“Nëse doni të bëni që të shkojnë shumë njerëz në votime, vini kandidat edhe dikë që shumica e popullit e urren”, thuhet në një studim të psikologjisë politike. Kjo, sepse njerëzit janë më të prirur të kthejnë mendje apo të reagojnë në kutitë e votimit, më shumë sepse nuk e durojnë dot dikë, sesa sepse e duan apo votojnë për dikë që është një kandidat vërtet me vlera. Kjo ndodh në një plan më të gjerë, sidomos në vendin tonë ku votohet jo rrallë më shumë për urrejtje karshi një individi a grupimi politik, sesa nga dashuria a vlerësimi për tjetrin. Sigurisht ka raste kur kandidati ta mbush mendjen, por shpesh platforma e kandidatit as nuk njihet fare e jo më të përpunohet si duhet nga votuesi. Shpesh zgjedhësi e sheh pikëpamjen e platformës, projektit të kandidatit që pëlqen, pa marrë parasysh çfarë ka shprehur a ka bërë kandidati më parë, kush është ai, që të mendojë edhe nëse ai i realizon dot ato që ka shkruar në program apo jo. Psikologjia politike, por sidomos kërkesat e jetës reale sot, sugjerojnë që individët duhet të angazhohen në një arsyetim të motivuar kur vlerësojnë kandidatët. Duhet pra që njerëzit të procesojnë informacionin që hyn në një mënyrë të njëanshme, nga një krah, dhe të shohë nëse ai është konsistent me qëndrimet e mëparshme të atij që e paraqet a servir atë. A mund të shërbejë e zgjidhë problemet e një populli të tërë fjala vjen, një njeri-politikan që nuk rregullon dot problemet e veta familjare a shoqërore?
Qytetarët zgjedhës mund dhe të harrojnë akrobacitë politike të deputetit kur kanë një prirje pozitive ndaj tij dhe të ekzagjerojnë anën negative të një manovre politike jo fort të pastër, kur nuk e pëlqejnë politikanin që e bën atë. Efektet e këtyre manovrave janë jo pa rëndësi në mendjet e njerëzve dhe në opinionin publik. Mbështetja e një opinioni a veprimi të kundërt me etikën a me bindjet e opinionit publik, e dëmton jo pak politikanin. Nëse një ndryshim opinioni a manovër politike, është thjesht një kodoshllëk, politikani do të vihet në pozicionin e njeriut që ka ekspozuar më parë një besim tjetër fals publikisht, ndërkohë që duket se do të donte të ishte i sinqertë në publik me një opinion tjetër, negativ për njerëzit. Ky lloj dublikimi është pa dyshim me dëme për të, sidomos nëse rezonon me vlera bazë. Barra psikologjike e mbajtjes së një pozicioni, jo në përputhje me besimet e individit, mund të mos peshojë në opinion vetëm nëse pozicioni i ri paraqet a mbron interesa të gjera masive a të zonës elektorale ku politikani është zgjedhur.
Ka disa lloj gënjeshtrash në politikë. Ka gënjeshtra elektorale, ka gënjeshtra në mbrojtje të vetes kur kapesh në shkelje të ligjit a rregullave morale, ka gënjeshtra për të rritur lavdinë personale e atë familjare të politikanit etj. Ka gënjeshtra zbukuruese që mbështjellin një pjesë të vërtetë a një embrion fare të vogël të saj, ndërkohë që ka sajesa të tëra, (fiction) të krijuara nga hiçi. Akrobacia politike apo “të thuash sot diçka e nesër një gjë tjetër”, është po ashtu një gënjeshtër politike. Lidhur me këtë të fundit, vërehet se ndryshimet reale të opinioneve të politikanit, kanë një ndikim të caktuar tek zgjedhësit,e efekte të ndryshme psikologjike shumë më të mëdha se ndryshimet oportuniste a akrobacitë politike të tij. Politikanët efektivë, kanë mekanizma mendorë të veçantë për të operuar me ndryshimet e pozicionimeve. Por nuk duhet harruar edhe se politikanët mund ta ndryshojnë mendjen e tyre si çdo kush tjetër. Edhe kjo është ndër veçoritë njerëzore që nuk haset vetëm tek politikanët, por që bie më shumë në sy tek ata sepse ata janë në qendër të vëmendjes dhe nga vendimet e fjalët e tyre, varen fatet e shumë njerëzve. Ka mjaft raste që ndryshimi i opinioneve të politikanit e ndihmon atë në debate sidomos për të përballuar kandidatin kundërshtar. Nga ana tjetër kjo mund të shihet edhe si shenjë e një mendjeje të hapur, elastike, jo të ngurtë të politikanit.
