Gent Cakaj, ministri i Jashtëm në detyrë, ishte i ftuar në A2 nga ku u shpreh se progres-raporti konstaton se Shqipëria ka përmbushur shumicën absolute për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
“Raporti është i një vlere të veçantë këtë herë, pasi tregon nëse janë përmbushur detyrat e nevojshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Raporti konstaton se Shqipëria ka përmbushur shumicën absolute për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Lajmi i ri është se, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, Shqipëria është i vetmi vend që ka bërë proces të mirë në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi në përgjithësi, nga njëra anë dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në këtë kuptim, Shqipëria i ka të gjitha arsyet që të jetë e kënaqur me progres-raportin, duke pasur në vëmendje faktin që sigurimi i kuorumit në Gjykatën Kushtetuese mbetet prioritet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”, u shpreh Cakaj.
Por, a ka rrezik për ndarje nga Maqedonia e Veriut në këtë rrugë integrimi?
“Thelbi i çështjes për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mbetet sigurimi i funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese. Sa i përket një ndarjeje të mundshme nga Maqedonia e Veriut, kjo është një çështje që unë nuk mund ta them tani, për të qenë fare korrekt me të gjithë publikun, por dua të theksoj se suksesi i madh i diplomacisë shqiptare është se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të trajtuara në mënyrë krejtësisht të njëjtë për hapjen e negociatave. Kjo nuk ka qenë e rastësishme, pasi ne kemi lobuar fort.
Tashmë jemi në një situatë tjetër dhe proceset do të ndahen natyrshëm. Tashmë dy vendet i kanë hapur negociatat. Se cili vend do të përparojë më shumë në agjendën europiane, kjo varet nga performanca e tyre. Edhe Maqedonia e Veriut ka kushtet e veta, të cilat janë të pasqyruara fare qartë në konkulzionet e Këshillit. Plotësimi i kushteve për konferencën e parë ndërqeveritare varet nga performanca e vendeve në veçanti”, u shpreh Cakaj.