Kryesore

Gentian Trenova: Drejtësia e re është drejtësi e kapur








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:10 - 25/05/19 |
mapo.al

Flet për gazetën Mapo, Gentian Trenova, ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe të Apelit


Reforma në Drejtësi nisi funksionimin e saj pas ndryshimeve Kushtetuese me 140 vota në Parlament në korrik të vitit 2016. Pas dy vitesh punë nga KPK dhe KPA, si do e konsideroni procesin e vetingut?


Procesi i vetingut nisi si një ide e gjithëpranuar nga shqiptarët. Ideja e pastrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë u përdor në një masë të konsiderueshme për propagandë. Në të vërtetë, krijimi i kuadrit ligjor, dhe vetë procesi i bërë deri tani është shumë larg idesë fillestare për një gjyqësor të pastër dhe funksional. Procesi i vetingut që në fillim ka nisur me problematikat e saj. Së pari është vet ligji i vetingut që në shumë dispozita të tij bie ndesh dhe në kundërshtim të hapur me parimet kryesore që mbron Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila është pjesë edhe e legjislacionit të brendshëm shqiptar. Madje edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në procesin që po zhvillon me aplikues një subjekt të rivlerësimit të shkarkuar, i ka kërkuar sqarime Shtetit Shqiptar, për ta bindur atë se parashikimet ligjore të ligjit të vetingut kënaqin parimet që Konventa dhe praktika e saj gjyqësore mbron. Do të jetë shumë e vështirë ose pothuajse e pamundur që Shteti Shqiptar të bindë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut se ligji shqiptar respekton parimet që Konventa mbron, sidomos me parimet për një gjykatë të pavarur, të paanshme dhe të caktuar me ligj, për një proces ku respektohen të drejtat për barazinë e armëve, për prezumimin e pafajësisë, për të drejtën e aksesit në Gjykatë, për të drejtën e privatësisë familjare, për të drejtën për t’u dëgjuar, për të debatuar dhe kundërshtuar provat, për të paraqitur provat etj. Ky proces ka cenuar drejtpërsëdrejti gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët në një përqindje të lartë janë larguar nga sistemi. Në të vërtetë, po t’i referohesh statistikave dhe brendësisë së procesit, vëmendja e politikës, e qeverisë, e KPK apo KPA si dhe ONM, është të kapin një objektiv të paracaktuar në numër personash të shkarkuar. Po të krahasosh shumë probleme midis personave të shkarkuar dhe të konfirmuar në detyrë, duket qartë standardi i shumëfishtë. Kjo nxjerr konkluzionin se në të vërtetë në këtë proces nuk kanë shumë rëndësi problemet që mund të ketë një subjekt apo një tjetër, por arritja e objektivit të paracaktuar për shkarkimin nga detyra. Kështu nga subjektet e konfirmuara në detyrë, pothuajse ndaj gjysmës së vendimeve të KPK, është bërë ankim nga Komisioneri Publik. Kjo tregon se 50 % e punës së KPK është e dështuar, ose puna nuk ka asnjë standard, por punohet sipas emrit të personit që vetohet, ndërsa problemet relativizohen ose amplifikohen sipas orientimit për të arritur objektivin.


Sot praktikisht jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, si e shihni situatën aktuale në sistemin e drejtësisë, a është një kolaps dhe sa rrezikon kjo shkeljen dhe të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësinë?


Ndërsa njëra pjesë e reformës ka të bëjë me vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pjesa tjetër e reformës ka të bëjë me funksionimin e sistemit. Largimi i shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasiguria në punë e gjyqtarëve dhe prokurorëve akoma në sistem, ndryshimi i shumë ligjeve në të njëjtën kohë, shkrirja e disa institucioneve dhe krijimi i institucioneve të reja, ka sjellë një bllokim të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe punës së prokurorisë. Nëse në fillim të reformës kishte probleme në lidhje aksesin në gjykatë, me kohën e hetimit dhe gjykimit, me cilësinë e procesit, me krijimin e praktika unifikuese, me imazhin për një drejtësi të pakorruptuar dhe profesioniste, këto problematika janë thelluar shumëfish me ecurinë e reformës. Nuk ka përmirësim në asnjë tregues, por ka ndodhur e kundërta, problemet janë shumëfishuar dhe qytetarët çdo ditë e më shumë kanë vështirësi në zgjidhjen e problemit të tyre në gjyqësor apo në prokurori. Nëse në fillim ishte entuziazmi i një pjese jo të arsyeshme që nga politika apo edhe nga njerëzit e rëndomtë për goditjen publike aspak dinjitoze për gjyqtarët dhe prokurorët, tani vendin po e zë logjika e arsyeshme njerëzore se çfarë po bëhet dhe pse problemet janë shtuar dhe entuziazmi proletar i fillimit është zbehur.


