Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të mbajë premtimin për pagesat e naftëtarëve.
Bardhi sjell në vëmendje me video premtimin e Ramës të vitit 2016 se naftëtarët do të merrnin pagat e prapambetura si dhe do t’u paguheshin edhe siguracionet.
“Sa herë flet, Edi Rama mashtron. Vetë u premtoi naftëtarëve se do të hapë rafinerinë, vetë u premtoi se do të paguhej paga e tyre.
Premtimet e tij me zë dhe me figurë tregojnë një kryeministër të papërgjegjshëm, të pandjeshëm, të paaftë. Halli i naftëtarëve dhe i çdo shqiptari zgjidhet duke larguar këtë kryeministër mashtrues dhe hajdut”, thotë Bardhi.
Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD vjen pas replikave të kryeministrit me përfaqësinë e naftëtarëve, të cilët nuk dalin nga greva pa marrë garancinë nga qeveria se kërkesat e tyre do të shqyrtohen. Ndërsa nga ana tjetër, kryeministri ka vënë si kusht për nisjen e bisedimeve mbylljen e grevës së urisë.