George dhe Amal Clooney do të presin këtë fundjavë në vilën Oleandra në Komo të Italisë ish-presidentin amerikan Barack Obama dhe familjen e tij. Mediat e huaja raportojnë se fshati është blinduar plotësisht. Kryetari i bashkisë duket se ka njoftuar tashmë edhe mbylljen e një parkingu pranë vilës për dy ditë, si dhe aplikimin e gjobave shumë të larta ndaj dronëve që do të lëshohen në hapësirë ajrore.
E teksa raportohet se Obama dhe familja e tij (Michelle, Sasha dhe Malia) kanë ndaluar momentalisht në Francë, duhet thënë se çifti Clooney ka filluar tashmë të identifikohet me mbrëmje të këtij lloji. Ata kanë ftuar më parë në vilën Oleandra një sërë personash të njohur, si Sandra Bullock, Jennifer Aniston, Matt Damon, Julia Roberts, etj.
Ndërsa përsa i takon thashethemeve të përsëritura rreth kandidaturës së tij hipotetike për të qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë, Clooney vijon t’i kundërshtojë haptazi. “Jo politika nuk është vend logjik për mua, kam talente të tjera dhe profesionin tim. Nuk dua të bëj kompromise siç bëjnë politikanët”-është shprehur së fundmi aktori i njohur.