Një formë tjetër e gënjeshtrës politike është dredhia, shmangja e përgjigjes direkte apo dhënia e një përgjigjeje tjetër për një pyetje tjetër, sidomos kur kjo drejtohet nga gazetarët por edhe nga publiku i interesuar. Tashmë është e njohur sentenca e Mit Romneyt gjatë një interviste: “Ju bëni pyetjet që ju pëlqejnë, dhe unë do jap përgjigjet që më pëlqejnë”. Në Shqipëri kjo u tha pothuaj njëlloj në një intervistë televizive nga një lider partiak: “Ju bëni pyetjet tuaja, unë do jap përgjigjet e mia”. Të njëjtën gjë por pa finesë u përpoq të bëjë ministri i Brendshëm shqiptar pak ditë më parë, kur e pyetën për numrin e të pushuarve nga puna në polici. “Aq sa duhen për të rindërtuar një polici të re”. Përgjigjja në një aspekt, përveç që nuk jep informacion, është edhe fyese për intelektin e atij që pyet, sepse në këtë rast shmangia është cinike, jo elegante, as e zgjuar dhe nuk respekton bashkëfolësin a intervistuesin me të cilin ke pranuar të përballesh edhe si zëdhënës i një opinioni jo të vogël publik. Një formë tjetër e discours-it politik është rafinimi i fjalisë për të mos thënë asgjë, a veçse batutë në rastin më të mirë. Në rastin e politikanit elokuent e të zgjuar, mënyra më e mirë e dhënies së përgjigjes, një pyetjeje që nuk mund a për arsye të ndryshme nuk do t’i përgjigjesh veçse në mënyrë të tërthortë, është ta japësh atë në një formë artistike, inteligjente dhe në këtë rast përgjigjja dredhuese mund të rezultojë çuditërisht e këndshme, efektive, një mënyrë për t’i mashtruar disi votuesit, por teknikisht pa i gënjyer ata.
Por ka raste kur në programe televizive a para publikut, politikanët i përgjigjen tamam pyetjeve që iu bëhen dhe teleshikuesi i vlerëson ata pozitivisht. Por habia është se edhe në rastet si ato që përmendëm më sipër, kur politikani i përgjigjet një pyetjeje të ndryshme nga ajo që është bërë (p.sh pyetet për drogën e si do të zgjidhet problemi i saj aty ku dihet është vatra më e nxehtë e prodhimit e shpërndarjes të drogës, dhe përgjigjet për shoqërinë në tërësi, gjë që ka një farë lidhje me pyetjen, por nuk është përgjigja që pritet), klasifikohet po aq favorshëm sa edhe përgjigja direkte e një pyetjeje. Akoma më e çuditshme është se politikanët që i dredhojnë pyetjes por e bëjnë këtë në një mënyrë të butë, të praktikuar, klasifikohen nga sondazhet në mënyrë më të favorshme se sa ata që i përgjigjen pyetjes por në një mënyrë më pak fluide: politikanët paraqiten pra më mirë nëse i përgjigjen mirë pyetjeve të gabuara, sesa po t’u përgjigjen dobët pyetjeve të drejta. Por jo të gjithë përgjigjet dredhuese kalojnë pa pasoja për politikanin. Kështu p.sh politikanët që tek ne përgjigjen për pyetjet lidhur me rritjen e çmimeve a të taksave, me përgjigje që lidhen me edukimin fizik a ruajtjen e shëndetit duke ecur me këmbë, nuk vlerësohen madje edhe herët ose vonë, ndëshkohen me votë.
Gënjeshtra politike arrin të jetë në disa raste gënjeshtër në mes të ditës, e hapur dhe e pacipë. Gënjeshtra slogan është ndër më tipiket si e tillë: jemi këtu për t’i shërbyer vetëm popullit, jemi shërbëtorë të tij”, dhe “nëse jemi zgjedhur jemi zgjedhur vetëm për të shërbyer”.
