Gëzim Visoka, As. Prof. për Studimet e Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Dublinit në Irlandë mbajti një kumtesë në “Ditët e Studimeve Shqiptare” organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës rreth ndërlidhjes së nacionalizmit, integrimit europian dhe paqes në rajon. I pyetur nëse integrimi europian është e vetmja rrugë për paqen, ai tha se vendet e rajonit duhet ta bënin këtë natyrshëm dhe jo të nxitur nga BE. Hyrja e tyre në bashkësinë europiane pa i zgjidhur konfliktet mund të gjenerojë konflikte të reja
Nacionalizmi, dhe integrimi europian dhe paqja. Si i shihni të lidhura këto njëra në funksion të tjetrës?
Ekziston një lidhje e ngushtë mes procesit të integrimit në BE dhe ngritjes së nacionalizmit të ri në rajon, që po ndodh në atë kuptim duke parandaluar e vonuar paqen. Me fjalë të tjera vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse po duket se po përparojnë në drejtim të integrimit europian, po e përdorin këtë fazë për të avancuar agjendat e tyre nacionaliste e autoritare.
A mendoni se integrimi europian është e vetmja rrugë për të vendosur paqen në rajon?
Për momentin duket se është e vetmja alternativë apo platformë, që do i jepte shtysë shoqërive që të tejkalojnë ndasitë e së kaluarës e të bëjnë paqe të qëndrueshme. Kjo po ndodh prej kushtëzimeve që vijnë nga BE si edhe nga shtytjet e brendshme për reforma të ngjashme. Natyrshëm duhet të ishte e kundërta, që shoqëritë dhe shtetet të bëjnë paqe për hir të paqes dhe të marrin nisma të pavarura dhe jo të presin sa herë të vijnë funksionet europiane apo BE që të nxisë këto procese, sepse po u japim hapësirë dhe po u ikim raporteve direkte dhe lidhim një proces me një proces tjetër, paqen me integrim dhe po i bëjmë gjërat jo për hir të qëllimit primar dhe si e tillë kjo logjikë është e rrezikshme, sepse krijon varësi nga bashkësia ndërkombëtare dhe raporte komplekse dhe nuk ndërton besim direkt mes shqiptarëve e serbëve, maqedonasve dhe grekëve, serbëve dhe kroatëve, etj.
Pra, mendoni se Ballkani nuk është ende gati për integrimin europian, ku plagët e luftërave janë ende te freskëta mes shteteve. Vërtet që Kroacia ka hyrë në BE, por akoma nuk ka një situatë diplomatike mes Kroacisë dhe Serbisë…
Duhet të jenë procese të ndara; me rregull pajtimi duhet të ndodhte më herët e pastaj të vinin reformat shtetërore e procesi i integrimit. Kemi parë te Kroacia që edhe pse është shtet anëtar i BE-së është shumë e vështirë të reformohen, të pranojnë fajin apo të jenë më të hapur ndaj së kaluarës, qoftë për drejtësi qoftë për njohje të krimeve. Kur këto vendet të hyjnë në BE apo t’i afrohen anëtarësimit pa i zgjidhur problemet e së kaluarës ekziston rreziku të fuqizohen e të mos kenë shtytje për të ndryshuar. Kroacia nuk ka asnjë nxitje të merret me krimet e luftës, e ka mbyllur këtë fazë. Edhe Serbia po bën të njëjtën gjë.
Po Kosova?
Kosova është situatë më komplekse, është më e varur se këto vende dhe vetëm integrimi europian do i hapë rrugë pajtimit ose tejkalimit të ndasive dhe normalizimit. Nuk ekziston një proces kombëtar i pajtimit apo normalizimit me serbët; gjithçka është e lidhur me procesin e integrimit europian dhe me fjalë të tjera, Kosova e ka kushtëzuar pajtimin me Serbinë me procesin e integrimit dhe si e tillë është bërë instrument e një tjetër procesi; modernizmit të shoqërisë dhe paqes si dëshirë apo vullnet e aspiratë nuk i është dhënë rëndësi saç duhet të ketë. Ekziston rreziku që këto vende q ë të japin përshtypje se janë pajtuar dhe i kanë zgjidhur proceset historike mund të ndodhë që pasi të hyjnë në BE mund t’u rikthehen prapë e mund të fillojnë një konflikt të ri politik.
