Të lodhur me donatorët për të thithur fonde për ekonominë shqiptare. Të palodhur dhe të babëzitur për të përdorur pa konkurrencë paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Është shumë mirë që ndërtohen shtëpi, shkolla dhe spitale në zonat e prekura nga tërmeti me paratë e buxhetit. Por pas një konference donatorësh të paraqitur me aq bujë si sukses, ku janë financimet nga donatorët?
Mos vallë Rama është lodhur edhe me donatorët e Rindërtimit si me ata të konferencës së Berlinit??
Pse mungon transparenca, sa prej 1.15 miliard euro janë grante, sa kredi dhe cilat janë kushtet e ҫdo marrëveshjeje kredie?
Me sa prej donatorëve kanë filluar negociatat për kreditë e tyre?
Sa kredi janë miratuar në qeveri dhe sa në Parlament?
Sa prej kredive janë bërë efektive dhe për kë prej zërave të kostove të rindërtimit?
Nuk ka mundësi të jesh i suksesshëm për të marrë premtime për ndihma dhe të jesh i dështuar për thithjen e tyre pa një arsye të fortë kredibiliteti?
Me ҫfarë kushtesh do të jepet kredia e Bankës së Emirateve të Bashkuara prej rreth 486 miliardë eurosh që zë rreth 60 për qind të gjithë kredive për tërmetin?
Në kushtet kur fondet e tërmetit janë një burim shtesë në ekonomi që ndihmojnë reduktimin e pasojave të COVID-19, ndoshta mund të ketë interes nëse kushtet e kësaj kredie janë të buta, të përqendrohet negocimi me këtë bankë.
Kjo mund të rriste kapacitetet absorbuese të fondeve të rimëkëmbjes duke e ndihmuar ekonominë shqiptare të rimëkëmbet më shpejt dhe më shumë që gjatë fundit të vitit 2020 dhe sidomos gjatë vitit 2021.
Mungesa e transparencës, mungesa e të dhënave zyrtare për ҫdo fazë dhe ҫdo shumë të bërë efektive të premtimit 1.15 miliard euro rrit shqetësimin se qeveria po dështon në bërjen efektive të këtij burimi financimi shtesë në ekonomi.
Ose kjo shumë nuk ka qenë konkrete aq më tepër që vetëm një bankë premton 60 % të kredisë për fondin e rimëkëmbjes. Koha është gjykatësi më i mirë. Populli paralajmëron se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, jo vetëm për njerëzit e gjatë.
Qeveria duhet të provojë të kundërtën duke bërë transparencë me shifrat e thesarit për thithjen e fondeve të rindërtimit.