Të gënjyerit e vetes si shkak i gabimeve të politikanit. Nganjëherë politikanët bëjnë gabime kaq naive apo shkelje aq lehtë të kapshme sa mund të mendohet se nuk janë të aftë të gënjejnë a të mbulojnë ato që bëjnë. Shpesh kjo vjen sipas psikologëve, sepse ata kanë kaq kontroll në jetët e të tjerëve, saqë nuk mund ta imagjinojnë, të mos kenë po aq mirë, në mos më shumë kontroll mbi jetën apo bëmat e veta. Duhet shtuar këtu mundësia më e madhe reale për ta, për shkak të pushtetit, dhe joshja që jep kjo, për të mashtruar, përfituar apo për t’u përfshirë në afera jashtëmartesore. Sipas një pikëpamjeje tjetër në këto raste arsyeja qëndron tek tipi i njeriut që i pëlqen rreziku e kërkon adrenalinë në çdo lloj mënyre sado e rrezikshme qoftë. Këta njerëz kanë përgjithësisht personalitete narcistike (dhe kjo nuk është e rrallë ndër politikanët që fillojnë të vetëdashurohen e të bëhen narcistikë edhe kur nuk janë fillimisht të tillë), me një superego të dobët, që nuk i pengon ata aspak të nxjerrin jashtë impulset e tyre më bazale. Disa syresh eksitohen edhe nga flirtimi me rrezikun. Madje edhe shembujt e njerëzve të ngjashëm me ta, kolegëve, që kapen a e pësojnë, nuk i pengon ata, përkundrazi i nxit më tepër të ndërmarrin rreziqe. Madje studimet tregojnë se ndërmarrja e risqeve edhe për njeriun e thjeshtë, jo politikan, që zë fill nga kalimi i rrugës nga njëri trotuar në tjetrin mes trafikut e deri tek vënia në lojë e shumave të mëdha në kazino, rritet nga prania e një femre të bukur aty pranë. Ndërkohë meshkujt politikanë në raste prezence femrash të tilla, a njohjesh me to, janë më të prirur për tradhti bashkëshortore edhe nën ndikimin e medias, internetit, teknologjisë moderne, që lehtëson mundësinë e shpejtësinë e marrëdhënies, duke rritur kështu mundësitë e rrezikimit , edhe të karrierës, për të realizuar këtë.
Pushteti nga ana tjetër i shpie disa edhe në iluzionet e kontrollit mbi gjithçka dhe të pathyeshmërisë. Politikani a njeriu me pushtet, fillon të mendojë se është special dhe jo si të tjerët, subjekt i rregullave që nuk janë për ta, por vetëm detyrime e shtrëngesa për të tjerët. Kësisoj ata fillojnë të thyejnë rregullat dhe kur nuk ndëshkohen për këtë për një fare kohe, nisin të mendojnë se janë edhe të paprekshëm.
Sipas një studimi tjetër, më shumë se narcisizmi e pushteti, shtysa kryesore për ndërmarrjen e rreziqeve, vjen nga fakti se njerëzit e politikës i tërheq shumë madje dhe i bën të lulëzojnë, të ndjehen shkëlqyeshëm e në terrenin e vet, fusha a mbretëria e politikës. Kështu po të kihet parasysh që politikani luan përgjithësisht me një risk të madh për punën (mund ta humbasë atë për një fjalë të gabuar, kujtoni shprehjen e një politikani të fillimviteve ‘90 “më mirë fashist se komunist” dhe largimin e tij të menjëhershëm nga politika), ai takon mjaft njerëz të rinj e ka vazhdimisht të reja në jetë, por ka njëkohësisht edhe mjaft pasiguri në jetën e vet (në majë), saqë mund të mendohet se karriera e politikanit është një karrierë si e bërë enkas me dorë për njerëzit që kërkojnë risk, adrenalinë, thriller. Ata siç thamë, besojnë nga ana tjetër që mund të kontrollojnë fatin e tyre. Dhe kësisoj së bashku me rrezikun vjen edhe mashtrimi që është një formë ekstreme e mbrojtjes pas ndërmarrjes së rrezikut dhe kapjes në flagrancë. Duhet të kihet parasysh ekzistenca si në akuarium e politikanit dhe e të qenit në sy të të gjithëve si figurë publike. Dhe ndërkohë që mendohet se figurat publike kanë më shumë mundësi të mashtrojnë, nuk ka studime solide që të vërtetojnë këtë, pra faktin që në krahasim me popullsinë, politikanët mashtrojnë më shumë. Çdo gjë lidhet me premisat që e kërkojnë këtë mashtrim. Gjithsesi, në SHBA 30-60% e burrave dhe 20-50 % e femrave kanë të paktën një tradhti bashkëshortore.