Aktualitet

Gen-D, një platformë rajonale në fushën e edukimit digjital






               Publikuar në : 10:12 - 24/06/19 |
mapo.al

Ky program i aftëson mësuesit, studentët dhe të rinjtë të përdorin në mënyrë inteligjente dhe proaktive burimet digjitale për të marrë drejtim në jetën e tyre, në karrierë dhe pa dyshim në shoqërinë dhe vendin e tyre.


Programi “Gen-D – Nurturing a Digital Future” , i vënë në jetë nga Propulsion me mbështetjen e Microsoft,  u prezantua për herë të parë me qëllimin që të japë kontributin e tij në transformimin digjital në fushën e arsimit në Shqipëri dhe në vende të tjera pjesëmarrëse në këtë program. Në përmbyllje të diskutimeve të panelit dhe në përputhje me të gjithë kuadrin strategjik që synon zhvillimin e një shoqërie digjitale në Shqipëri, bashkëpunimi me këtë program do të përfaqësojë një burim të vlefshëm për të mësuar dhe për të përcjellë dije në fushën e informatikës.

Përmes platformës së këtij programi, studentët e të gjithë rajonit do të kenë në dispozicion të gjitha materialet e krijuara në Serbi në gjuhën angleze, dhe jo vetëm kaq, por në të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë program (Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroacia, Bullgaria dhe Serbia), partnerët në këtë program do të punojnë për të lokalizuar materialet e ofruara në një qasje novatore në mbështetje të standardeve arsimore dhe për përmirësimin e tyre.

Microsoft është gjithmonë e gatshme të mbështesë çdo nismë që nxit zhvillimin e industrisë vendase të IT-së. Ajo që të gjithë së bashku kemi ndërmarrë për reformën e edukimit në fushën e IT-së nëpër shkolla ndoshta shënon suksesin më të madh në rrugëtimin tonë të gjatë, pasi ne po krijojmë ata breza që programimi do t’u duket i lehtë dhe familjar. Për këtë arsye, është tejet e rëndësishme që këtë sukses ta tregojmë dhe ta ndajmë mes nesh në të gjithë rajonin, – u shpreh Tanja Tatomirović, drejtuese për Komunikimin dhe Filantropinë për Microsoft CEE Multi-Country, ku përfshihen 24 vende).

Në implementimin e kësaj platforme në rajon Serbia ka avancuar, ndërsa pritet të bëhet pjesë edhe e programeve mësimore në vendet e tjera të Rajonit, ku përfshihet dhe Shqipëria.

Programi mësimor i nxënësve në Serbi e përfshin programimin që në klasën e pestë, ndërsa programi i mësimit të shkencave kompjuterike në shkollat fillore dhe shkollat e mesme është transformuar ndjeshëm gjatë këtyre viteve të fundit, duke e kthyer atë ndër programet më të suksesshëm në Evropë. Deri përpara pak vitesh, programimi përmendej rrallë në tekstet shkollore në shkollat fillore dhe të mesme në Serbi. Sot, fjalë të tilla si “Python” dhe “Scratch” janë kthyer në fjalë shumë të zakonshme që përdoren gjatë orëve të mësimit. Këto fjalë janë emrat e gjuhëve moderne të programimit që përbëjnë një bazë të shkëlqyer për përvetësimin maksimal të aftësive programuese. Në këtë mënyrë, çdo student do të ketë mundësinë të bëhet programues në atë vend ku industria e IT-së prej vitesh përfaqëson ndër eksportuesit më të mëdhenj.

Kjo është arsyeja pse modeli i programit mësimor të programimit, i zhvilluar nga Loop Foundation në Serbi, në të ardhmen do të ofrohet në katër vende të rajonit në kuadër të programit “Gen-D – Nurturing a Digital Future”. Ky projekt do të ofrojë në Shqipëri, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci modelin serb të programit mësimor për programimin.

Ky program i aftëson mësuesit, studentët dhe të rinjtë të përdorin në mënyrë inteligjente dhe proaktive burimet digjitale për të marrë drejtim në jetën e tyre, në karrierë dhe pa dyshim në shoqërinë dhe vendin e tyre. Tashmë ndodhemi në fillim të këtij rrugëtimi dhe kemi ende me mijëra kilometra përpara, muaj dhe vite punë të dedikuar dhe ndoshta miliona investime. Të gjithë ne parterët që sapo kemi nisur këtë rrugëtim, jemi tejet të gatshëm të investojmë gjithçka që lind nevoja për të ndihmuar brezin e ri të ndërtojnë një të ardhme më të mirë në të gjitha vendet e rajonit, -u shpreh Darko Soković, partner ekzekutiv për Strategjinë dhe Zhvillimin në Propulsion.

Në diskutimet e panelit në Beograd u mblodhën së bashku ekspertë të ndryshëm nga rajoni për të diskutuar transformimin digjital dhe reformat në arsim nga këndvështrimi i vendeve të tyre. Pjesëtarët e panelit ishin të të njëjtit mendim se transformimi digjital nuk lidhet thjesht me teknologjinë, por me nevojën për një imazh të ri për të ardhmen e arsimit dhe të ardhmen digjitale të të gjithë shoqërisë.

Ashtu si në shumë vende të tjera, ajo që prej shumë kohësh kemi kërkuar është të shtojmë sa më shumë aftësitë digjitale në komunitetet dhe në vendet tona, duke marrë kështu një mori rezultatesh, por ndërkohë duke shpenzuar shumë energji. Përmes këtij projekti, shpresojmë të nisim një reformë thelbësore për programet arsimore duke përdorur perspektivën rajonale, përvojat e partnerëve ndërkombëtar të tillë si Microsoft dhe përcjelljen e menjëhershme të njohurive që aplikohet në shkolla nga ana e partnerëve tanë, mbylli fjalën e tij Arjan Ymeri, Drejtor i Qendrës së Inovacionit Digjital “Oficina” në Tiranë, dhe njëkohësisht një nga pjesëtarët e panelit.

Propulsion punon me aktorët më të fuqishëm në rajonin e Adriatikut për programet me impakt social, me kapital qarkullues mbi një milion euro në vit. Vëmendja jonë përqendrohet në ato aftësi dhe njohuri që janë vërtetë të nevojshme për të lundruar në një botë komplekse, ku nuk është aspak e thjeshtë të dallosh realen nga jorealja, lajmet e vërteta nga ato të rreme dhe realitetin nga një tregim i mirëhartuar. Në këtë botë, Propulsion ka ndërtuar një gjeneratë të re mendjesh rinore brilante, digjitale dhe me kapacitete të mira për tu shprehur, të cilët në vetvete kanë të integruar mendimin kritik dhe kontribuojnë që shoqëritë tona të ecin sa më shumë përpara.

Microsoft (Nasdaq “MSFT” @microsoft) mundëson transformimin digjital në epokën e një reje inteligjente dhe një skaji inteligjent. Misioni i tij është që të fuqizojë çdo person dhe çdo organizatë në planet për të arritur më shumë.

Loop Foundation u themelua me qëllim përmirësimin e kapaciteteve algometrike në Serbi. Nuk është e thënë që programimi të jetë i komplikuar, vetëm për profesionistë dhe i mërzitshëm dhe pa gjallëri për të tjerët. Dëshira e këtij Fondacioni është që të gjithë të ndihen më pranë programimit: fëmijët dhe prindërit e tyre, studentët dhe mësuesit e tyre, përdoruesit kuriozë të energjisë dhe të gjithë njerëzit që kanë dëshirë të mësojnë më shumë.


Etiketa: , ,

Pas