Çfarë këshillash keni si studiues për Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë? Si mund të ketë një lloj bashkëjetese europiane?
Mendoj se në të kaluarën Shqipëria është sjellë shumë mirë ndaj rajonit, edhe pse Kosova e Serbia kanë pasur probleme me Maqedoninë historike nuk ka ndërhyrë dhe është rast i veçantë sesi shteti amë nuk ka ndërhyrë për ta radikalizuar edhe më tutje situatën. Shqipëria e ka arritur këtë aspiratë që të jetë përfaqësues i shqiptarëve në rajon. Serbia është e interesuar të bëjë kompromis historik me Shqipërinë, me shqiptarët, dhe jo me Kosovën, por unë mendoj se kjo qasje është e gabuar . Shqipëria nuk mund të përfaqësojë Kosovën për të zgjidhur problemin historik me Serbinë. Sepse problemi nuk ka qenë kurrë Shqipëri- Serbi, por shqiptarët e Kosovës me Serbinë. Interesi i Serbisë është të mohojë identitetin kosovar, por është interes kombëtar i shqiptarëve që të njihet identiteti kosovar, të paktën si identiteti shtetëror jo si identitet etnik, kombëtar. Dhe është interes i kosovarëve të identifikohen si kosovarë për hir të ekzistencës të shtetit, sepse kur mohohet identiteti shtetëror mohohet edhe ekzistenca e shtetit dhe kjo i intereson Serbisë të kthehet në nivelin primitiv shqiptarë-serbë dhe ta vërë në pazar ndarjen e Kosovës ose të vendosë Kosovën si zonë ndarëse mes shqiptarëve dhe serbëve dhe nuk është e vërtetë, sepse ekziston një adenitet i tretë që duhet pranuar.
Sa i përket Maqedonisë, Shqipëria ka luajtur rol konstruktiv kohët e fundit pse është parë si ndërhyrje në punët e brendshme, mirëpo Shqipëria ka çdo të drejtë të ngrejë zërin përmes kanaleve diplomatike dhe kornizave të të drejtave të njeriut.
Ka nisma për t’u kthyer në ligj si njohja zyrtare e gjuhës shqipe, por duket se ka një lloj konflikti nacionalist, etnik, më poshtë, në bashkëjetesë, jo në qeverisje. Cila mund të ishte një zgjidhje për këtë lloj mentaliteti mes këtyre dy popujve brenda një shteti ku ka grupe të ndryshme etnike? Si mund të shuhen këto konflikte pavarësisht iniciativave të drejtuesve politikë?