Ka patur akuza se institucionet e reja të drejtësisë janë të kapura politikisht. Në këndvështrimin tuaj, sa qëndron ky dyshim?

Nuk ka pse të jetë vetëm një dyshim, por në të vërtetë ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i reformës. KLP dhe KLGJ kanë një balancë të brishtë 6 me 5, dhe kjo krijon premisat e kapjes së këtyre dy institucioneve. Është e papranueshme për standardet e një gjyqësori të pavarur që organi kryesor që merret me karrierën apo ndëshkimet të ketë kaq shumë ndikim me njerëz nga një pushtet tjetër, ai legjislativ. Aq më tepër që në Shqipëri nuk ka një ndarje midis qeverisë dhe shumicës në Kuvend, ku nuk kuptohet nëse është kjo shumicë e kuvendit që zgjedh qeverinë apo është qeveria që drejton shumicën e parlamentit.

Para dy ditësh Presidenti i Republikës Ilir Meta kritikoi jo vetëm institucionet vendase por edhe ato ndërkombëtare për situatën e krijuar në kolapsin që ka përfshirë sistemin e drejtësisë. Si e konsideroni rolin e ndërkombëtarëve? Konkretisht EURALIUS, OBDATE (në procesin para reformës) dhe ONM, aktualisht pjesë e vetingut.

Para së gjithash unë personalisht kam qenë gjithmonë jo besues mbi rëndësinë e të huajve që vijnë në Shqipëri për misionet e tyre. Jo në pak raste puna më ka bërë të përballem jo në pak raste me ta dhe të kuptoj formimin e tyre, atë çfarë mendojnë për Shqipërinë dhe punën e tyre këtu. Reforma në Drejtësi është një projekt i financuar nga BE dhe USA. Për këtë projekt janë hedhur shumë para të marra nga taksat e qytetarëve të BE apo të USA. Për këtë arsye reformat në objektivin e tyre nuk mund të dështojnë pavarësisht problemeve që realisht ka dhe do ketë. Ata në asnjë rrethanë nuk do të pranojnë dështimin e reformës pasi në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi ligjore, politike para institucioneve nga vijnë për paratë e hedhura në projekte të dështuara. Duke ditur këtë qëllim të përfaqësuesve të huaj, për mosdështimin e reformës, janë vendasit të cilët shfrytëzojnë rastin për të deformuar procesin, pasi kanë vetësigurinë se pavarësisht problemeve që do të krijojnë me ndërhyrjet në proces për kapjen politikisht, për favorizime të disave për hakmarrje ndaj disa të tjerëve, në përfundim tërësia nga të huajt do të konsiderohet e suksesshme.

A rrezikojmë që krahas Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë të futen në kolaps edhe Gjykatat e Apelit nga vetingu dhe për pasojë edhe moskrijimi i institucioneve të reja? Si duhet të ishte vepruar që kjo situatë bllokimi të mos kishte ndodhur?

Ecuria e mëtejshme, sigurisht që do të rrisë akoma më shumë probleme duke përmendur këtu edhe një bllokim të mundshëm të Gjykatave të Apelit. Zgjidhja e problemit është shumë e vështirë. Së pari, janë krijuar aq shumë probleme me funksionimin e sistemit, saqë kërkohet një vizion i ri, për të kuptuar se çfarë ndodh, dhe se çfarë duhet të ndryshohet. Zgjidhjet reale janë vetëm ato që bazohen në mendje të shëndosha që kuptojnë sesi funksionon një sistem demokratik, ku respektohet pavarësia e gjyqësorit, ku garantohet kjo pavarësi, ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut, ku gjyqtarët të ndihen të lirë në dhënien e vendimit dhe jo të trysnuar nga politika, nga shkarkimet e padrejta, nga goditja shantazhuese nëpërmjet mediave etj.


Etiketa: , , , ,

Pas