Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe drejtuesi politik në Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi denoncoi sot nga Kuvendi Kombëtar i PD, manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Bardhi tha se Edi Rama pengoi me forcë rotacionin politik. Duke iu drejtuar delegatëve dhe anëtarëve të PD, Gazment Bardhi përsëriti mesazhin për të mbajtur gjallë shpresën për ndryshim.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë mbështetën alternativën e PD në Elbasan dhe të gjithë Shqipërinë, por shtoi se kryeministri Edi Rama përdori çdo aset të shtetit si dhe duke bashkëpunuar me grupet kriminale, bëri të mundur pengimin e ndryshimit në 25 prill.
“Edi Rama e vrau votën, por nuk ia doli dot të mbyste idetë dhe alternativën tonë për demokraci, për votën e lirë, planin ekonomik që u jep zgjidhje shqiptarëve dhe për integrimin europian. Ne duhet të mbajmë gjallë shpresën se ndryshimi po vjen, u ndalua me forcë përkohësisht por është i pashmangshëm, sepse ka të bëjë direkt me jetën dhe aspiratën e qytetarëve shqiptarë. Duke nisur me këtë Kuvend Kombëtar e në betejat e përditshme politike që do të bëjmë së bashku ne do të inkurajojmë këdo e kurdo, çdo energji të shoqërisë, për t’u bashkuar në luftën e pandalshme për shembjen e regjimit dhe për kthimin e Shqipërisë sonë të dashur në normalitet. Në çdo ambient ku jemi, duhet të përcjellim mesazhin se Shqipëria do të bëhet, ne do ta bëjmë. Nuk do mund të shkojmë kurrë deri në fund pjella e një maskarade elektorale dhe kriminale si ajo që ndodhi në 25 prill. Është sfida jonë, që jo vetëm të mos gjunjëzohemi, por të rritemi për ditë e më shumë duke hapur mendjen, zemrat, dyert për shoqërinë. Ne jemi e vetmja shpresë, e vetmja shtëpi e atyre që duan një Shqipëri Europiane, të zhvilluar, që ofron shanse dhe mundësi për të gjithë“, u shpreh Bardhi.
Bardhi tha se PD bëri dhjetëra denoncime në SPAK para dhe gjatë fushatës elektorale, për shkeljet dhe abuzimet nga mazhoranca, bashkitë dhe drejtoritë në Qarkun e Elbasanit. Për Bardhin, kryeministri Edi Rama u provua si armik i votës së lirë. Çdo resurs i shtetit, tha ai, u vendos në funksion të shitblerjes së votës.
“Shihni lajmet e përditshme, rastet e kapura nga SPAK-u janë një pjesë e vogël e zullumit, kërkojnë para dhe bëjnë plaçkë çdo gjë, kudo dhe me çdo mundësi që kanë. është stili i tyre i jetës, është mentaliteti, ideja që kanë në kokë, nuk bëjnë dot ndryshe. Të gjitha miliardat që nxjerrin i vendosin në funksion të makinerisë së blerjes së votës. Edi Rama është një armik i konsoliduar i votës. Dosjet 339 dhe 184 ishin saktësisht historia, provat, dëshmia sesi një ndërhyrje kapilare e shtetit e bërë bashkë me krimin, arrijnë të prodhojnë një rezultat spektakolar zgjedhor në një bashki apo qark të caktuar. Në fakt, 184 e 339 ka ndodhur kudo, masivisht, në 25 prill. Makineria e manipulimit të votës ka qenë në marshin maksimal dhe nuk është ndalur në asnjë çast. Duke e ditur se nuk kanë pëlqimin e qytetarëve, në të 7-të bashkitë e Elbasanit u sulën me të gjithë fuqinë e pushtetit, të bashkive, drejtorive, me forcat e bandave më famëkeqe, trafikut të drogës në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar me lejen e policisë dhe prokurorisë së rrethit, për të prodhuar vota. Rezultati i 25 prillit nuk ka asnjë lidhje me vullnetin e lirë, me atë që njerëzit mendojnë e shprehin. 25 prilli ishte takimi i shqiptarëve me zgjidhjen, me rrugën e daljes nga kriza e shumëfishtë, masivisht shqiptarët ishin të bindur për nevojën për ndryshim. Por ndryshimi u pengua, nuk u lejua të ndodhte, u ndalua me forcë dhe pasojat po i vuan dhe do t’i vuajë vendi, sepse është e njëjta gjë si të stoposh qarkullimin e gjakut në një organizëm, freskimin e tij dhe kjo nuk ka asnjë rrugë tjetër për t’i shpëtuar dhimbjes dhe lëngatës. Vendosja e çdo zyre shtetërore në funksion të kapjes së votës, mobilizimi i bandave dhe krimit në këtë funksion, presionet skandaloze ndaj administratës publike, hedhja e miliona euro të pista në çdo qark, prodhuan përbindëshin që sot kemi në krye”, deklaroi Bardhi.
Duke akuzuar qeverinë për bashkëpunim me krimin në Elbasan, Bardhi tha se të inkriminuarit arritën deri aty sa shërbenin si shoqërues të Edi Ramës.
“Kriminelët e Elbasanit kishin aq shumë mbështetje nga politika, sa shërbyen si eskortë të Edi Ramës”, akuzoi Gazment Bardhi.
Shqipëria, vijoi numri dy i PD, ndodhet sot në udhëkryq, shqiptarët përjetuan një nga krizat më të këqija, shkaktuar nga keqqeverisja 8-vjeçare e vendit.
“Jemi mbledhur në këtë Kuvend në një moment të vështirë për vendin, në një moment udhëkryqi për Shqipërinë. Kriza që shqiptarët jetuan për 8 vite me dukuritë më të këqija të një qeverisje, ka shtrirë tentakluat edhe më shumë me tendencat për të asfiksuar totalisht vendin. Kjo mazhorancë ka humbur çdo aftësi, vullnet dhe dëshirë dëshirë për të shërbyer, është e kalbur dhe e zhytur në kënetën e saj të abuzimeve dhe hajdutërisë. Por gjithkush e di se një shumicë e tillë e korruptuar e ka instrumentin për të ndalur zgjedhjen e lirë të qytetarëve dhe këtë bëri në 25 prill”.