Mendoj se hapi i parë i mirë është ndërmarrë, të paktën institucionet dhe korniza ligjore të njohë të drejtat historike dhe themeltare të shqiptarëve. Ndryshimi shoqëror merr kohë. Maqedonasit si popullatë, si etni e re në rajon, vuan nga shumë komplekse sa i përket identitetit, simboleve, por edhe fesë, si e tillë është shoqëri paranojake dhe i kanë parë si rrezik historik shqiptarët, por kohët e fundit shteti është hapur dhe i njeh të drejtat kushtetuese e ligjore. Natyrisht duhet të ndodhë hapi i radhës që shoqëria maqedonase të ndryshojë, të transformohet, që shteti të jetë multietnik, parimor në zbatimin e ligjit, t’i mbrojë e t’i njohë shqiptarët si të barabartë, me kalimin e kohës mund të ndryshojë. Diaspora maqedonase është shumë nacionaliste, kohët e fundit ishin shtytësit kryesorë për evitimin një marrëveshjeje me Greqinë për emrin, diasporat janë kështu. Pa u krijuar një klasë apo nismë mbarëkombëtare e ndëretnike në Maqedoni që e mbron paqen pluraliste dhe shtetin pluralist, nuk mund të luftohen forcat nacionaliste. Duhet të krijohet një rrymë e re e ndenjës maqedonase jo të etnisë , por të shtetit dhe të krijohet një shoqëri civile pluraliste që mbron të drejtat. Por fakti që Maqedonia është afër anëtarësimit në NATO dhe në BE ekziston mundësia që të krijojë mekanizma kompleksë institucionalë, politikë dhe shtytje nga brenda që shoqëria të hapet dhe ngadalë të shuhet ky tejkalim i urrejtjes dhe diskriminimit që është bërë.
A besoni se mund të ketë një bashkim kombëtar mes Kosovës e Shqipërisë?
Kosova kur është formuar si shtet, ka marrë obligim kushtetues që nuk do i ndryshojë kufijtë duke u bashkuar me vende të tjera. Njohja ndërkombëtare e Kosovës në statusin aktual është bërë me këtë premisë. Kosova e ka si parim të ruajë shtetësinë e saj dhe të arrijë një marrëveshje historike me Serbinë dhe anëtarësim në OKB. Nëse dështon paqja e përhershme me Serbinë dhe njohja kolektive e Kosovës- e kam fjalën anëtarësim në OKB -Kosovës i jepet çdo e drejtë të eksportojë alternativa të tjera dhe në elitën intelektuale të Kosovës ka filluar të flitet hapur për mundësinë e ribashkimit si alternativë, ndoshta si kërcënuese apo paralajmërim për bashkësinë ndërkombëtare, por më vonë mund të jetë si alternativa e vetme e mbijetesës së Kosovës si shtet. Kosova nuk mund të mbijetojë pa qenë anëtare e OKB-së. Bashkimi kombëtar mund të jetë destabilizues, mund të jetë si plan B nëse dështon OBK. Por nëse ndodh do të krijojë destabilizim dhe konflikte të reja. Ekziston mundësia që Kosova të ndahet, të hapet çështje a e Republikës Serbe në Bosnjë, e mund të ketë shumë probleme që shkojnë përtej rajonit. Shpresa është që kjo të parandalohet me faktin që Serbia të pranojë të paktën që Kosova të bëhet anëtare e OKB. Është në rrugë e sipër për të nënshkruar një marrëveshje ligjore mes Kosovës dhe Serbisë që të mundësojë Serbisë anëtarësim të plotë në BE dhe Kosovës t’i hapte rrugën për në OKB. Faktori rus dhe kinez është pjesë tjetër e debatit që mund të jetë pengesë edhe nëse Serbia pranon, po ashtu edhe pse vendet e tjera të BE që nuk e kanë pranuar Kosovën. Jemi në një moment ku çdo opsion është i hapur. Bashkëpunimi funksional mes Shqipërisë dhe Kosovës është duke ndodhur brenda kornizës së integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal, por ka pasur vështirësi në bashkëpunim ekonomik; probleme me taksat dhe tarifat dhe shumë janë skeptikë që mund të ndodhë një bashkim natyral, sepse ka interesa ekonomikë e politikë nga të dyja anët që të mos ndodhë kjo. A do jetë shtet unitar apo jo, federatë apo konfederatë.? Ekziston shpresa që bashkimi të ndodhë në procesin e integrimit europian ku kufijtë rajonalë do të zbehen e do të bëhen simbolikë. Kjo është shpresa më e mirë që integrimit në BE do të ishte bashkim i të gjithëve. Po dështoi BE si projekt do të hapen mundësitë e unifikimit kombëtar po që do të jetë shumë problematik.