janë sendërtimi i modelit që ofron politika, qeverisja, drejtuesi, titullari, udhëheqësi.

Ndaj e keqja dominon në rrugë edhe pse është periferike në rradhët e policisë. Mirëpo kjo e vërtetë nuk mund dhe nuk duhet të na shtyje sa ta pranojmë të keqen që na vjen prej rrugës.

Shoqëritë qytetare e kanë zgjidhur me kohë dilemën e anës që duhet të zgjedhin. Ne me sa duket, kemi ende edhe shumë rrugë për të bërë me shpresën se një ditë do të mund të jemi shoqëri qytetare.

Jo vetëm dhuna ndaj gazetarit por edhe dhuna ndaj çdo qytetari, cilido qoftë statusi i tij social dhe ligjor, nuk do të mund të marrë fund nëse ne nuk e kultivojmë e nuk e bëjmë tonën institucionin e ndjesës, si shenjën e parë të qasjes qytetare ndaj vetes dhe ndaj shtetit.

Drejtori i Policisë së Shtetit duhet të dalë dhe t’i kërkojë ndjese gazetarit të lënduar dhe të fyer publikisht. Mandej duhet t’u thotë qytetarëve se cili është qëndrimi i organizatës që ai drejton pēr rastin që po referoj dhe se sa funksional është institucioni i ndëshkueshmërisë, meqë pandëshkueshmëria është shndërruar në mënyrë jetese ndër ne shqiptarët.

Polici i Shtetit duhet të jetë qytetari model i vendit tim, Policia e Shtetit duhet të shndërrohet në krenarinë tonë

Çdo qytetar shqiptar dhe çdo qytetar i huaj që vjen në Shqipëri, duhet të gjejë tek polici shqiptar përfaqësuesin dinjitoz, të kulturuar dhe me integritet, duke filluar që me uniformën e paraqitjen e tij të jashtme dhe deri tek etika dhe kultura e komunikimit, sepse siç e ka thënë policologu italian Luixhi Mone, “nuk ka simbol më të drejtpërdrejtë se uniforma që të jep mundësinë e leximit të shtetit, dhe nuk ka profesion më të plotë se polici që të imponon gjykim për institucionin”.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas